Ungjilli sipas Mateut

Në madhështinë e konceptit dhe në autoritetin me të cilin një masë materiali është vënë në varësi të temave të mëdha, asnjë shkrim në cilëndo Dhjatë, që ka të bëjë me një temë historike, nuk është për t’u krahasuar me Mateun.Theodor Zahn

I. Vend i pashembullt në Kanun

Ungjilli i Mateut është ura e përsosur midis Dhjatës së Vjetër dhe asaj të Re. Pikërisht fjalët e para të tij na çojnë prapa te paraardhësi i popullit të DhV të Perëndisë, Abrahami dhe te mbreti i parë i madh i Izraelit, Davidi. Në thekset që ai vë, në shijen e fortë judease, në citimet e tij të shumta nga Shkrimet hebraike dhe në pozicionin e tij në krye të librave të DhR, Mateu është vendi logjik për të filluar mesazhin e krishterë në botë.

Mateu e ka mbajtur gjatë këtë vend të parë në renditjen e katër Ungjijve. Ka qenë kështu ngaqë deri në ditët e kohëve moderne besohej njëzëri se ai ishte Ungjilli që ishte shkruar i pari. Gjithashtu, stili i qartë dhe i rregullt i Mateut e bëri atë më të përshtatshëm për lexim publik. Prandaj ai ishte Ungjilli më popullor, nganjëherë duke konkurruar për atë vend me Gjonin.

Nuk është e nevojshme të besojmë se Mateu ishte Ungjilli i parë i shkruar për të qenë biblik. Megjithatë, të krishterët më të hershëm afërsisht ishin të gjithë me prejardhje judease dhe kishte me mijëra prej tyre. Plotësimi i nevojave të të krishterëve të parë duket mjaft logjik në radhë të parë.

II. Autorësia

Dëshmia e jashtme është e lashtë dhe e njëzëshme në lidhje me faktin se Mateu, tagrambledhësi, i quajtur edhe Levi, shkroi Ungjillin e Parë. Meqenëse ai nuk ishte një anëtar spikatës i grupit apostullor do të ishte e çuditshme që atij t’i kushtohej Ungjilli i Parë nëse në të vërtetë ai s’kishte fare të bënte me të.

Për bri dokumentit të lashtë të njohur me titullin «Didache» (Mësimi i të dymbëdhjetë Apostujve), Justin Martiri, Dionisi i Korintit, Teofili i Antiokisë dhe athinasi Atenagora e citojnë Ungjillin si autentik. Eusebi, historiani i Kishës, citon Papian tek thotë se «Mateu i hartoi Logia-t në gjuhën hebraike dhe secili i interpretonte ato si mundte.» Ireneu, Pantaeni dhe Origjeni pajtoheshin në themel me këtë. «Hebraike» njihet gjerësisht se donte të thoshte dialekti i aramaishtes së përdorur nga hebrenjtë në kohën e Zotit tonë, sikurse është përdorur fjala në DhR. Po çfarë janë «Logia?» Zakonisht kjo fjalë greke do të thotë «orakuj,» sikurse DhV përmban orakujt e Perëndisë. Kjo s’mund të ketë këtë kuptim në pohimin e Papisë. Ekzistojnë tri pikëpamje kryesore mbi pohimin e tij: (1) I referohet Ungjillit të Mateut si të tillë. Kjo do të thotë se Mateu shkroi një botim në aramaisht të Ungjillit të tij veçanërisht për t’i fituar judenjtë për Krishtin dhe për t’i ndërtuar të krishterët hebrenj. Vetëm më vonë u shfaq një botim në greqisht. (2) I referohet vetëm thënieve të Jezusit, që më vonë u përfshinë në Ungjillin e tij. (3) I referohet testimonia-s, d.m.th. citimeve të Shkrimeve të DhV për të treguar se Jezusi është Mesia. Pikëpamjet 1 dhe 2 janë më të mundshme sesa pikëpamja 3.

Greqishtja e Mateut nuk të jep përshtypjen e një përkthimi të thjeshtë. Sidoqoftë, një traditë kaq e përhapur (pa ndonjë mospajtim të hershëm) duhet të jetë e bazuar në fakte. Tradita thotë se Mateu predikoi për pesëmbëdhjetë vjet në Palestinë e pastaj u largua për të ungjillëzuar në vende të huaja. Ka mundësi që rreth vitit 45 mK [mbas Krishtit, ose e.s.], ai të ketë lënë një përpilim të parë të Ungjillit të tij në aramaisht (ose vetëm fjalimet e Krishtit) për Judenjtë që e kishin pranuar Jezusin si Mesian e tyre dhe më vonë të ketë bërë një botim në greqisht për përdorim universal. Diçka e ngjashme ishte bërë nga bashkëkohësi i Mateut, Jozefi. Ky historian judeas bëri një përpilim të parë aramaisht të veprës së tij Luftërat judease dhe pastaj trajtën përfundimtare të librit e bëri në greqisht.

Dëshmia e brendshme e Ungjillit të Parë përputhet mirë me një jude të devotshëm, që e deshi DhV e që kishte dhuntinë e një shkrimtari dhe botuesi të kujdesshëm. Si një shërbëtor civil i Romës, Mateu do të duhej të ishte i aftë si në gjuhën e popullit të tij (aramaisht) ashtu edhe në atë të autoriteteve që sundonin. (Romakët përdornin greqishten e jo latinishten në lindje.) Hollësitë e shumta [me numra], shëmbëlltyrat në lidhje me paranë dhe termat monetare përshtaten të gjitha me një tagrambledhës. Po kështu ndodh edhe me stilin e ngjeshur dhe sistematik. Goodspeed, një studiues jokonservator, pjesërisht e pranoi se autor i këtij Ungjilli është Mateu pikërisht nga kjo dëshmi e brendshme vërtetuese.

Pavarësisht nga një dëshmi e tillë e jashtme universale dhe nga një dëshmi e brendshme miratuese, shumica e studiuesve jokonservator e refuzojnë pikëpamjen tradicionale që thotë se Mateu tagrambledhës e shkroi këtë libër. Ata e bëjnë këtë duke u mbështetur në dy arsye kryesore.

Në radhë të parë, duke supozuar se Marku ishte Ungjilli i parë i shkruar (në shumë qarqe sot mësohet si e vërtetë absolute), si është e mundur që një apostull dhe dëshmitar sypamës të përdorë kaq shumë nga materiali i Markut (93% e Markut ndeshet edhe te Ungjijtë e tjerë)? Për t’iu përgjigjur kësaj, në radhë të parë, nuk është provuar se Marku ka qenë i pari. Dëshmia e lashtë thotë se Mateu ishte i pari. Meqenëse të krishterët e hershëm ishin pothuajse të gjithë judenj, kjo është shumë e arsyeshme. Por edhe në qoftë se ne pranojmë të ashtuquajturën përparësi të Markut (dhe shumë konservatorë e pranojnë këtë), Mateu duhet ta kishte dalluar se vepra e Markut të sjell aq shumë ndër mend nga dinamiku Simon Pjetër, bashkëapostullin e Mateut, sikurse pohon tradita e hershme e Kishës (shih hyrjen te Marku).

Argumenti i dytë kundër faktit se libri vjen nga Mateu (apo ndonjë sypamës) është se atij i mungojnë hollësitë e gjalla. Marku, për të cilin askush nuk pretendon se ishte dëshmitar i shërbesës së Krishtit, ka hollësi të larmishme që të sugjerojnë se ai ishte atje. Si është e mundur që një dëshmitar sypamës të shkruajë në një mënyrë aq faktike? Ndoshta personaliteti i një tagrambledhësi e shpjegon këtë mjaft mirë. Në mënyrë që të kishte vend më shumë për fjalimet e Zoti tonë, Levi mund të ketë shkurtuar hollësi të panevojshme. Do të ishte kështu sidomos nëse Marku shkroi i pari dhe Mateu pa që përjetimet e drejtpërdrejta të Pjetrit ishin paraqitur mirë.

III. Data

Nëse mendimi i përhapur se Mateu bëri një botim të parë në aramaisht të Ungjillit të tij (ose të thënieve të Jezusit) është i vërtetë, një datë për të e vitit 45 mK, 15 vjet mbas Ngritjes, do të përputhej me traditën e lashtë. Ai duhet ta ketë nxjerrë Ungjillin e plotë kanunor në gjuhën greke në vitet 50 ose 55 ose edhe më vonë.

Pikëpamja se Ungjilli duhet të jetë shkruar mbas shkatërrimit të Jeruzalemit (70 mK) qëndron në masë të gjerë në mosbesimin tek aftësia e Krishtit për ta parathënë atë ngjarje të ardhshme në hollësi si dhe në teori të tjera racionaliste që shpërfillin ose mohojnë frymëzimin hyjnor.

IV. Sfondi dhe tema

Mateu ishte i ri kur e thirri Jezusi. I lindur jude dhe me kualifikimin dhe praktikën e tagrambledhësit, ai braktisi gjithçka për të ndjekur Krishtin. Një nga shpërblimet e tij të shumta ishte fakti që ai u bë njëri prej dymbëdhjetë apostujve. Një tjetër shpërblim ishte fakti që ai u zgjodh të ishte shkrimtari i atij që ne njohim si Ungjill të Parë. Në përgjithësi besohet se Mateu ishte vetë Levi (Marku 2:14; Luka 5:27).

Në Ungjillin e tij, Mateu përpiqet të tregojë se Jezusi është i shumëprituri Mesi i Izraelit, i vetmi Pretendues i ligjshëm te froni i Davidit.

Libri nuk deklaron të jetë një tregim i plotë i jetës së Krishtit. Ai fillon me gjenealogjinë dhe me vitet e hershme të Tij e pastaj hidhet në fillim të shërbesës së Tij publike kur ai ishte rreth tridhjetë vjeç. I udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, Mateu përzgjedh ato aspekte të jetës dhe të shërbesës së Shpëtimtarit që dëshmojnë se Ai është i Vajosuri i Perëndisë (se është çfarë do të thotë Mesia dhe Krisht). Libri lëviz drejt një kulmi: gjyqi, vdekja, varrosja, ringjallja dhe ngjitja e Zotit Jezus. Dhe në atë kulm sigurisht, është hedhur themeli për shpëtimin e njeriut. Kjo është arsyeja se pse libri është quajtur një ungjill; jo dhe aq sepse ai paraqet rrugën përmes së cilës njerëzit mëkatarë mund të marrin shpëtimin, por më tepër ngaqë ai përshkruan veprën flijuese të Krishtit përmes së cilës u bë i mundur shpëtimi.

Nuk është menduar që Komentari i Biblës për Besimtarët të jetë shterues apo teknik, por që më tepër të nxisë studimin dhe meditimin e pavarur. Mbi të gjitha është synuar që ai të krijojë në zemrën e lexuesit një dëshirë të fortë për kthimin e Mbretit.

Kështu, unë, në zemër edhe më shumë përvëlues,
Kështu, me një shpresë edhe më të ëmbël,
Rënkoj për atë orë të kthimit Tënd, o Krisht,
Fikem për flakën e ardhjen e këmbëve të Tua.
– nga St Paul, prej F. W. H. Myers

PËRMBLEDHJE

I. GJENEALOGJIA DHE LINDJA E MESIAS MBRET (Kapitulli 1)
II. VITET E HERSHME TË MESIAS MBRET (Kapitulli 2)
III. PËRGATITJET PER SHËRBESËN E MESIAS DHE PËRURIMIN E TIJ (Kapitujt 3, 4)
IV. KUSHTETUTA E MBRETËRISË (Kapitujt 5-7)
V. MREKULLITË ME FUQI DHE HIR TË MESIAS DHE REAGIMET E NDRYSHME NDAJ TYRE (Kapitujt 8:1-9:34)
VI. APOSTUJT E MESIAS MBRET DËRGOHEN NË IZRAEL (Kapitujt 9:35-10:42)
VII. KUNDËRVËNIE DHE REFUZIM NË RRITJE (Kapitujt 11, 12)
VIII. MBRETI SHPALL NJË TRAJTË TË RE TË PËRKOHSHME TË MBRETËRISË NË SAJË TË REFUZIMIT TË BËRË NGA IZRAELI (Kapitulli 13)
IX. HIRI I PAEPUR I MESIAS NDESH KUNDËRVËNIEN NË RRITJE (Kapitujt 14:1-16:12)
X. MBRETI PËRGATIT DISHEPUJT E TIJ (Kapitujt 16:13-17:27)
XI. MBRETI UDHËZON DISHEPUJT E TIJ (Kapitujt 18-20)
XII. PARAQITJA DHE REFUZIMI I MBRETIT (Kapitujt 21-23)
XIII. FJALIMI I MBRETIT NË MALIN E ULLINJVE (Kapitujt 24, 25)
XIV. MUNDIMET DHE VDEKJA E MBRETIT (Kapitujt 26, 27)
XV. NGADHENJIMI I MBRETIT (Kapitulli 28)