Të paralajmërojmë Dëshmitarët

THEB Shkurt 2012
[no_toc]

THEB Shkurt 2012

Të paralajmërojmë Dëshmitarët

THEB Shkurt 2012

Është për t’u admiruar zelli i Dëshmitarëve të Jehovait. Ata kushtojnë shumë orë duke shkuar derë më derë në përpjekje për t’i bindur njerëzit se ata nuk dinë të besojnë atë që besojnë. Edhe pse zelli është i lavdërueshëm, është tragjik nga ana tjetër. Mundi i tyre i pareshtur për të fituar shpëtimin është më keq se i pafrytshëm; madje akoma më e rëndësishme, është refuzim i të vetmes rrugë që ata mund të shpëtohen.

Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Jezusi është Perëndia “i shfaqur në mish” (1 Timoteut 3:16). Ai shpall se është Jehova Perëndi dhe se ata që nuk besojnë në Të nuk mund të shpëtohen: “Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja” (Gjoni 8:24).

Ka shumë shërbesa dhe burime mjaft të mira që trajtojnë gabimet dhe mashtrimet e Shoqërisë së Trakteve dhe Biblës Kulla e Rojës. Edhe pse jam i njohur me një sërë shërbesash të tilla dhe me librat, artikujt dhe videot e tyre, më duhet të pranoj se jam një apologjet jo aq i pajisur mirë dhe i gatshëm për t’i ndrequr ata siç duhet të jem kur Dëshmitarët e Jehovait vijnë në derën time. Një nga problemet është se ata vijnë në kohët e papritura, madje të pavend, dhe shumë shpesh mishi im do të zgjidhte t’i shmangte ose t’i përcillte me diçka të paketuar. Ime shoqe përdor një thumb tjetër (që nuk bën punë). Ajo përdor “metodën e mjaltit”, që nuk duhet ngatërruar me taktikën “mund të kapësh më shumë miza me mjaltin se me uthullën”. Pasi i përshëndet, ajo më thërret mua: “Zemër [ang. Honey], të kërkojnë ty!” Të them që kam patur një qëndrim të mirë në të kaluarën për t’u marrë me ta, do të ishte po aq e vërtetë sa Përkthimi i tyre Bota e Re. Kështu, kam qenë duke u bindur shumë për pendim për rrugët e mia të mëparshme dhe, me hirin e Perëndisë, të jem i gatshëm t’u shërbej atyre që janë po aq të humbur dhe në skllavëri siç kam qenë unë vetë para se Krishti të transformonte jetën time.

Për këtë qëllim, ky artikull vështirë se është “faktori thelbësor” për t’u dëshmuar Dëshmitarëve të Jehovait, por disa mund ta shohin të dobishme. Pjesë e problemit është se Dëshmitarët e Jehovait kanë aq shumë mësime të rreme, që mund të jetë një dilemë mbajtja mend e tyre, për të mos përmendur vendimin se çfarë të trajtojmë. Ata kanë biblën e tyre të mbushur me gabime, që ishte fabrikuar për të mbështetur doktrinat e tyre jobiblike. Ata kanë profeci të rreme. Ata kanë një ungjill tjetër. Ata kanë një pikëpamje të gabuar për vdekjen dhe ndëshkimin e përjetshëm. Dhe ata kanë praktika të rrezikshme që bazohen mbi besimet e tyre të rreme. Për ta shtuar problemin, të paktën një nga Dëshmitarët e Jehovait që vjen në derën tënde është një veteran dhe i trajtuar mirë për të argumentuar kundër cilido që do të kundërshtonte besimet e kultit të tij.

[box title=”FJALË NGA JEHOVAI”]
  • “Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja’’ –Gjoni 8:24
  • “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi” –Gjoni 1:1
  • “…Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi. Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë” –Isaia 44:6, 8
  • “Unë dhe Ati jemi një. Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?’’ Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” –Gjoni 10:30-33
  • “ Unë, unë jam Zoti [Jehova] dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër” –Isaia 43:11
  • “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” –Titit 2:13
  • “Kështu thotë Zoti [Jehova], Mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti [Jehova] i ushtrive…” –Isaia 44:6
  • “Atëherë Jezusi i tha: ‘Shporru, Satan, sepse është shkruar: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij'”’’ –Mateu 4:10
  • “Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan…” –Mateu 2:11
  • “Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha [Jezusit]: ‘Zoti im dhe Perëndia im!’” –Gjoni 20:28
  • “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” –Gjoni 3:36
[/box] Çfarë propozoj, për ata që duan t’u shërbejnë Dëshmitarëve të Jehovait dhe njëkohësisht identifikohen me të metat që unë kam, është që t’i mbajmë gjërat të thjeshta duke e drejtuar vëmendjen te problemi i tyre kryesor: ata nuk besojnë që Jezusi është Perëndi, por një perëndi i krijuar. Përkthimi i tyre Bota e Re e Shkrimeve të Shenjta (NWT) e formulon mjaft qartë këtë duke korruptuar Gjoni 1:1: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi”. Jezusi, të cilin Dëshmitarët e Jehovait besojnë se është “Fjala”, është “një perëndi”. Problemet me këtë mësim kundërshtojnë hapur çfarë mëson Bibla dhe arsyeja bashkë. Eksodi 20:1-3 shpall: “Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje”. Jehova Perëndi e ndalon manifestimin e perëndive të tjerë thjesht për shkak se ka vetëm një Perëndi: “Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi. Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë” (Isaia 44:6, 8). Isaia shpall të njëjtën të vërtetë pa pushim (Isaia 43:10; 45:5-6, 18, 21-22). Prandaj, të gjithë perënditë e tjerë janë perëndi të rremë.

Kundërshtimet biblike që Jehova Perëndi të ketë krijuar Jezusin si një perëndi gjenden kudo përmes Shkrimit. Së pari, asnjë varg në Bibël nuk e dëshmon atë mësim të Dëshmitarëve të Jehovait dhe, siç e kemi parë, kundërshton qartë vargjet e shumta që deklarojnë që ka vetëm një Perëndi. Veç kësaj, Jezusi, në vend që të jetë një “perëndi i krijuar”, është krijuesi dhe mbajtësi i të gjitha gjërave: “Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të” (Kolosianëve 1:16-17). NWT-ja shton fjalën në kllapa “[të tjera/tjetër]” mbas “të gjitha gjërave”, me qëllim për të mohuar aspektin ekskluziv të Jezusit që krijon “të gjitha gjërat”, gjë për të cilën vetëm Perëndia është i zoti. NWT-ja, e shkruar për të mbështetur mësimet e rreme të Shoqërisë së Trakteve dhe Biblës Kulla e Rojës, prapëseprapë e konfirmon gjetkë padashur Jezusin si krijuesin ekskluziv të “të gjitha gjërave”: “Të gjitha gjërat erdhën në jetë nëpërmjet tij, dhe pa të nuk erdhi në jetë asgjë” (Gjoni 1:3, NWT).

Mësimi i rremë i Dëshmitarëve të Jehovait që Jezusi është inferior ndaj Perëndisë Jehova si një “perëndi i krijuar” i bën të gënjeshtërta deklaratat e Tij të shumta të pohimit se është Perëndi dhe si rrjedhim e bën Atë vetë një gënjeshtar. Në Eksodi, Zoti i shpalli Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: “Do t’ju thuash kështu bijve të Izraelit: ‘UNË JAM-i më ka dërguar tek ju” (Eksodi 3:14). Në Isaia 43:10, si edhe në shumë vende të tjera, Jehova shpall që Ai është i vetmi Perëndi i vërtetë duke e deklaruar Veten si “Unë jam”, domethënë, i Vetmi që është përjetësisht vetë-ekzistues. Dëshmitarët e Jehovait argumentojnë që Jezusi nuk është Jehova, gjë që kundërshton rastet e shumta kur Jezusi e identifikon veten si Jehova, “Unë jam” (Gjoni 8:28; 11:25; 13:13; 14:10-11 dhe shumë të tjera). Në Gjoni 8:58-59, Jezusi shpalli: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”. Edhe pse Shoqëria Kulla e Rojës nuk e pranon faktin që Jezusi po pretendonte se ishte Jehova Perëndi me këtë deklaratë të Tij, udhëheqësit fetarë judenj ia morën të mirëqenë fjalën e Tij kur Ai tha që Ai dhe Ati i Tij janë një: “Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?’’ Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” (Gjoni 10:30-33). Jezusi nuk e korrigjoi akuzën e tyre, pasi Ai është vërtet Perëndi.

Dëshmitarët e Jehovait gjenden në telashe serioze dhe kjo duhet t’u thuhet atyre. Mohimi i mësimit biblik që Jezusi është Jehova Perëndi është një refuzim i drejtpërdrejtë i të Vetmit që mund t’i shpëtojë ata. Ata thonë se çështja nuk është kështu, pasi ata besojnë se Jehova është shpëtimtari i tyre. Ata kanë pjesërisht të drejtë, pasi Jehova është sigurisht Shpëtimtari. Në fakt – Jehova është i vetmi Shpëtimtar: “Unë, unë jam Zoti [Jehova] dhe përveç meje nuk ka shpëtimtar tjetër…. Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje. Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër” (Isaia 43:11; 45:21-22). Prapëseprapë, gjendja e tyre që kanë “pjesërisht të drejtë” është e ngjashme me një urë që shkon vetëm deri në mes të rrugës; udhëtarët që përpiqen ta kalojnë atë do të shkojnë drejt vdekjes së tyre. Jezusi tha se nëse ata nuk besojnë që Ai është Jehova, do të vdesin në mëkatet e tyre (Gjoni 8:24).

Nëse ka vetëm një Shpëtimtar, ç’mund të themi për vargjet që shpallin “Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht?” (2 Pjetrit 1:11; 3:18). Jezusi dhe Perëndia mund të jenë Shpëtimtari ynë vetëm nëse ata janë një njëkohësisht. Kjo është saktësisht çfarë na është thënë në Titit 2:13, që i referohet Jezusit si “të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht”. Gramatika greke është padyshim në mbështetje të këtij vargu që Perëndi dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht janë i njëjti.

Vetëm mësimi i Trinisë mund të pajtojë ato vargje që shpallin se ka vetëm një Perëndi dhe një Shpëtimtar, e njëkohësisht Jehova është Shpëtimtari dhe Jezusi është Shpëtimtari. Mirëpo Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm që refuzojnë doktrinën e Trinisë, por edhe shtrembërojnë atë që të krishterët biblikë besojnë në të vërtetë, duke shtënë kështu [në mendjet e njerëzve] idenë e rreme që ata adhurojnë tri Perëndi. Nuk është e vërtetë. Perëndia i Biblës, pra, Jehova Perëndi, përbëhet nga Ati, Jezusi Biri dhe Fryma e Shenjtë: një Perëndi, tri Persona. Edhe pse të kuptuarit e Perëndisë që ekziston në tri persona është përtej rrokjes së mendjes njerëzore, ky është mësimi i qartë gjatë gjithë Shkrimeve. Veç kësaj, karakteri i zbuluar i Perëndisë ofron shumë arsye logjike se përse Perëndia nuk mund të jetë një Qenie njëjës, siç pretendojnë Dëshmitarët e Jehovait. Konsideroni, për shembull, të vërtetën që Perëndia është dashuri (1 Gjonit 4:8). Perëndia është gjithashtu i përjetshëm dhe i plotë në mënyrë të përsosur. Por dashuria kërkon një objekt për ta dashur. Si një Qenie njëjës, Atij do t’i duhej të krijonte një objekt të dashurisë së Tij me qëllim për ta dashur. Një nevojë e tillë, nëse do të ishte e vërtetë, do të shfaqte mungesë nga ana e Tij e të qenët i plotë në mënyrë të përsosur. Po a s’mundet Ai që thjesht të dojë Vetveten? Jo. Dashuria për veten është jobiblike. Duke qenë se 1 Korintasve 13:5 na mëson që dashuria nuk kërkon të sajat [nuk është egoiste], Perëndia do të ishte duke kundërshtuar vetë Fjalën e Tij. Prandaj dashuria duhet të ketë ekzistuar gjithmonë në Trininë, ku të tre Qeniet e Hyjnisë [ang. Godhead] e duan njëri-tjetrin.

A janë dy Jehova? Pjesa e parë te Isaia 44:6 shpall: “Kështu thotë Zoti [Jehova], Mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i Tij, Zoti [Jehova] i ushtrive”, dhe për të mos patur asnjë keqkuptim, Zoti Jehova e qartëson çështjen në pjesën e dytë të vargut 6: “Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi”. Përsëri, vetëm doktrina e Trinisë përputhet me këtë varg. Gjithashtu, Mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i Tij, Zoti i ushtrive që të dyja flasin për Jezusin, i cili është Mbreti i Izraelit dhe Mbreti i mbretërve dhe Çliruesi ynë (Gjoni 18:33, 37 dhe 1 Timoteut 6:15; Zbulesa 19:16; Titit 2:14).

Ka prova të tjera të bollshme që Jezusi duhet të jetë Jehova Perëndi. Konsideroni, për shembull, pranimin nga ana e Tij për ta adhuruar. Vetë Jezusi shpalli që vetëm Perëndia duhet të adhurohet (Mateu 4:10), e njëkohësisht Ai e pranoi adhurimin nga dijetarët si një fëmijë (Mt. 2:11), nga një i lebrosur (Mt. 8:2), nga një udhëheqës (Mt. 9:18), si Biri i Perëndisë nga dishepujt e Tij (Mt. 14:33), nga dy Maritë mbas ringjalljes së Tij (Mt. 28:9) dhe nga shumë të tjerë duke përfshirë Thomain, i cili i shpalli Atij: “Zoti im dhe Perëndia im” (Gjoni 20:28). Ai është shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm (Kolosianeve 1:15). Me anë të Tij qëndrojnë të gjitha gjërat (vargu 17). Jezusi është identifikuar si Biri, Perëndia i fuqishëm, Ati i përjetshëm (Isaia 9:6). Jezusi është Perëndia i “Plotfuqishëm”, sikurse shpall kudo Libri i Zbulesës (Zbulesa 1:8; 4:8; 11:17; 15:3; 16:7, 14; 19:15-16). Ai e bëri Veten të barabartë me Perëndinë (Filipianeve 2:6; Gjoni 5:18). Në Jezusin banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë [ang. Godhead] (Kolosianeve 2:9). Vetëm Perëndia mund të falë mëkatet, megjithatë Jezusi e fali mëkatin (Luka 5:20-25).

Dëshmitarët e Jehovait janë mashtruar për të besuar se veprat e tyre të zellshme janë çfarë kërkon Jehovai për faljen e Tij të mëkateve të tyre si dhe pranimin e tyre prej Tij. Por Jezusi i korrigjoi ata të cilët kishin po këtë besim: “Atëherë e pyetën: ‘Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?’ Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ‘Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar’” (Gjoni 6:28-29). Vetëm Jezusi, si Perëndi dhe Njeri, mund (dhe e bëri!) të paguante dënimin për mëkatet e njerëzimit. Këtë Ai e kreu plotësisht ndërsa ishte i varur mbi Kryqin. Në mënyrë tragjike, Dëshmitarët e Jehovait e kanë refuzuar shpresën e tyre të vetme të jetës së përjetshme me Jezusi, pasi e kanë hedhur vështrimin te “një tjetër Jezus”, një të krijuar të fabrikimit të tyre. Ata duhet të paralajmërohen, sado i shkurtër mund të jetë takimi i dikujt me ata.

Unë sugjeroj që pyetja e parë për t’u bërë Dëshmitarëve të Jehovait në derën tuaj është nëse besojnë apo jo që Jezusi është Jehova Perëndi. Nuk jeni në kërkim të shpjegimeve të tyre, por më tepër një deklaratë po ose jo! “Jo” do të jetë përgjigjja e tyre e kuptueshme dhe, pas kësaj, unë rekomandoj që t’u jepni atyre paralajmërimet solemne nga Shkrimet, duke filluar me fjalët e Jezusit: “Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja” (Gjoni 8:24). Më pas, “po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë” (2 Timoteut 2:12) dhe “Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit” (Gjoni 12:48). Dhe, përfundimisht, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36). Këto vargje përmbajnë farërat e bindjes që unë besoj se duhet të mbillen, të ndjekura, sigurisht, me lutjen që Fjala e Perëndisë do të zërë rrënjë brenda atyre shpirtrave të humbur në derën tuaj dhe që do t’i çlirojë ata nga skllavëria e tyre e përkohshme dhe ndarja e përjetshme prej Perëndisë Jehova. THEB