Islami dhe Ungjilli

[no_toc]

THEB Prill 1999

Islami dhe Ungjilli

islami-dhe-ungjilli-cover

Perdja Islamike që ndan vendet myslimane nga pjesa tjetër e botës është po aq e padepërtueshme sa ka qenë ndonjëherë Perdja e Hekurt, po kush dëgjon ndonjë fjalë për këtë nga media? Në Arabinë Saudite, për shembull, për të cilën amerikanët dhanë jetën për ta mbrojtur, gjendet një errësim i plotë mbi çdo gjë të krishterë; njëri nuk mund të mbajë një Bibël nëpër rrugë apo madje të zhvillojë një studim biblik në shtëpinë e tij private. Madje edhe në ambasadën tonë, mbi të cilën valëvitet flamuri amerikan, shërbesat e kishave të krishtera janë të ndaluara. Zyrtarisht është dënimi me vdekje në Arabinë Saudite dhe në disa vende të tjera myslimane (dhe e detyruar jozyrtarisht kudo gjetkë) që një mysliman të kthehet a të konvertohet në një fe tjetër.

Vetëm myslimanët mund të jenë qytetarë të Arabisë Saudite. Madje edhe në ato vende arabe ku sheriati (ligji islamik) nuk është i detyruar nga qeveria, ndikimi i islamit e pengon lirinë e fjalës, të shtypit, të fesë dhe të ndërgjegjes. Në territoret e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), arabët e krishterë, të cilët dikur kishin liri nën sundimin e Izraelit, tani vuajnë persekutim, burgim dhe vdekje për besimin e tyre. Dhe, prapë, as OKB-ja as vet qeveria jonë nuk e kundërshton një tirani të tillë prapa perdes islamike.

Myslimanët ngrenë xhami dhe adhurojnë lirisht në perëndim, por në vet vendet e tyre ata ua mohojnë të tjerëve të tilla liri. Në vend që të raportohet kjo hipokrizi, media e botës e mban atë të fshehur. Një autor nga Lindja e Mesme shkruan:

Islami është […] më tepër antagonist [armiqësor] ndaj besimit të krishterë se çka qenë ndonjëherë komunizmi…. Sot në Kinën komuniste, krishterimi prapë lulëzon. Por rrëfimi i Krishtit nga një qytetar në një vend islamik konsiderohet si tradhti e lartë…. Madje edhe një Kishë zyrtare që një qeveri komuniste do ta lejonte, nuk është e lejuar […] në një vend islamik. (G.J.O. Moshay, Kush është ky Allahu? Dorchester, 1994, fq. 111)

Islami u përhap me të madhe nën sundimin e Muhamedit dhe pasuesve të tij përmes xhihadit (“luftë e shenjtë”). Vetë Muhamedi planifikoi 65 ekspedita ushtarake dhe udhëhoqi 27, përfshirë këtu tradhti dhe sulm të hapur. Ky “ungjillëzim” i pabesueshëm bëri “të konvertuar” me miliona me anë të shpatës. Në kulmin e tij, islami kishte pushtuar të gjithë Afrikën e Veriut dhe pothuajse mori pushtetin e Evropës.

Islami vazhdon pushtimin e tij në mbarë botën. Pushtuesit në ditët e sotme janë miliona emigrantë të cilët i kthejnë njerëzit në fenë islame nëpërmjet shtrembërimit. Dikush shikon në TV gra të veshura sipas modës të cilat thonë se janë kthyer në fenë islame dhe që dëshmojnë për gëzimet dhe rrugët e tij paqedashëse. Sidoqoftë në një vend mysliman atyre u duhet të mbulohen me vel ku duken vetëm sytë, u duhet të veshin mantele të gjata e të zeza, nuk mund të ngasin një makinë, mund të jenë një nga bashkëshortet që zakonisht keqtrajtohen nga burrat e tyre, të divorcohet nga denoncimi i tij publik, skllave të vërteta nën sundimin e sheriatit. Mjaft për t’u çuditur, Hillari Klinton, Organizata Kombëtare e Grave (NOW) dhe të tjerë mbrojtës të shquar për të drejtat e grave janë të heshtur ndaj abuzimit famëkeq të islamit për gratë.

Qëllimi i islamit

Qëllimi i sinqertë i islamit, i treguar në Kuran (u konsultuan tri versione) dhe në hadithet (traditat e shkruara islamike), mbetet po ai: që ta sjellë gjithë njerëzimin në nënshtrim (ky është edhe kuptimi i fjalës “islam”) dhe të vrasë ose robërojë të gjithë “idhujtarët” (d.m.th., jobesimtarët në Allahun dhe Muhamedin profetin e tij – Sura 2:190-92; 4:76; 5:33; 9:5, 29, 41; 47:4 etj.). Islami (në bindje të Kuranit dhe shembullit të Muhamedit) është forca lëvizëse mbrapa shumicës së terrorizmit sot. Muhamedi shpalli: “Ora e fundit nuk do të vijë përpara se myslimanët të luftojnë me judenjtë dhe myslimanët t’i vrasin ata”.

Perëndimorët me çiltërsi e pranojnë Allahun, që frymëzoi Muhamedin, si Perëndinë e Biblës. Sidoqoftë Allahu s’ka bir dhe mohon Trininë (4:171), është i pakuptueshëm dhe ishte idhulli/perëndia pagane e fisit të Muhamedit përpara se ai të ishte lindur. Allahu u thotë myslimanëve, “Mos zini miq as judenjtë as të krishterët […] luftoni idhujtarët [të pafetë] kudo që t’i gjeni…. Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër” (5:51; 9:5, 29, 41). Por Perëndia trini i Biblës dëshiron që njerëzit ta njohin Atë (Jer. 9:24), një njohuri që është e nevojshme për shpëtimin (Gjoni 17:3). Judenjtë janë “populli i Tij i zgjedhur” (Eksodi 6:7; Lev. 20:26 dhe 1 i Kronikave 16:13; Psa. 105:6 ejt.) dhe të krishterët janë fëmijët e Tij shumë të dashur (Rom. 8:16,21; Gal.3:26; Efesianeve 1:5;5:1 etj.).

Në vend të konvertimit [kthim në fe tjetër] me forcë, Krishti tha se dishepujt [ndjekësit] e Tij nuk luftuan pasi mbretëria e Tij nuk ishte e kësaj bote (Gjoni 18:36). Dhe vërtet, Ai u tha dishepujve të Vet: “Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mt. 5:44).

Krishti e dha jetën e Tij për të shpëtuar mëkatarët dhe ndjekësit e Tij duhet të jenë të gatshëm të japin jetët e tyre për ta çuar këtë lajm të mirë nëpër botë. Shpëtimi biblik është një dhuratë falas e paguar me anë të vdekjes së Krishtit, që tha: “Shkoni, pra, në mbarë botën dhe predikojini ungjillin çdo krijese” (Mr. 16:15). Ky urdhërim përfshin edhe një bilionë myslimanët e sotëm. Ata paraqesin një sfidë të frikshme (dhe të pashmangshme) ndaj çdo të krishteri. Por si mund t’jua çojmë ne ungjillin atyre që mund të vriten për të besuarit në të, ose që mund të na vrasin neve që jua ofrojmë atë atyre?

Përpjekjet për të ungjillëzuar myslimanët kanë patur pak sukses për arsye të qarta. Megjithatë, kohët e fundit ka qenë duke u pranuar një mënyrë e re dhe me nga sa thuhet më e frytshme: përdorimi i shkrimeve myslimane për të paraqitur Krishtin. Në këtë drejtim, disa ish-myslimanë kanë shkruar ca material të dobishëm.

Hadithet dëshmojnë për lindjen prej virgjëreshe, jetën e pamëkatë dhe mrekullitë e Krishtit, i cili quhet “Fjala e Allahut”. Disa pjesë të Kuranit, gjithashtu, flasin me konsideratë të lartë për Krishtin: që Ai u lind nga Maria kur kjo e fundit ishte e virgjër (Sura 3:45-47; 21:91 etj.); Ai është shembulli më i lartë (43:57); dhe që vetëm Ai është quajtur “Isa,” që do të thotë Shpëtimtar (3:45). Ndonëse Muhamedi nuk ishte në gjendje të kryente mrekulli (17:90-96; 29:50-52 etj.), Krishti kreu (2:252-53; 3:49); dhe ndryshe nga të tjerët si Moisiu i cili bëri mrekulli ndaj urdhrit të Perëndisë, Jezusi bëri mrekulli nga vet iniciativa [nisma] e Tij (26:63 etj.), Madje edhe të ngjallë të vdekurit (3:49; 5:110; 36:78, 79 etj.). Për më tepër, Kurani thotë se Muhamedi ishte një mëkatar (9:43; 40:55; 47:19; 48:2 etj.), por Jezusi ishte i pamëkatë (19:17-19).

Megjithatë, pavarësisht nga nderi dhe respekti i akorduar [i dhënë] Jezusit, Jezusi i islamit nuk është Jezusi i Biblës por “një Jezus tjetër” (2 e Korintasve 11:4) — prandaj kini kujdes.

Traditat e islamit

Megjithëse në pjesët e tij të para Kurani të paktën nderon pjesë të Biblës si “Libri” dhe judenjtë dhe të krishterët bashkë si “njerëzit e Librit”, ai shpesh e hedh poshtë Biblën: Ai mohon se Jezusi është Perëndi (3:59, 62; 4:171) dhe se Ai vdiq mbi kryqin (4:157-58; 5:116-20) për mëkatet tona. Traditat e hershme thonin se me kërkesën e Krishtit një dishepull i ngjashëm me Të e çliroi Atë nga kryqi duke vdekur në vend të Tij. Megjithatë, pjesë të tjera duket se shpallin se Krishti me të vërtetë vdiq (3:33, 55; 5:117; 19:33) dhe shumë studiues islamikë zgjedhin këtë pikëpamje sot. Kurani mohon se dikush mund të vdesë për një tjetër (17:13-15; 35:18). Në të vërtetë, ai thotë se “asnjë shpirt i ngarkuar” [d.m.th., mëkatar] nuk do ta bartë barrën [mëkatin] e tjetrit”. Përderisa Jezusi ishte pa mëkat, Ai duhet të jetë një përjashtim.

Që mëkatari të falet në mënyrë të drejtë, vetë Perëndia duhet të paguajë dënimin e kërkuar nga drejtësia e Tij; por ky koncept është i huaj për islamin. Kurani përmban paqartësi: “Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije e pastaj shpejt pendohen tek Allahu…. Vërtet! Allahu fal […] atij që dëshiron…” (4:17, 106, 110, 116). Nuk janë shpjeguar as “mosdija” as “shpejt”, as pse Allahu fal disa dhe jo të tjerët. As nuk garanton pendimi falje.

Ajatollah Khomeini tha: “Edhe nëse Salman Rushdie (autori i Vargjeve Satanike) pendohet dhe bëhet njeriu më fetar i të gjitha kohëve, është detyra e çdo myslimani për të përdorur gjithçka që ai ka, jetën e tij dhe pasurinë e tij, për ta dërguar atë në ferr”. Nga ana tjetër, Bibla u ofron falje të gjithëve. Madje Krishti vdiq për të shpenguar ata të cilët e urryen Atë dhe i kërkoi Atit të Tij që t’i falte ata të cilët e kryqëzuan Atë (Lu. 23:34).

S’ka pendim të mundshëm

Në jetën reale, falja e Allahut kurrë nuk vjen në kohë për të ndaluar një dorë, këmbë apo vesh nga të prerët si ndëshkim për vjedhje. Me qindra irakianë të gjymtuar nga ky dekret i panjerëzishëm islamik largohen nëpër kampe që janë në kufi me atë vend. E prapë, rrëmbimi i fëmijëve nuk kërkon një gjymtim të tillë, pasi një person nuk konsiderohet si pronë. Edhe kurvërimi nuk kërkon një gjymtim të tillë, ndërsa një vjedhje e vogël e kërkon.

Antikrishti (dexhali) është një temë e rëndësishme e haditheve, që paralajmërojnë ardhjen e tij. Ai është quajtur “Krishti i rremë”, i cili do të mashtrojë shumë afër fundit të epokës. Hadithet mësojnë se Jezusi do të kthehet në fund që të shkatërrojë dexhalin. Besimi në “Ditën e Fundit [botën tjetër]” është një pjesë themelore e besimit mysliman (2:62).

Patjetër, të përpiqesh t’i fitosh myslimanët duke cituar Kuranin dhe hadithet mund të lërë të kuptohet se këto shkrime islamike janë të frymëzuara nga Perëndia. Madje M. N. Anderson, i cili ka bërë një punë kaq të shkëlqyer, ra në këtë grackë në librin Krenar për të qenë një mysliman fq. 6: “Megjithëse ishte Gabrieli [i barazuar në islam me Frymën e Allahut] ai që ia njoftoi Kuranin atij, ai [Muhamedi] iu drejtua njerëzve të Librit për siguri, kur ishte në dyshim për sa i përket Kuranit”. Për fat të keq, kjo të lë përshtypjen sikur Kurani të ishte i frymëzuar nga Perëndia dhe se njerëzit e Librit (judenjtë dhe të krishterët) duhej të vërtetonin mësimet e tij nga Bibla. Ky nënkuptim, në mënyrë tragjike, do të vërtetonte se myslimanët ishin në gabim.

Mospajtimet e Biblës me Kuranin janë justifikuar duke thënë se Bibla u korruptua. Por Kurani u dërgua për të qenë “si një mbrojtës” për Biblën (5:48); prandaj, nëse Bibla u korruptua, Kurani dështoi. Vetë Libri i Shenjtë mysliman pohon se shumë prej tekstit të tij është i errët (3:7); madje myslimanëve iu duhet t’u kërkojnë sqarim “Njerëzve të Librit [Biblës]” (21:7)!

Gjithashtu Kurani bie në kundërshtim edhe me vetveten: Allahu krijoi gjithçka “sa hap e mbyll sytë” (54:49, 50), “për dy ditë” (41:9, 12), “brenda katër ditëve” (41:10), “brenda gjashtë ditësh” (7:54; 10:3; 32:4), “në një ditë” e barazuar me “njëmijë vjet” (32:5) dhe gjithashtu “pesëdhjetë mijë vjet” (70:4); Jezusi nuk është Biri i Perëndisë (4:171), dhe prapë Ai është (19:17-21) etj.

Gjenden edhe gabime shkencore në Kuran. Madje legjenda arabe janë rrëfyer si ngjarje të vërteta. Kurani përmban shumë besëtytni dhe okultizëm, sidomos në referimet e tij për xhindet.

Të shmangësh përshtypje të gabuara

Duke cituar Kuranin dhe hadithet ne duhet të shmangim me kujdes përshtypjen se jemi duke vërtetuar këto shkrime. Merr parasysh diskutimin e Palit me filozofët mbi Areopag: “…sikurse kanë thënë disa nga poetët tuaj” (Veprat e Apostujve 17:28). Pali nuk po sugjeronte se këta shkrimtarë ishin të frymëzuar nga Perëndia — dhe ai shkoi përtej tyre për të paraqitur ungjillin. Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të shkojmë me dashuri përtej asaj se çfarë thotë Kurani dhe hadithet për Jezusin, për të paraqitur ungjillin e vërtetë; përndryshe nuk kemi një bazë për shpëtimin.

Që një mysliman të bëhet i krishterë i vërtetë ai duhet të shpallë të pavlefshëm perëndinë e rremë të islamit, Allahun, dhe ungjillin e tij të rremë të shpëtimit me anë të veprave. Për fat të keq, ungjillit po i bëhet komprometim për ta bërë atë tërheqës për myslimanët. (Në Perëndim ai po bëhet tërheqës për të gjithë). Shumë “të konvertuar” nuk e kanë kuptuar kurrë ungjillin dhe kështu nuk kanë besuar atë që është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Rom. 1:16). Pa dyshim që ungjilli nuk gjendet në Kuran. Sidoqoftë me sa duket myslimanët po shpëtohen duke dëgjuar atë. Autori i Ura lidhëse: Krishterimi dhe Islami (NavPress, 1997) na jep dëshminë e një myslimani “të kthyer” te krishterimi në Pakistan (fq. 27): “Teksa po dëgjoja Kuranin që lexohej në radio ditë për ditë, dëgjova se Krishti ishte shumë i nderuar […] dhe i vendosur pranë Perëndisë. I thashë vetes: ‘Nëse dëshiroja dikë që të ndërmjetësonte për mua tek Perëndia, a do të kishte ndonjë që do ta bënte këtë punë më mirë se Krishti…?’ Dhe kështu u luta, ‘Zoti Isa [Jezus] të lutem më ndihmo. Dëshiroj që t’ia përkushtoj veten Perëndisë nëpërmjet teje. Përderisa ti je shumë i nderuar dhe i ulur pranë Tij, ti mund ta bësh këtë’”. Më pas autori komenton: “Mbas kësaj, ai u ndje si një njeri i ndryshuar, më i lumtur se më parë…”.

Ky është një mashtrim i ngjashëm me atë të atyre që thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd? […] dhe kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”, të cilëve Zoti iu përgjigjet: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë…” (Mt. 7:21-23). T’i kërkosh Isaias të islamit të ndërmjetësojë për dikë, nuk të shpëton. Njëri duhet të besojë ungjillin për t’u shpëtuar: “Që Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve” (1 e Korintasve 15:1-4); “Që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:15). Ky ungjill nuk është në Kuran dhe nuk gjendet asgjë në këtë dëshmi “të konvertuari” të tregojë se ai e njihte apo e besonte atë.

Po ai autor deklaron se “60 përqind e myslimanëve të cilët janë drejtuar me metodat e shpjeguara në këtë libër vendosën besimin e tyre në Krishtin…”. Por Krishti dhe apostujt e Tij nuk përjetuan një përqindje të tillë të kthyerish. Jezusi tha se pak do të shpëtohen (Mt. 7:13, 14). Autori në mënyrë entuziaste iu referohet myslimanëve të kthyerve në Krishtin “ndërsa qëndrojnë [për vite] në vathë të komunitetit të tyre islamik […] pa u bërë të neveritshëm për vetë komunitetin e tyre” (fq. 10). Por Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Vet: “Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim…? (Mt. 10:22; Gjoni 15:20). Të gjithë, përveç myslimanëve?

Ne duam të jemi të urtë dhe të mos skandalizojmë me paraqitjen tonë të ungjillit (1 e Korintasve 10:32), qoftë myslimanët apo cilindo për të cilin Zoti na jep hir për të paraqitur “pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit” (Efesianeve 3:8). Por ka një skandal të pashmangshëm për shkak të Krishtit (Mt. 26:31; Rom. 9:33; 1 Pje. 2:8) dhe të Kryqit (Gal. 5:11). Ne duhet të jemi të kujdesshëm që ta paraqesim me të vërtetë ungjillin që njerëzit duhet ta besojnë për t’u shpëtuar. Sepse, nëse në zellin tonë për ta bërë botën të pranojë ungjillin ne predikojmë një ungjill tjetër të pranueshëm nga bota, kjo vetëm do të dënojë shpirtra njerëzish.

Shih gjithashtu artikullin: “Meka, Roma dhe Izraeli”