Të krishterët—Kush jemi dhe çfarë besojmë?

Besimet bazë të krishterimit përmblidhen në 1 Korintasve 15:1-4. Jezusi vdiq për mëkatet tona, u varros, u ringjall dhe si rrjedhim i ofron shpëtim të gjithë atyre që e pranojnë Atë me besim. Krishterimi, duke qenë unik midis të gjitha besimeve të tjera, ka të bëjë më tepër me një marrëdhënie se me praktika fetare. Qëllimi i të krishterit, në vend që të ndjekë një listë të gjërave “për të bërë” ose “për të mos bërë”, është të kultivojë një ecje të ngushtë me Perëndinë. Kjo marrëdhënie mundësohet në sajë të veprës së Jezus Krishtit dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë.

Përtej këtyre besimeve bazë, ka edhe shumë çështje të tjera që janë, ose të paktën duhet të jenë, tregues të asaj se çfarë është krishterimi dhe se çfarë beson krishterimi. Të krishterët besojnë që Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe që mësimet e saj janë autoriteti final për të gjitha çështjet e besimit dhe të praktikës (2 Timoteut 3:16; 2 Pjetrit 1:20-21). Të krishterët besojnë në një Perëndi që ekziston në tre persona—Ati, Biri (Jezus Krishti) dhe Fryma e Shenjtë.

Të krishterët besojnë që krishterimi u krijua për të patur një marrëdhënie me Perëndinë, por mëkati i ndan të gjithë njerëzit nga Perëndia (Romakëve 3:23; 5:12). Krishterimi mëson që Jezus Krishti eci mbi këtë tokë, plotësisht Perëndi dhe njëherësh plotësisht njeri (Filipianëve 2:6-11) dhe që Ai vdiq mbi një kryq. Të krishterët besojnë se mbas vdekjes së Tij, Krishti u varros, Ai u ngrit sërish dhe tani jeton në të djathtën e Atit, duke ndërmjetësuar përgjithmonë për besimtarët (Hebrenjve 7:25). Krishterimi shpall që vdekja e Jezusit mbi kryqin ishte e mjaftueshme për të paguar plotësisht borxhin e mëkatit që ka tërë njerëzimi dhe është pikërisht kjo që e restauron marrëdhënien e thyer midis Perëndisë dhe njeriut (Hebrenjve 9:11-14; 10:10; Romakëve 5:8; 6:23).

Krishterimi mëson se për t’u shpëtuar dhe që të të jepet hyrja në qiell mbas vdekjes, duhet të vendoset besimi në Zotin Jezus Krisht. Nuk ka asgjë që dikush mund të bëjë për të fituar shpëtimin personal. Për sa i përket kësaj, ne nuk mund të jemi “të mirë mjaftueshëm” për t’i pëlqyer Perëndisë prej vetes, sepse jemi të gjithë mëkatarë. Në lidhje me shpëtimin personal nuk ka asgjë më shumë për t’u bërë, duke qenë se Krishti e ka bërë të gjithë punën! Kur ishte mbi kryqin, Jezusi tha: “U krye!” (Gjoni 19:30), duke kuptuar që vepra e shpengimit ishte kryer.

Sipas krishterimit, shpëtimi është liri nga natyra e vjetër e mëkatit dhe liri për të ndjekur një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Ne ishim dikur skllevër të mëkatit, tani ne jemi skllevër të Krishtit (Romakëve 6:15-22). Për aq kohë që besimtarët jetojnë mbi këtë tokë në trupat e tyre të mëkatshëm, ata do të përfshihen në një luftë të vazhdueshme me mëkatin. Megjithëkëtë, të krishterët mund të kenë fitore në betejat e tyre me mëkatin duke studiuar dhe zbatuar Fjalën e Perëndisë në jetët e tyre dhe duke qenë të kontrolluar nga Fryma e Shenjtë—pra, duke iu nënshtruar udhëheqjes së Frymës së Shenjtë në rrethanat e jetës së përditshme.

Pra, ndërsa shumë sisteme fetare kërkojnë që dikush të bëjë ose të mos bëjë disa gjëra, krishterimi ka të bëjë me besimin që Krishti vdiq mbi kryqin si pagesë për mëkatet tona dhe Ai u ngrit sërish. Borxhi i mëkatit tonë është paguar dhe ne mund të kemi përbashkësi me Perëndinë. Ne mund të kemi fitore mbi natyrën tonë të mëkatit dhe të ecim në përbashkësi dhe bindje me Perëndinë. Ky është krishterimi i vërtetë biblik.