28 tetor

[no_toc]

28 tetor

«Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër» (Fjalet e Urta 11:24).

Fryma e Shenjtë këtu ndan me ne një sekret të lezetshëm. Ai është në kundërshtim me gjithçka që ne mund të presim dhe megjithatë është gjithnjë i vërtetë. Sekreti është ky: sa më shumë që jep, aq më shumë ke. Sa më shumë që grumbullon, aq më pak ke. Bujaria shumëfishohet. Kurnacëria sjell varfëri. «Atë që dhashë, e kam, atë që e shpenzova, e kisha, atë që e mbajta, e humba».

Kjo nuk do të thotë që do të korrësh të njëjtën monedhë që ke mbjellë, që administratori besnik do të pasurohet ekonomikisht. Ai mund të mbjellë lekë dhe të korrë shpirtra. Ai mund të mbjellë mirësi dhe të korrë miq. Ai mund të mbjellë dhembshuri dhe të korrë dashuri.

Kjo do të thotë që njeriu bujar korr shpërblime që të tjerët nuk mund t’i njohin. Ai merr postën dhe lexon që dhurata me para që u dërgua nga ai plotësoi një nevojë kritike pikërisht në kohën e duhur dhe saktësisht në sasinë e duhur. Ai mëson që libri të cilin e bleu për një besimtar të ri u përdor nga Perëndia për të ndryshuar të gjithë drejtimin e jetës së tij. Ai dëgjon që mirësia e treguar njëherë në Emër të Jezusit ishte një nga hallkat e zinxhirit për shpëtimin e atij personi. Ai është shumë i lumtur. Gëzimi i tij nuk njeh kufi. Ai kurrë nuk do të hahet me të tjerë të cilët duket se kanë më shumë se ai.

Ana tjetër e së vërtetës është se grumbullimi çon në varfëri. Ne vërtet nuk kënaqemi nga ato para që rrinë në bankë. Ato mund të na mashtrojnë me një ndjenjë të rreme sigurie, por ato nuk mund të sigurojnë kënaqësi të vërtetë e të qëndrueshme. Çdo interes i vogël që mund të fitojë paraja është e papërfillshme në krahasim me emocionet kur shohim se paratë përdoren për lavdinë e Krishtit dhe bekimet e vëllezërve dhe motrave. Ai njeri që mban më tepër se duhet mund të ketë një bilanc të madh bankar, por ai ka një bilanc të vogël gëzimi në këtë jetë dhe një bilanc të vogël kredie në bankën e qiellit.

Vargu i sotëm ka si qëllim jo vetëm të na japë një parim hyjnor, por edhe që të na japë një sfidë hyjnore. Zoti po na thotë: «Provojeni vetë këtë. Bukët dhe peshqit tuaj m’i bëni gati Mua. E di që i kishit ato për drekën tuaj. Por nëse m’i kaloni Mua, do të ketë mjaftueshëm për drekën tuaj si dhe për mijëra të tjerë. Ju do të ndiheshit ngushtë të hanit për veten tuaj, ndërsa ata përreth jush të rrinin thjesht ulur, duke iu parë juve duke ngrënë. Por mendoni pak për kënaqësinë që të jep fakti që unë e përdora drekën tuaj për të ushqyer një turmë».

Ne e humbasim atë që për vete shpenzojmë
Ne e kemi si një thesar pa fund
Çdo gjë, Zot, që të japim Ty,
Ty që jep gjithçka.
– Charles Wordsworth

[previous][next]