Një botë krejt e re për prindërimin

krishterimi.al Çiftet & Prindërimi Leave a Comment

Vlerësimi i punës sonë prindërore është i rëndësishëm. Në fakt, kjo duhet bërë në mënyrë shumë të rregullt. Është e rëndësishme që si prindër të caktojmë qëllime dhe më pas të matim rregullisht ecurinë.

Prindërit kuptojnë se janë shumë vendime për t’u marrë në lidhje me fëmijët. Si besimtarë të krishterë duhet të jemi mirënjohës që kemi Zotin dhe mund të mbështetemi tek Ai për të kërkuar urtësi. Nevoja për urtësi prej së larti shtohet edhe më shumë kur mendojmë këtë botë dixhitale, teknologjike në të cilën jemi zhytur.

Ndonëse shumë prindër të rinj mund ta konsiderojnë veten të informuar nga ana teknologjike, prapë ka gjëra të reja për të mësuar. Për adoleshentët dhe më të rinjtë, kjo është diçka që e kanë si oksigjen. Mendoj se shumë prindër e kuptojmë këtë që po themi.

Nevoja për Fjalën e Perëndisë

Siç e dimë të gjithë, nuk ka manual të shkruar për prindërimin, ndonëse disa kanë bërë një punë mjaft të mirë në këtë drejtim dhe kanë qenë të dobishëm. Ndonëse kohërat kanë ndryshuar, Fjala e Perëndisë vazhdon akoma të jetë vendi më i mirë për të shkuar për urtësi në marrjen e vendimeve për rritjen e fëmijëve tanë.

Po nuk përmenden celularët dhe mediat sociale në Bibël do të thoshit ju? Epo jo. Por sigurisht që ka të vërteta dhe udhëzime të rëndësishme se si të harxhojmë kohën dhe burimet tona. Kemi një fokus të madh se me çfarë ne duhet t’i mbushim mendjet tona, se ku duhet t’i vendosim prioritetet dhe se çfarë lloj thesaresh duhet të jemi duke kërkuar.

Mjete për lavdi të Perëndisë

Lajmi i mirë është që zgjidhja nuk është që t’i bllokojmë me patjetër të gjitha gjërat dixhitale për ndjekjen e rrugëve të Zotit (ndonëse kjo mund të jetë e domosdoshme për disa që kanë vështirësi specifike). Ne mund t’i përdorim këto mjete për lavdinë e Zotit dhe mund t’u mësojmë edhe fëmijëve tanë se si ta bëjnë këtë.

Efesianëve 4:29 (Diodati i Ri)

Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.

Ja si e përkthen versioni NLT:

Mos përdor gjuhë të pistë ose abuzive. Le të jetë e mirë dhe e dobishme gjithçka që thua, që fjalët e tua të jenë një inkurajim për ata që i dëgjojnë ato.

Pavarësisht se cilin përkthim do të shohësh, kuptimi është i qartë. A mund të jetë që njerëz mendojnë se të shkruash postime në Facebook ose në media të tjera sociale përbën një përjashtim?

Çfarë këshillash praktike mund të kemi për fëmijët tanë në këtë drejtim?

  1. Ne duhet t’u mësojmë në mënyrë specifike fëmijëve tanë që shkruarja e fjalëve në një kompjuter ose në një celular është, në thelb, e njëjta gjë sikur t’i thuash ato fjalë me zë të lartë. Kur Bibla thotë “të dalë nga goja juaj”, ajo mund të kuptojë edhe “të rrjedhë përmes gishtave tuaj”! Kemi një pasqyrim të asaj që është në zemrën tënde. Mateu 12:34b thotë: “Ç’ka zemra qet goja”.
  2. Ne duhet të inkurajojmë familjen tonë të jetë aktive për të postuar gjëra që janë inkurajuese për besimtarët e tjerë. Ndonëse dëshirojmë që fëmijët tanë të jenë vetvetja, që ndonjëherë përfshin marrëzi, Bibla na udhëzon të jemi “të mirë dhe të dobishëm, që fjalët tona të jenë një inkurajim për ata që do t’i dëgjojnë ato”.
  3. Ne duhet të inkurajojmë familjen tonë të mësojë përmendsh Shkrimin e Shenjtë. Kur shohim gjuhën e keqe në internet, ai varg specifik vjen menjëherë në mendjen tonë. Fryma e Shenjtë e përdor atë si një kujtim i asaj se çfarë nuk është e përshtatshme për mua në internet. Duhet të jemi të bindur se ndonëse mund t’u japim fëmijëve tanë të gjitha llojet e rregullave, Fjala e Perëndisë është e fuqishme në jetët tona dhe ta futim atë në zemrat tona është një mjet i domosdoshëm për t’u përballur me tundimin ose me marrjen e vendimeve kur bëhet fjala për internetin.

Shpresojmë që këto këshilla nga Shkrimi dhe përvoja mund t’ju inkurajojnë edhe juve për t’i patur të hapura lidhjet e komunikimit me anëtarët e familjes, që ne të mund t’i përdorim rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe internetin në një mënyrë që do të ishte e pëlqyeshme për Zotin.