Libri i parë i Mbretërve

Historia e kombit regjistrohet që nga fundi i mbretërimit të Davidit deri në mes të mbretërimit të Ashaziahut. Në lavdinë e saj më të lartë nën Salomonin mbretëria paralajmëron mbretërinë mijëvjeçare të Zotit tonë. Begatia e kombit ngrihet apo bie sipas karakterit të sunduesit dhe popullit të tij, duke ilustruar për ne parimin e rëndësishëm se bindja është kushti i bekimit.F. B. Meyer

Rëndësia e librave të Mbretërve, të cilët në fillim kanë qenë një libër i vetëm, mund të shihet nga një perspektivë historike në atë që përfshin 400 vjet nga historia e Izraelit, nga mbretëria e Salomonit deri te robëria babilonase. Këta libra regjistrojnë mbretëritë, jo vetëm atë të Judës (ashtu si Librat e Kronikave), por gjithashtu kombin besimmohues të quajtur “Izrael” apo “Efraim” në Veri. Megjithatë, këto nuk janë thjesht libra historikë; Librat e Mbretërve japin një analizë frymërore të mbretërve, qoftë kur i kanë shërbyer Zotit apo idhujve, qoftë kur ishin me gjysmën e zemrës besnikë ndaj Perëndisë.

Mbase më të dobishme për tërë lexuesit e Biblës janë shërbesat e gëzuara, po ashtu edhe ndërtuese, të profetëve Elia dhe pasuesit të tij Eliseu.

Një mësim i rëndësishëm i Librit të Mbretërve është se Perëndia shpërblen besnikërinë dhe ndëshkon besimmohimin [femohimin, apostazinë]. Ezekia dhe Josia janë shembujt më të qartë të të parit [besnikërisë që shpërblehet] (2 i Mbreterve 18:3; 22:2). Shembujt e qartë të këtij të fundit [ndëshkim për femohimin] – në një shkallë kombëtare – janë mërgimet, në fillim i Mbretërisë Veriore (viti 722 para K.) dhe më pas i asaj Jugore (viti 586 para K.).

II. Autorësia

Autori njerëzor i Librit të Mbretërve është i panjohur. Një pjesë e konsiderueshme e librit është përpiluar nga regjistrimet, por me drejtimin e Frymës së Shenjtë. Disa kanë hedhur idenë e një autori priftëror, por është çudi të gjesh shkrimtarë të përshtatshëm priftërinj në Mbretërinë besimmohuese Veriore. Një autor profetik duket më i përshtatshëm. Shkruesi përfundimtar i librit mendohet të jetë Esdra nëse ishte prift, dhe Ezekieli apo Jeremia nëse ishte profet.

III. Data

Libri i Dytë i Mbretërve mbyllet me shënimin pajtues e pozitiv të ngritjes dashamirëse të mbretit babilonas Evil-Merodak e të mbretit Jehojakin të Judës pas tridhjetë e shtatë vjetësh burgu (rreth vitit 560 para K.). Një ngjarje historike më zemërdhënëse, që spikat për mungesën e saj, është fillimi i kthimit të judenjve në Izrael (536 para K.). Meqë nuk ka gjasa që një shkrimtar i tillë patriotik, si autori i Mbretërve, të linte pa përmendur këtë kthim nëse do të kishte filluar tashmë, duket sikur data kur mbaruan së shkruari librat e Mbretërve do të ishte midis viteve 560 dhe 536 para K.

IV. Sfondi dhe temat

Dy grupet e rëndësishme të përmendura te Libri i Mbretërve janë mbretërit dhe profetët. Gjykimi i kalonte një mbreti, gjykim që rridhte drejtpërdrejt nga bindja apo mosbindja ndaj Zotit. Shërbesa e profetit ishte gjithmonë thirrja e kombit të larguar për te Jehovahu.

O. J. Gibson përmbledh librin si vijon:

Dy vija kronologjike të mbretërve gërshetohen në rrëfim. Izraeli, me dhjetë fiset, quhet ndonjëherë Mbretëria Veriore për shkak të vendit të tij në veri të Jerusalemit. Nga sunduesi i tij i parë, Jeroboami, deri te shkatërrimi dhe robëria nga asirët, ai kaloi vazhdimisht në mosbindje dhe idhujtari para Perëndisë. E ashtuquajtura Mbretëri Jugore e Judës, me qendër Jerusalemin, nuk ishte besnike ndaj Perëndisë, por megjithatë ruajti një fije bindjeje midis pakicës besnike. Periudha më e lavdishme ishte ajo gjatë mbretërisë së Salomonit. Ndërtimi i Tempullit dhe kushtimi i tij tërhoqën më shumë vëmendje se çdo periudhë tjetër, duke treguar rëndësinë e tij në sytë e Perëndisë. Mbretëria e Salomonit, duke u mbyllur me ndarje dhe gjykim, është një paralajmërim solemn i asaj që ndodh kur privilegjet dhe nderi hyjnor keqpërdoren dhe kundërshtohet Fjala e Tij. Vetëm kur çdo lutje hiri ishte shteruar nga mosbindja e vazhdueshme, atëherë Perëndia, jo paganizmi, shkatërroi i pari Mbretërinë Veriore, pastaj atë Jugore [1].

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. DITËT E FUNDIT TË DAVIDIT (1:1-2:11)
A. Përpjekja e Adonijahut për të marrë fronin (1:1-38)
B. Vajosja e Salomonit në Gihon (1:39-53)
C. Detyra përfundimtare e Davidit ndaj Salomonit (2:1-11)
II. MBRETËRIA E ARTË E MBRETIT SALOMON (2:12-11:43)
A. Spastrimi i kundërshtarëve nga Salomoni (2:12-46)
B. Dituria e Salomonit (kapitulli 3)
C. Administratorët e Salomonit (4:1-19)
D. Salomoni në tërë shkëlqimin e tij (4:20-34)
E. Tempulli i Salomonit (kapitujt 5-7)
1. Marrëveshja e Salomonit me mbretin Hiram (kapitulli 5)
2. Përshkrimi dhe ndërtimi i Tempullit (kapitulli 6)
3. Ngritja e ndërtesave të tjera (7:1-12)
4. Pajisjet e Tempullit (7:13-51)
F. Kushtimi i Tempullit (kapitulli 8)
G. Fama e Salomonit (kapitujt 9,10)
1. Besëlidhja e tij me Perëndinë (9:1-9)
2. Dhuratat e tij për Hiramin (9:10-14)
3. Shërbëtorët dhe flijimet e tij (9:15-25)
4. Flota e tij (9:26-28)
5. Vizita nga mbretëresha e Shebës (10:1-13)
6. Pasuritë e tij (10:14-29)
H. Mohimi i besimit dhe vdekja e Salomonit (kapitulli 11)
III. MBRETËRIA E NDARË (kapitulli 12-22)
A. Mbreti Roboam i Judës (12:1-24)
B. Mbreti Jeroboam i Izraelit (12:25-14:20)
1. Qendrat e rreme fetare të Jeroboamit (12:25-33)
2. Jeroboami dhe njeriu i Perëndisë (13:1-32)
3. Priftëria e rreme e Jeroboamit (13:33,34)
4. Vdekja e birit të Jeroboamit (14:1-20)
C. Mbreti Roboam i Judës (vazhdim, 14:21-31)
D. Mbreti Abijam i Judës (15:1-8)
E. Mbreti Asa i Judës (15:9-24)
F. Mbreti Nadab i Izraelit (15:25-27)
G. Mbreti Baasha i Izraelit (15:28-16:7)
H. Mbreti Elah i Izraelit (16:8-14)
I. Mbreti Zimri i Izraelit (16:15-20)
J. Mbreti Tibni i Izraelit (16:21,22)
K. Mbreti Omri i Izraelit (16:23-28)
L. Mbreti Ashab i Izraelit dhe profeti Elia (16:29-22:40)
1. Bijtë e Ashabit (16:29-34)
2. Elia dhe thatësira (17:1-7)
3. Elia dhe vejusha e Sareptas (17:8-24)
4. Sfida e Elias ndaj priftërinjve të Baalit (18:1-19)
5. Fitorja e Elias mbi priftërinjtë e Baalit (18:20-40)
6. Lutja e Elias për shi (18:41-46)
7. Lufta e Elias në Horeb (19:1-18)
8. Takimi i Elias me Eliseun (19:19-21)
9. Fitorja e parë e Ashabit mbi Sirinë (20:1-22)
10. Fitorja e dytë e Ashabit mbi Sirinë (20:23-34)
11. Mosbindja e Ashabit (20:35-43)
12. Krimet e Ashabit kundër Nabothit (kapitulli 21)
13. Beteja e fundit e Ashabit (22:1-40)
M. Mbreti Jozueuafat i Judës (22:41-50)
N. Mbreti Ashaziah i Izraelit (22:51-53)
[1] O. J. Gibson, shënime të pabotuara.[[1]]




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa