A besojnë ME TË VËRTETË demonët?

krishterimi.al Bibla, Jezus Krishti, Njerëzimi, Perëndia, Përjetësia, Pyetje & Përgjigje, Shpëtimi Leave a Comment

A besojnë ME TË VËRTETË demonët?
Jakobi 2:19

“Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen”.

Pyetja

Gjatë viteve jam pyetur shumë herë në lidhje me këtë varg te Jakobi 2:19.

Unë jam i mendimit që besimi është besim. Besimi shpëtues nuk është ndonjë lloj I VEÇANTË besimi. Ajo që e bën shpëtues besimin shpëtues është objekti, jo ndonjë lloj i supozuar i veçantë i besimit. Unë nuk besoj që të ketë qoftë edhe një pjesë në Bibël që të flasë për ndonjë besim sikur të jetë i rremë – pra, besim që të jetë më pak se besim i vërtetë.

Po mirë, pyesin ata, po për besimin e demonëve siç shkruhet në Jakobi 2:19? Me siguri që ky nuk është besim i vërtetë! Në fund të fundit, është e qartë që demonët nuk janë të shpëtuar.

Përgjigjja

Një silogjizëm. Kjo pyetje pasqyron një keqkuptim të zakonshëm. Arsyetimi shkon pak a shumë kështu:

Pika 1: Kushdo që beson në Zot është i shpëtuar.
Pika 2: Demonët nuk janë të shpëtuar.
Konkluzioni: Demonët nuk besojnë me të vërtetë në Zot.

Kjo logjikë duket e pashmangshme. Dhe ashtu është, nëse dy pikat e para janë të sakta.

Pika e dytë e këtij silogjizmi është qartësisht e saktë. Jezusi vdiq për qeniet njerëzore, jo për demonët. Demonët janë të humbur dhe nuk mund të shpëtohen kurrë. Ata e dinë këtë. Ata e dinë që do të vuajnë përgjithmonë. Në një rast ata i thanë Jezusit: “Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?” (Mt. 8:29).

Problemi është me pjesën e parë të silogjizmit. Ai është qartazi i pasaktë.

Jeta e përjetshme u jepet atyre që besojnë se Jezus Krishti po fliste të vërtetën kur tha: “Ai që beson në Mua ka jetë të përjetshme” (Gjoni 6:47).

Mirëpo Jakobi 2:19 nuk po flet për të besuar në Jezus Krishtin dhe vetëm në Atë për jetën e përjetshme. Përkundrazi, ai po flet për besim në monoteizëm (pra, besim që ka vetëm një Perëndi).

Besimi i demonëve është i vlefshëm (por jo shpëtues) nëse dy pyetje mund të përgjigjen në pohore: (1) A është objekti i tij vërtet i besueshëm? dhe (2) A besohet ndershmërisht? Për shembull, një njeri mund të besojë me të vërtetë gjëra që janë krejt të gabuara; por një besim i tillë nuk është i vlefshëm ngaqë objekti i tij nuk është i besueshëm. Në mënyrë të ngjashme, nëse një njeri pohon se beson diçka që ai nuk e beson të vërtetë, pohimi i tij që beson është i pandershëm.

Kjo, atëherë, na çon te zbatimi i këtyre dy pyetjeve për besimin e demonëve siç shkruhet në Jakobi 2:19.

A është monoteizmi i vërtetë? Nëse monoteizmi nuk është i vërtetë, atëherë besimi i demonëve është i vendosur gabim, ndonëse është besim i sinqertë dhe i vërtetë.

Por monoteizmi është i vërtetë! Jakobi zgjedh monoteizmin duke qenë se është një fakt i padiskutueshëm*.

A besojnë vërtet demonët në monoteizëm? Ne të gjithë pranojmë se një njeri mund të thotë që beson në diçka kur në realitet nuk e beson atë. Batakçinjtë dhe politikanët e bëjnë këtë gjatë gjithë kohës.

Pra, pyetja është, a po përpiqen demonë të mashtrojnë njerëzit që këta të fundit të mendojnë se ata besojnë në monoteizëm kur, në fakt, ata nuk besojnë? Sigurisht që jo! Vini re që në këtë pjesë lexojmë që demonët “dridhen” si rezultat i besimit të tyre në monoteizëm! Në fakt, demonët besojnë edhe në hyjninë e Krishtit (shikoni Mt. 8:29).

Demonët besojnë “vërtet” në monoteizëm. Shkrimet na tregojnë se ata e besojnë këtë.

Besimi në monoteizëm nuk është shpëtues. Do të ketë shumë njerëz (si edhe të gjithë demonët) në ferr të cilët gjatë kësaj jete kanë besuar në monoteizëm. Mendoni se sa shumë njerëz në kulte dhe fe botërore besojnë në monoteizëm dhe njëkohësisht nuk besojnë në Jezusin dhe vetëm në Atë për jetën e përjetshme. Ky numër është me siguri jashtëzakonisht i madh.

Do të ketë njerëz në ferr që kanë qenë shumë të saktë në shumë pika të teologjisë. Një njeri mund të besojë në monoteizëm, trinitarianizëm, në kthimin e Zotit Jezus përpara Mbretërimit prej 100 vjetësh, në hyjninë e Krishtit, në pagabueshmërinë e Shkrimeve dhe shumë pika të tjera dhe prapë të jetë duke besuar të paktën pjesërisht në veprat e veta për t’i çuar në qiell.

Në fakt, një njeri mund të besojë edhe në vdekjen zëvendësuese të Krishtit dhe prapë të mos jetë i shpëtuar! Pyesni një katolik apo protestant të përkushtuar nëse Jezusi ka vdekur mbi Kryqin për mëkatet e tyre dhe ata do të të përgjigjen me një “PO” zemre dhe të vërtetë! Mirëpo shumë prej po këtyre njerëzve nuk besojnë në Jezus Krishtin dhe vetëm në Atë për jetën e përjetshme. Ata po besojnë në atë që Jezusi bëri mbi Kryqin plus në veprat e tyre të mira.

Konkluzioni

A besojnë me të vërtetë demonët në Perëndinë? Absolutisht. Ata i bëjnë të gjitha planet e tyre dhe i bazojnë të gjitha veprimet e tyre mbi këtë besim.

Besimi shpëtues nuk është ndonjë lloj unik besimi. Besimi është besim. Ajo që e bën shpëtues besimin shpëtues është objekti.

Objekti i besimit që rezulton në jetë të përjetshme është premtimi i Perëndisë për besimtarin. Perëndia u premton jetë të përjetshme të gjithë atyre që besojnë në Jezusin dhe vetëm në Atë për këtë: “Kush beson në Mua ka jetë të përjetshme”. Unë i besoj Atij. Po ti?


*Disa janë të mendimit që Fjalët e Jakobit 2:19 nuk i përkasin Jakobit, por një kundërshtuesi hipotetik, të cilin Jakobi e paraqet për hir të argumentit në v. 18. Megjithëkëtë, kjo nuk do të ndryshonte çështjet e ngritura këtu.