A është Jezusi Zoti im?!

“…Jezu Krishtit (ai është Zot i të gjithëve)” (Veprat e Apostujve 10:36)

Një nga temat e mëdha të Dhiatës së Re është zotërimi i Jezus Krishtit. Herë pas here kujtohemi se Ai është Zot dhe se duhet t’i japim këtë vend në jetët tona.

Ta kurorëzojmë Jezusin si Zot do të thotë që t’ia dorëzojmë jetët tona Atij. Kjo do të thotë që të mos kemi vullnet tonin, por që të duam më shumë mbi të gjitha vullnetin e Tij. Kjo do të thotë gatishmëria për të shkuar kudo, për të bëra gjithçka dhe për të thënë çfarëdo gjëje që dëshiron Ai. Kur Jozueu e pyeti kreun e ushtrisë së Zotit: «A je ti për ne ose kundër nesh?», kreu iu përgjigj, në fakt: «Unë nuk erdha as për të ndihmuar, as për të të penguar. Unë erdha për të marrë pushtetin» (shih Jozueu 5:14). Pra, Zoti nuk vjen si një lloj asistenti i lavdëruar; Ai vjen për kontroll suprem mbi jetët tona.

Rëndësia e zotërimit mund të shihet në faktin që, ndonëse fjala «Shpëtimtar» përmendet vetëm 24 herë në Dhiatën e Re, fjala «Zot» përmendet 522 herë. Gjithashtu është domethënëse se edhe pse njerëzit thonë pothuaj përherë «Shpëtimtar dhe Zot», në këtë rend, Shkrimi thotë gjithnjë «Zot dhe Shpëtimtar».

Ta bëjmë Jezusin Zotin tonë është gjëja më e arsyeshme, më logjike që mund të bëjmë. Ai vdiq për ne; më e pakta që mund të bëjmë është të jetojmë për Të. Ai na bleu; nuk i përkasim më vetvetes. «E denjë është kjo dashuri t’i marrë, gjithë jetën, shpirtin, zemrën krejt».

Nëse ne mund t’i besojmë Atij për shpëtimin e përjetshëm, a nuk mund t’i besojmë Atij për drejtimin e jetëve tona? «Ka njëfarë mungese sinqeriteti rreth përkushtimit të përjetshëm te Perëndia dhe rreth ngurrimit për t’ia [dorëzuar] jetën e vdekshme – duke rrëfyer se i japim Atij më të madhen dhe i refuzojmë më të voglën» (R. A. Laidlaw).

Atëherë, si e kurorëzojmë Jezusin si Zot? Duhet të ketë një përvojë krize kur për herë të parë ne ia japim kontrollin Atij, kur çdo fushë e jetës sonë vendoset nën ndikimin e Tij sovran. Ky është një përkushtim total « Pa rezervë, pa zmbrapsje, pa keqardhje».

Këtej e tutje ajo bëhet një çështje e çast pas çasti duke iu dorëzuar udhëheqjes së Tij, duke i paraqitur trupat para Tij, që Ai të jetojë jetën e Tij përmes nesh. Kjo krizë kthehet në një proces.

Dhe është e arsyeshme! Me urtësinë, dashurinë dhe fuqinë e Tij, Ai mund të bëjë një punë shumë herë më të mirë për drejtimin e jetëve tona se ne.

[KOMENT NGA THIRRJA E BEREASVE: Është aq e thjeshtë si kjo: Nëse Jezusi nuk është Perëndi, Ai nuk mund të na shpëtojë dhe nëse Ai është Perëndi (dhe sigurisht që Ai është), atëherë Ai është Zot. Asnjë njeri nuk mund ta pranojë Krishtin si Shpëtimtar dhe jo si Zot, përderisa Ai është Zot. Një “Jezus” që është vetëm Shpëtimtar, por jo Zot, është “një Jezus tjetër”. Krishti nuk bëhet Zot dhe as ne nuk e bëjmë Atë Zot, Ai është Zot. Jezusi nuk vjen në dy pjesë: njëra prej tyre Zot, tjetra Shpëtimtar. Romakëve 10:9 thotë qartë: “Sepse, po të rrëfesh … Zotin Jezus … do të shpëtohesh” –Dave Hunt]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *