Zbulesa e Jezu Krishtit

Lavdia duhet të mbushë zemrat tona kur lexojmë fjalët e kësaj profecie dhe kujtojmë hirin që na shpëtoi nga të gjitha gjërat që po vijnë mbi këtë epokë. Një bekim tjetër është siguria e fitores përfundimtare dhe një vend në parajsë.Arno C. Gaebelein

I. Vendi unik në Kanun

Vendi i përveçëm i librit të fundit të Biblës duket nga fjala e parë “Zbulesa”, ose në origjinal Apokalupsis. Kjo fjalë që do të thotë “të zbulojë” është origjina e fjalës “apokaliptik”, një lloj shkrimi që gjendet te Danieli, Ezekieli dhe Zakaria në DhV, por vetëm këtu në DhR. Kjo i referohet vizioneve profetike të së ardhmes që përdorin simbole, figura dhe stile të tjera të letërsisë.

Zbulesa jo vetëm që i referohet së ardhmes kur të gjitha gjërat do të plotësohen me triumfin përfundimtar të Perëndisë dhe të Qengjit, por edhe i lidh në mënyrë të mrekullueshme të 65 librat e tjerë të Biblës. Në fakt, Zbulesa kuptohet më mirë kur dimë mirë gjithë Biblën. Personat, simbolet, ngjarjet, numrat, ngjyrat etj. pothuajse janë shfaqur më parë (në 65 librat e tjerë) në Fjalën e Perëndisë. Disa njerëz e kanë quajtur Zbulesën “stacioni qendror i madh i trenit”, sepse të gjithë “trenat” vijnë këtu te Zbulesa. Cilat trena? Trenat që filluan te Zanafilla dhe librat e tjerë, p.sh. konceptet e faljes nëpërmjet gjakut, kombi i Izraelit, kombet pagane, Kisha, Satani (armiku i njerëzve të Perëndisë), Antikrishti dhe shumë më tepër se kaq.

Apokalipsi (që nga shekulli i katërt u quajt gabimisht “Zbulesa e shenjtorit Gjon që është hyjnor”, por që në realitet është “Zbulesa e Jezu Krishtit”, Zbulesa 1:1) është kulmi i domosdoshëm i Biblës. Ky na tregon si do të përfundojë gjithçka. Edhe një lexim sipërfaqësor duhet t’u japë jobesimtarëve një paralajmërim të rreptë që të pendohen dhe besimtarëve një nxitje për këmbëngulje!

II. Autorësia

Vetë libri tregon që autori është Gjoni (Zbulesa 1:1,4,9; 22:8), që e shkruan këtë libër nga urdhri i Zotit të tij, Jezus Krisht.

Prova e jashtme, e lashtë dhe e fortë përkrah këtë pikëpamje që ky Gjon është apostulli Gjon, biri i Zebedeut, që punoi për shumë vjet në Efes (në Azinë ku ndodheshin të gjitha kishat e Zbulesës 2 dhe 3). Domitiani e dënoi dhe e çoi në ishullin e Patmosit. Atje Gjoni shkroi vizionet që Zoti ynë i dha. Më vonë ai u kthye në Efes ku vdiq në moshë të thyer. Justin Martiri, Ireneusi, Tertuli, Hipolitusi, Klementi i Aleksandrisë dhe Origeni, të gjithë thonë që e shkroi Gjoni. Në kohën e fundit një libër me emër “Apokrifoni i Gjonit” (afërsisht 150 mK) u gjet në Egjipt, i cili ia lidh veçanërisht Zbulesën Gjonit, vëllait të Jakobit.

Kundërvënia e parë për autorësinë e Gjonit doli nga Dionisiusi i Aleksandrisë. Ai nuk e pranoi autorësinë e Gjonit sepse ai nuk ishte dakord me doktrinën që Krishti do të mbretërojë për një mijë vjet (Zbulesa 20:1-15). Argumentet e tij të paqarta dhe jobindëse, që Gjon Marku ose Gjoni, peshkopi, të kenë qenë autorë të mundshëm nuk e mundin provën e fortë, megjithëse shumë mësues “modernë” (liberalë) e mohojnë autorësinë e apostullit Gjon. S’ka provë gjatë historisë së kishës që të ketë ekzistuar një njeri me emrin “Gjon, peshkopi”, përveçse autori i Letrës së Dytë dhe të Tretë të Gjonit. Këto letra kanë të njëjtin stil si Letra e Parë e Gjonit dhe ndërthuren shumë mirë me ungjillin e Gjonit nga thjeshtësia dhe fjalori.

Ndërsa prova e jashtme e mësipërme është shumë e fortë, prova e brendshme nuk është edhe aq e qartë. Fjalori (nga stili greko-semitik dhe radhitja e fjalëve) bind shumë njerëz që njeriu që shkroi Zbulesën nuk mund të ketë qenë i njëjti njeri që shkroi ungjillin e Gjonit.

Sidoqoftë, këto ndryshime mund të shpjegohen dhe nga ana tjetër ka shumë ngjashmëri midis librave në fjalë.

Disa, p.sh., pranojnë një datë të hershme (në 50 ose 60 mK) për Zbulesën (gjatë mbretërimit të Klaudit dhe Neronit), me idenë që Gjoni e shkroi ungjillin më vonë, kur ai e kishte zotëruar gjuhën greke. Sidoqoftë, kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Ka mundësi që Gjoni të ketë pasur ndihmën e një shkrimtari [shih Rom. 16:22 për të dhënë një shembull] për ungjillin e tij, por ishte i vetëm në ishullin e Patmosit. Doktrina e frymëzimit ruhet në secilin rast, meqë Perëndia përdor stilin e autorit, jo një stil të përgjithshëm për të gjithë librat biblikë.

Temat e përgjithshme të dritës dhe natës janë gjetur në të dy librat. Fjalët si “Qengj”, “të fitosh ose të mundesh”, “fjalë”, “e vërtetë”, “ujëra të gjalla”, dhe të tjera lidhin bashkë të dy librat. Edhe Gjoni 19:37 dhe Zbulesa 1:7 citojnë nga Zakaria 12:10, duke mos përdorur fjalën për “i tejshpuar” siç gjendet në Septuagintën, por një fjalë tjetër që përkthehet si “i tejshpuar”. [1]

Një arsye tjetër për ndryshimet mes Ungjillit dhe Zbulesës në fjalorin dhe stilin është tipat e literaturës që përfaqësojnë të dyja. Edhe frazat hebraike te Zbulesa rrjedhin nga përdorimi i shpeshtë në DhV.

Si përfundim, pikëpamja tradicionale që Zbulesën e shkroi apostulli Gjon, i biri i Zebedeut dhe vëllai i Jakobit, ka një themel të fortë historik. Problemet shpjegohen pa hedhur poshtë këtë autorësi.

III. Data

Një datë e hershme për Zbulesën që parapëlqehet nga disa është (50-70 mK). Siç u shpjegua, arsyeja e kësaj ishte për të përligjur stilin e gjuhës së Zbulesës që nuk ishte aq i zhvilluar sa stili i Ungjillit sipas Gjonit. Disa besojnë që numri “666” (Zbulesa 13:18) ishte një profeci për Neronin [2], i cili (siç besonin disa) do të ringjallej prej së vdekurish. Kjo do të sugjeronte një datë të hershme. Fakti që kjo nuk ndodhi nuk ndikoi për keqpranimin e librit. Ndoshta kjo sugjeron që libri u shkrua shumë më vonë se koha e Neronit!

Sidoqoftë, shumë besimtarë të hershëm me emër, në mënyrë të veçantë, tregojnë që ishte fundi i mbretërimit të Domitianit (afërsisht 96 mK), kur Gjoni ishte në Patmos duke marrë zbulesën. Meqë kjo ishte pikëpamja e hershme, e arsyeshme dhe e pranuar në botën krishtere, ka çdo arsye të pranohet.

IV. Sfondi dhe Temat

Një çelës i thjeshtë për të hapur librin e Zbulesës është të kuptosh që libri ndahet në tri pjesë kryesore. Kapitulli i 1-rë përshkruan vizionin ku Gjoni pa Krishtin, të veshur si një gjykatës dhe duke qëndruar në mesin e shtatë kishave. Kapitujt 2 dhe 3 kanë të bëjnë me epokën e kishës në të cilën jetojmë tani. Kapitujt 4 deri te 22 merren me ngjarjet që ndodhin në të ardhmen, pas mbarimit të epokës së kishës. Ne e ndajmë librin kështu:

  1. Gjërat që Gjoni pa, d.m.th. vizioni i Krishtit si Gjykatësi i kishave (Kap. 1).
  2. Gjërat që janë, d.m.th. një përmbledhje e epokës së kishës që nga vdekja e apostujve deri te koha kur Krishti do t’i rrëmbejë shenjtorët e Tij në parajsë (Kap. 2 dhe 3).
  3. Gjërat që do të ndodhin pas atyre, d.m.th., një përmbledhje e ngjarjeve të ardhshme që nga Rrëmbimi i kishës deri te përjetësia (Kap. 4-22). Një mënyrë e thjeshtë për të mbajtur mend detajet nga kjo ndarje është si vijon:

a) Kapitujt 4 deri 19 përshkruajnë Mundimin, një periudhë prej 7 vitesh në të cilën Perëndia do të gjykojë kombin e Izraelit për mosbesimin, por edhe do të gjykojë johebrenjtë që nuk janë besimtarë. Këto gjykime janë përshkruar me këto simbole: 1) 7 vulat; 2) 7 boritë; 3) 7 kupat.

b) Kapituj 20-22 kanë të bëjnë me ardhjen e dytë të Krishtit, mbretërimin e Tij mbi tokë, gjykimin përfundimtar që kryhet përpara fronit të bardhë të madh, dhe në fund çfarë ndodh në përjetësi.

Në periudhën e Mundimit, vula e shtatë përmban shtatë boritë, dhe boria e shtatë përmban shtatë kupat. Atëherë, periudha e Mundimit mund të përshkruhet kështu:

VULAT
1 2 3 4 5 6 7
                BORITË
                1 2 3 4 5 6 7
                                 KUPAT
                                 1 2 3 4 5 6 7

V. Parantezat te Zbulesa

Përmbledhja e mësipërme i jep lexuesit rrjedhën kryesore të mësimeve dhe ngjarjeve të librit. Sidoqoftë, duke e lexuar, lexuesi do të kuptojë shpejt që ka ndërprerje të shpeshta që paraqesin personalitete dhe ngjarje të ndryshme dhe të mëdha të librit. Këto quhen “paranteza” që ndodhin gjatë leximit. Disa paranteza janë:

  1. Izraelitët besnikë (144.000) dhe të vulosur (Zbulesa 7:1-8);
  2. Besimtarët johebrenj në këtë periudhë (Zbulesa 7:9-17);
  3. Engjëlli i fuqishëm me librin e vogël (Zbulesa 10:1-11);
  4. Dy dëshmitarët (Zbulesa 11:3-12);
  5. Izraeli dhe dragoi (Zbulesa 12:1-17);
  6. Dy bishat (Zbulesa 13:1-18);
  7. Krishti dhe 144.000 të çliruarit mbi malin e Sionit (Zbulesa 14:1-5);
  8. Engjëlli me ungjillin e përjetshëm (Zbulesa 14:6-7);
  9. Paralajmërimi i rënies së Babilonisë (Zbulesa 14:8);
  10. Paralajmërimi për ata që adhurojnë bishën (Zbulesa 14:9-12);
  11. Shkatërrimi i Babilonisë (Zbulesa 17:1 deri Zbulesa 19:3).

VI. Simbolet në libër

Shumë simbole janë përdorur në libër. Numra, ngjyra, minerale, gurë të çmuar, bisha, yje dhe shandanë janë përdorur për të përfaqësuar njerëz, gjëra ose të vërteta.

Fatmirësisht disa simbole janë përshkruar qartazi vetë te Zbulesa. Për shembull, 7 yjet janë engjëjt e 7 kishave (Zbulesa 1:20); dragoi i madh është djalli ose Satani (Zbulesa 12:9). Çelësat për zgjidhjen e domethënies së simboleve të tjera janë gjetur në vende të ndryshme në Bibël. Katër qeniet e gjalla (Zbulesa 4:6) janë njëlloj me katër qeniet tek Ezekieli 1:5-14. Tek Ezekieli 10:20 ato janë njëjtësuar si kerubinët. Leopardi, ariu dhe luani (Zbulesa 13:2) na kujtojnë për Dan. 7:1-28 ku këto kafsha të egra u referohen perandorive botërore, përkatësisht të Greqisë, Persisë dhe Babilonisë. Disa simbole të tjera nuk janë përshkruar qartazi në Shkrimet, që do të thotë se duhet të kemi kujdes me interpretimin.

VII. Theksi i librit

Duke studiuar Zbulesën, si dhe në të gjithë Biblën, ne duhet të kemi parasysh vazhdimisht dallimin midis Izraelit dhe Kishës. Kisha është populli qiellor, i bekuar me bekimet frymërore dhe i thirrur për të ndarë lavdinë e Krishtit bashkë me Të si Nusja e Tij. Kurse Izraeli është populli tokësor i lashtë i Perëndisë, të cilit Perëndia i premtoi tokën e Izraelit dhe mbretërimin tokësor nën sundimin e Mesias. Kisha e vërtetë është përmendur në kapitujt 1-3, por nuk duket përsëri derisa të ndodhë Dasma e Qengjit (Zbulesa 19:6-10). Periudha e Mundimit (Zbulesa 4:1-19:5) merret kryesisht me Izraelin.

Përpara se të mbarojmë këtë parathënie, duhet të themi që jo të gjithë të krishterët e interpretojnë Zbulesën siç ne e interpretojmë. Disa mendojnë që profecitë e librit u përmbushën në fillim të historisë së kishës. Disa të tjerë mendojnë që Zbulesa jep një pamje të vazhdueshme të epokës së kishës që nga ditët e Gjonit deri te fundi i saj.

Për të gjithë bijtë e Perëndisë libri mëson që njeriu është i pamend kur jeton për gjërat të cilat së shpejti do të shkatërrohen. Libri na nxit që të flasim me ata që shkojnë në humbje dhe na jep zemër që të presim me durim ardhjen e Zotit. Për jobesimtarët libri është një paralajmërim solemn për fatin e tmerrshëm që i pret të gjithë ata të cilët nuk e pranojnë Shpëtimtarin.

PËRMBLEDHJE E PËRGJITHSHME

I. GJËRAT QË GJONI PA ( Zbulesa 1)
   A. Titulli dhe përshëndetja (1:1-8)
   B. Vizioni i Krishtit në rrobat gjyqësore (1:9-20)
II. GJËRAT QË JANË: LETRAT NGA ZOTI YNË ( Zbulesa 2-3)
   A. Efesit (2:1-7)
   B. Smirnës (2:8-11)
   C. Pergamit (2:12-17)
   D. Tiatirës (2:18-29)
   E. Sardës (3:1-6)
   F. Filadelfisë (3:7-13)
   G. Laodicesë (3:14-22)
III. GJËRAT QË DO TË NDODHIN PËR SË SHPEJTI ( Zbulesa 4-22)
   A. Vizioni i fronit të Perëndisë (Kap. 4)
   B. Qengji dhe libri i vulosur me shtatë vulat (Kap. 5)
   C. Hapja e gjashtë vulave (Kap. 6)
   D. Të shpëtuarit nga Mundimi i Madh (Kap. 7)
   E. Vula e shtatë dhe fillimi i shtatë borive (Kap. 8-9)
   F. Engjëlli i fuqishëm dhe libri i vogël (Kap. 10)
   G. Dy dëshmitarët (11:1-14)
   H. Boria e shtatë (11:15-19)
   I. Persona të rëndësishëm nga Mundimi i Madh (Kap. 12-15)
   J. Gjykimet nga shtatë kupat (Kap. 16)
   K. Rënia e Babilonisë së madhe (Kap. 17-18)
   L. Ardhja e Krishtit dhe mbretërimi i Tij (19:1-20:9)
   M. Gjykimi i Satanit dhe i gjithë jobesimtarëve (20:10-15)
   N. Qielli i ri dhe dheu i ri (21:1-22:5)
   O. Paralajmërime të fundit, ngushëllime, ftesa dhe bekime (22:6-21)

[1] Folja e përdorur në Ungjill dhe në Zbulesë është ekkentesan; në Septuagintën e Zakarias forma është katorchesanto.[[1]]

[2] Në hebraisht dhe në greqisht shkronjat e alfabetit kanë vlera numerike. Për shembull, alef dhe alfa janë 1, beth dhe beta janë 2 etj. Kështu për çdo emër mund të bëhen llogaritë. Emri grek për Jezusin (Iesous), mjaft interesante, arrin në 888 (numri tetë është numri i fillimit të ri dhe ringjalljes). Besohet se shkronjat e emrit të Bishës do të arrijnë vërtet 666. Duke e përshtatur pak shkrimin, “Nero Caesar” mund të arrijnë në 666, duke përdorur këtë sistem. Megjithatë, edhe emra të tjerë arrijnë në 666, dhe ne duhet të shmangin arsyetime të çmendura.[[2]]


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa