1 Thesalonikasve 4

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Thirrje për shenjtërim, dashuri vëllazërore dhe punë

4:1 Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t`i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë.

4:2 Sepse ju e dini se ç`urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus.

4:3 Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria;

4:4 që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder,

4:5 jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,

4:6 dhe që askush të mos mashtrojë ose t`ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam.

4:7 Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.

4:8 Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.

4:9 Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t`ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri tjetrin.

4:10 Sepse ju e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve që janë në gjithë Maqedoninë; por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë.

4:11 dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar,

4:12 që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë.

Mbi ringjalljen e të vdekurve dhe kthimin e Krishtit

4:13 Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.

4:14 Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.

4:15 Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur,

4:16 sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët;

4:17 pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.

4:18 Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.

[previous][next]