1 Thesalonikasve 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

`

5:1 Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t`ju shkruaj,

5:2 sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.

5:3 Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri", atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.

5:4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t`ju zërë në befasi si një vjedhës.

5:5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.

5:6 Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.

5:7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.

5:8 Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.

5:9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,

5:10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.

5:11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.

Porosi të ndryshme; premtime solemne dhe përshëndetje

5:12 Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,

5:13 edhe t`i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.

5:14 Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t`i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.

5:15 Vështroni se mos dikush t`ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.

5:16 Jini gjithmonë të gëzuar.

5:17 Lutuni pa pushim.

5:18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.

5:19 Mos e shuani Frymën.

5:20 Mos i përbuzni profecitë.

5:21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.

5:22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.

5:23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.

5:24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.

5:25 Vëllezër, lutuni për ne.

5:26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.

5:27 Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t`u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.

5:28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.

[previous][next]