1. Shitja e Jozefit në skllavëri (Kapitulli 37)
37:1-17 Fjalët «Këta janë pasardhësit e Jakobit» duken të menjëhershme. Historia e Jakobit (kapitujt 25 – 35) ndërpritet nga brezat e Esaut (kapitulli 36), pastaj ndiqet nga kapitulli 37 deri në fund të librit, duke theksuar birin e Jakobit, Jozefin.
Jozefi është një ndër figurat (simbolet) më të mrekullueshme të Zotit Jezus Krisht në DhV, edhe pse Bibla nuk e përshkruan kurrë si figurë. Pinku (A. W. Pink) rendit 101 lidhje midis Jozefit dhe Jezusit {{1}} dhe Ada Habershoni 121. Për shembull, i ati i tij e donte Jozefin (v. 3); ai qortoi mëkatet e vëllezërve (v. 2); ai urrehej nga vëllezërit e tij dhe u shit në duart e armiqve (v. 4, 26-28); ai u ndëshkua padrejtësisht (kapitulli 39); ai u përlëvdua dhe u bë shpëtimtari i botës, sepse tërë botës iu desh të shkonte tek ai për ushqim (Zanafilla 41:57); ai mori një nuse jo judease gjatë kundërshtimit të tij nga ana e vëllezërve të tij (Zanafilla 41:45).
Rroba e gjatë deri te këmbët (apo shumëngjyrëshe) ishte një shenjë e dashurisë së veçantë të atit të tij dhe kjo shkaktoi urrejtjen xheloze të vëllezërve të tij. Në ëndrrën e parë të Jozefit njëmbëdhjetë duaj gruri u përkulën para duajve të të dymbëdhjetit, një profeci që vëllezërit e tij një ditë do të përkuleshin para tij. Në ëndrrën tjetër dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para Jozefit. Dielli dhe hëna përfaqësonin Jakobin dhe Lean (Rakela kishte vdekur) dhe njëmbëdhjetë yjet ishin vëllezërit e Jozefit (v. 9-11).
37:18-28 Kur Jozefi u dërgua të kërkonte vëllezërit e tij, ata komplotuan […] ta vrisnin, por me mendimin e Rubenit pranuan ta hidhnin në një pus afër Dothanit. Ndërsa u ulën të hanin, panë një karvan ismaelitësh të drejtuar për në Egjipt dhe me mendimin e Judës vendosën ta shisnin. Në këtë pjesë ismaelitët quhen gjithashtu madianitë, si te Gjyqtaret 8:22-24. Ndërsa po kalonin ata tregtarë madianitë, vëllezërit e Jozefit e nxorën atë jashtë pusit dhe ia shitën tregtarëve.
37:29-36 Rubeni nuk ishte i pranishëm kur ndodhi e tëra kjo. Kur ai u kthye u tmerrua, meqë ishte ai përgjegjës për t’i shpjeguar të atit mungesën e Jozefit. Kështu vëllezërit e futën rrobën e Jozefit në gjakun e një cjapi dhe pastaj në mënyrë të pashpirt ia çuan Jakobit, që në mënyrë të natyrshme mendoi se Jozefi ishte vrarë. Jakobi e kishte mashtruar më parë të atin me një cjap, duke përdorur lëkurën e tij që të sajonte krahët leshtorë të vëllait (Zanafilla 27:16-23). Tani ai vetë u mashtrua mizorisht me anë të gjakut të një cjapi në tunikën e Jozefit. «Dhimbja e mashtrimit mësohet përsëri». Madianitët në mënyrë jo të vetëdijshme përmbushën qëllimet e Perëndisë duke e transportuar falas Jozefin për në Egjipt dhe duke ia shitur atje Potifarit, oficer i faraonit. Prandaj Perëndia bën që zemërimi i njeriut ta lavdërojë Atë dhe ajo që nuk do ta lëvdojë Atë, do ta rrethojë Atë (shikoni Psa. 76:10).
2. Juda dhe Tamara (Kapitulli 38)
38:1-11 Historia e keqe e mëkatit të Judës me Tamarën shërben për të madhështuar hirin e Perëndisë kur kujtojmë se Zoti Jezus është pasardhës i Judës (Luka 3:33). Tamara është një ndër pesë gratë e përmendura në gjenealogjinë e Mateut 1; tri prej tyre qenë fajtore për shkelje kurore – Tamara, Rahabi (v. 5) dhe Bathsheba (v. 6). Të tjerat janë Ruthi, një pagane (v. 5), dhe Maria, një virgjëreshë e perëndishme (v. 16). Pinku shënon domethënie më të thella të kësaj historie të dështimit moral:
Zanafilla 37 përfundon një rrëfim të bijve të Jakobit që ua shesin vëllain e tyre Jozef madianitëve dhe ata më pas e shesin atë në Egjipt. Kjo flet, si figurë, për Krishtin që u kundërshtua nga Izraeli dhe u la në duart e johebrenjve. Që nga koha kur udhëheqësit judenj e lanë Mesian e tyre në duart e Pilatit, ata si komb nuk kanë asnjë marrëveshje me Të; dhe Perëndia, gjithashtu, u ka kthyer kurrizin atyre dhe është kthyer nga johebrenjtë. Prandaj ka një kthim të rëndësishëm në figurën tonë në këtë hap. Jozefi shihet tani në duart e johebrenjve. Por para se të themi se çfarë i ndodhi Jozefit në Egjipt, Fryma e Shenjtë tregon për ne, në skicë figurative, historinë e judenjve, ndërsa «anti-tip Jozefi» [Krishti] mungon në vend {{2}}.
Jo rastësisht historia e Jozefit ndërpritet në kapitullin 38. Sjellja e pahijshme e pjesëtarëve të tjerë të familjes së Jozefit e bën sjelljen e tij, në dallim me të tyren, të ndriçojë si një dritë e shkëlqyeshme në një botë të pëgërë.
Gabimi i parë i Judës ishte që u martua me një grua kanaanease, me vajzën e një burri […] të quajtur Shua. Ajo i lindi atij bij – Erin, Onanin dhe Shelahun. Eri u martua me një grua kanaanease që quhej Tamara, por u vra nga Zoti për një ligësi të panjohur me saktësi. Ishte zakon në atë kohë që një vëlla apo një kushëri i afërt të martohej me vejushën dhe të rriste fëmijët për atë që kishte vdekur. Onani nuk pranoi ta bënte një gjë të tillë sepse fëmija i parë që do të lindte do të ishte trashëgimtari i Erit, jo fëmija i tij ligjor. Mëkati i tij nuk ishte seksual, por egoist. Nuk ishte një vepër e vetme, por, ashtu siç zbulon hebraishtja, një kundërshtim këmbëngulës. Dhe kundërshtimi preku gjenealogjinë me anë të së cilës Krishti do të trashëgonte të drejtën ligjore të fronit të Davidit. Nuk i pëlqeu Zotit kështu që Ai vrau Onanin. Duke parë këtë, Juda i tha Tamarës të kthehej në shtëpinë e të atit derisa biri i tij i tretë, Shelahu, të bëhej për t’u martuar. Në fakt kjo ishte një taktikë diversive. Ai nuk donte fare që Shelahu të martohej me Tamarën; ai tashmë kishte humbur dy bij dhe e quante atë një «grua pa fat».
38:12-23 Kur Shelahu u rrit dhe Juda ende nuk e martoi me Tamarën, ajo vendosi t’ia «hidhte» atij duke i ngritur një kurth. Ajo u vesh si prostitutë dhe pastaj u ul te porta e Enaimit në rrugën drejt Timnahut, kur Juda po shkonte të takonte ata që qethnin delet e tij. Ai hyri tek ajo dhe pati një marrëdhënie të palejueshme me të, duke mos e ditur se ishte nusja e djalit të tij. Pazari ishte një kec nga kopeja, por derisa t’ia dërgonte, «prostituta» i kërkoi Judës vulën, kordonin dhe bastunin. Kordoni mund të ketë qenë lidhësja me anë të së cilës mbahej unaza që bënte vulën. Kur Juda u përpoq t’i çonte kecin dhe t’i ktheheshin pengjet, ai nuk mundi ta gjente «prostitutën».
38:24-26 Tre muaj më vonë, Tamara u akuzua se ishte hequr si prostitutë sepse ajo, si vejushë, kishte mbetur me barrë. Juda urdhëroi që të digjej. Në atë çast ajo i ktheu pengjet me shpalljen se pronari i tyre është babai i fëmijës së saj. Ato tregonin plotësisht se Juda kishte pasur marrëdhënie seksuale me të. Uolltër Rajti (Walter C. Wright) e përshkruan skenën gjallërisht:
Shoqëruesit e Judës i sjellin lajmin se e reja e tij, Tamara, ishte hequr si prostitutë. Gjykimi i tij është i menjëhershëm dhe i vendosur: le të digjet. Nuk ka as ngurrim, as dhembshuri. Ndërsa shpall këtë vendim të frikshëm, nuk mund të dallojmë asnjë dridhje të zërit të tij. Shoqëria izraelite duhet të ruhet nga një marrëzi dhe paudhësi të tillë. Fjala hapet, dita është caktuar, përgatitjet vazhdojnë, shtyllat e turrës së druve janë vendosur, pirgu është gati, vargani ecën, turma mblidhet, gruaja ecën drejt rrënimit të saj të dukshëm. Por ajo ka me vete shenjat, betimet janë me të, ajo mban shkopin dhe unazën. Dhe shkopi është shkopi i Judës dhe unaza është e tij! Betimet bëhen padia e gjyqit të saj. Çfarë peshe ka tani ky vendim {{3}}?
38:27-30 Kur Tamarës i erdhi koha e lindjes dhe lindi, mamia i lidhi një fije të kuqe flakë [fëmijës që nxori dorën], duke menduar se do të lindte i pari. Por dora u tërhoq dhe një fëmijë tjetër lindi i pari. Ajo ia vuri emrin të parëlindurit Perets (çaj me forcë) dhe tjetrit Zerah. Binjakët përmenden te Mateu 1:3, edhe pse gjenealogjia e Mesias vjen nga Peretsi. Zerahu ishte një paraardhës i Akanit (Jozueu 7:1). «Është mahnitëse» – komenton Grifit Tomasi – «që Perëndia mund të tendosë fijet e këtij lëmshi të ngatërruar dhe t’i endë në modelin e Tij» {{4}}.
Martesa e Judës me gruan kanaanite (v. 2) ishte hapi i parë i përzierjes së popullit të Perëndisë me një popull që ishte proverbial për imoralitetin e tij të madh. Izraeli do të ndotej prej një sasie të madhe adhurimi me një natyrë të fëlliqur. Perëndia është një Perëndi i ndarjes; kur vëllazërohemi me botën, do të paguajmë një çmim të tmerrshëm.
3. Prova dhe triumfi i Jozefit (Kapitulli 39)
39:1-19 Tashmë historia kthehet në Egjipt, ku Jozefi ishte caktuar kryeadministrator i shtëpisë së Potifarit […] kapiten i rojeve të pallatit të faraonit. Zoti qe me të dhe ai pasurohej (Tyndale, më 1534, ka përkthyer: ai ishte “njeri me fat”, v. 2). Gruaja e Potifarit u përpoq shumë herë ta joshte Jozefin, por ai me këmbëngulje e refuzoi. Ai nuk do ta tradhtonte besimin e zotërisë së tij, apo të mëkatonte kundër Perëndisë. Një ditë ajo e kapi nga rrobat. Ai i shpëtoi nga duart dhe iku, duke i lënë asaj rrobën në dorë. Ai humbi rrobën e tij, por ruajti karakterin e tij dhe fitoi një kurorë. Ajo e përdori rrobën e tij si «provë» që Jozefi ishte përpjekur ta dhunonte.
Besimtarët mësohen t’i largohen kurvërisë, idhujtarisë dhe epsheve rinore. Më mirë të ikësh sesa të biesh.
39:20-23 Pa një hetim të duhur zotëria e Jozefit e futi në burg; por edhe atje Jozefi bekohej nga Zoti dhe iu dha një pozitë me përgjegjësi. Fakti se Jozefi nuk u ekzekutua tregon se Potifari nuk i besoi plotësisht gruas së tij; ai e njihte karakterin e plotë të gruas së tij. E vërteta e Romakeve 8:28 shfaqet në mënyrë të mrekullueshme në këtë kapitull. Perëndia po vepronte pas skene për Jozefin. Ky i fundit i bëri ballë tundimit dhe u përpoq që t’i shmangej mëkatit (v. 8-10). Pavarësisht nga kjo, joshësja e tij ia hodhi. Dhe kështu për herë të dytë Jozefi e pa veten në zinxhirë (Psa. 105:17-19). Në ato rrethana ai duhej të mërzitej. Por ai nuk u kushtëzua «nga rrethanat»; ai qëndroi mbi to dhe pa dorën e Perëndisë në to. Koha e tij në burg ishte «një kohë përgatitjeje për kohën e mbretërimit». Kështu gjërat që u thurën nga të tjerët për të bërë keq u kthyen për të gjëra të mira.
4. Interpretimi i Jozefit të ëndrrave të kryekupëmbajtësit dhe kryebukëpjekësit (Kapitulli 40)
40:1-19 Midis të burgosurve me Jozefin ishin kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit (v. 1-4). Kur secili prej tyre pa një ëndërr, Jozefi ua interpretoi (v. 5-8). Ëndrra e kupëmbajtësit: e hardhisë, nënkuptonte se faraoni do ta ngrinte në krye të tri ditëve në një pozitë nderi (v. 9-15). Por ëndrra e bukëpjekësit: e tri shportave me bukë të bardhë, treguan se në krye të tri ditëve faraoni do t’i hiqte kokën – duke e varur (v. 16-19).
Vini re se Jozefi nuk priti që rrethanat e tij të ndryshonin. Ai përlëvdoi Perëndinë dhe u shërbeu të tjerëve në ato rrethana.
40:20-23 Kur kryekupëmbajtësi u çlirua nga burgu, ai nuk ndërhyri për Jozefin, ashtu siç pati premtuar (v. 23). Por Zoti nuk harroi. «Më kujto mua kur të jesh i lumtur» (v. 14). Shpëtimtari shqiptoi fjalë të ngjashme natën që u tradhtua, fjalë që mund t’u bindemi duke marrë bukën dhe verën simbolike.
5. Interpretimi i Jozefit i ëndrrave të faraonit (Kapitulli 41)
41:1-13 Kur asnjë nga magjistarët e Egjiptit nuk mund të interpretonin ëndrrën e faraonit të shtatë lopëve të hijshme e të majme dhe të shtatë lopëve të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, të shtatë kallinjve të trashë dhe të bukur dhe të shtatë kallinjve të hollë dhe të tharë kryekupëmbajtësi u kujtua për Jozefin dhe aftësinë e tij për të interpretuar ëndrrat. Dy vitet e përmendura në vargun 1 mund t’i referohen kohës së burgosjes së Jozefit apo kohës kur u lirua kryekupëmbajtësi.
41:14-32 I thirrur para faraonit, Jozefi shpjegoi se do të kishte shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit, të pasuar nga shtatë vite zie buke që do të shkatërronin vendin. Përsëritja e ëndrrës së faraonit nënkuptonte se këtë vendim e kishte marrë Perëndia dhe se Ai do të bëjë që të ndodhë shpejt. Ne e shohim këtë gjë edhe në dy ëndrrat e tjera të Jozefit që kishin të bënin me të ardhmen (Zanafilla 37:6-9) dhe në të njëjtin vegim të Danielit 2 dhe 7. Në Bibël dyshi është numri i dëshmisë. Jozefi i dha të njëjtën përgjigje faraonit në sallën mbretërore ashtu siç ua dha shërbëtorëve të tij në burg. «Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën…» (v. 16; kr. Zanafilla 40:8). Ishte kjo përulësi që bëri të mundur që Zoti ta pajiste Jozefin me një përgjegjësi të madhe pa pasur frikë se do ta prishte.
41:33-36 Jozefi e këshilloi faraonin të vinte mënjanë rezerva gruri gjatë viteve të bollëkut që të kishte mjaftueshëm gjatë viteve të zisë.
41:37-46 Faraoni ishte aq i kënaqur, saqë e bëri Jozefin të dytin në udhëheqje, duke e caktuar atë të administronte programin (v. 40), duke e siguruar se pa tëaskush nuk mund të bënte asgjë (v. 44) dhe i vuri atij një emër të ri, Cofnath-Paneah (v. 45a). Domethënia e emrit është i pasigurt. Disa hedhin idenë e Shpëtimtarit të botës; të tjerë thonë se ka gjasa të nënkuptojë Perëndia flet dhe Ai jeton. Ai gjithashtu i dha Asenathin, një pagane, që të ishte gruaja e Jozefit (v. 45). Si mund të vinte një të burgosur hebre në krye të vendit të Egjiptit mbi bazën e një interpretimi ëndrre pa pritur për të parë nëse ishte e vërtetë? Përgjigjja është te Fjalet e Urta 21:1: «Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai». Gjalpi del në krye. Jozefi ishte i pari jude i perëndishëm që mori pushtet në qeverisjen pagane. Ai ishte tridhjetë vjeç kur filloi shërbesën e tij (v. 46); kishin kaluar trembëdhjetë vjet që kur u shit nga vëllezërit e tij (kr. Zanafilla 37:2).
41:47-52 Bollëku i shtatë viteve të para ishte aq i madh, saqë ishte e pamundur të mbaje një regjistrim të përpiktë. Gjatë atyre viteve lindën dy bijtë e Jozefit – Manasi (bëj për të harruar) dhe Efraimi (i frytshëm). Duke harruar të këqijat që i bënë, Jozefi u bë i frytshëm.
41:53-57 Kur filluan shtatë vitet e zisë populli i uritur i Egjiptit dhe njerëzit e të gjitha vendeve vinin në Egjipt te Jozefi për të blerë grurë. Këtu Jozefi është një figurë (simbol) e Krishtit, nëpërmjet të cilit tërë bekimet e Perëndisë u jepen njerëzve të uritur të kësaj toke. Ishte parashikimi i Perëndisë që e çoi Jozefin në Egjipt për të shpëtuar popullin e tij nga zia e bukës, por ndodhi gjithashtu për t’i veçuar nga ndotja morale e vendit të Kanaanit. Kapitulli 38 ilustron se çfarë po u ndodhte bijve të Izraelit në Kanaan. Zgjidhja e Perëndisë ishte t’i çonte në Egjipt, ku do të shkëputeshin nga paganët (Zanafilla 43:32).
6. Vëllezërit e Jozefit në Egjipt (Kapitujt 42-44)
42:1-5 Skena kalon përsëri te Jakobi në Kanaan, ku zia e bukës ishte shumë e egër. Duke dëgjuar se në Egjipt kishte ushqim (grurë) me bollëk, por duke mos ditur se Jozefi ishte atje, Jakobi dërgoi dhjetë bijtë e tij për ushqim. Vetëm Beniamini mbeti në shtëpi. Për Jakobin Beniamini ishte biri i vetëm nga Rakela e tij e dashur.
42:6-25 Kur vëllezërit e Jozefit i dolën përpara, ai i priti me fjalë të ashpra duke i paditur se ishin spiunë, duke i futur në burg, pastaj kërkoi që vëllai i tyre më i vogël, Beniamini, të çohej para tij. Në fund, Simeoni, u mbajt si peng në burg, ndërsa nëntë të tjerët u kthyen në Kanaan për Beniaminin, të furnizuar më së miri me grurë, me ushqime dhe me paratë e tyre të kthyera mbrapsht, të futura në mënyrë të fshehtë në thasët e tyre. Në tërë rrëfimin shohim dashurinë dhe dhembshurinë e fshehur të Jozefit (v. 24a,25) dhe bindjen e tyre për mëkat për çfarë i kishin bërë vëllait «të humbur» para njëzet vjetësh (v. 21,22). Jozefi, sigurisht, po përpiqej që ata të rrëfenin mëkatin e tyre.
Ne besojmë se Jozefi është një figurë e marrëveshjes së Krishtit me vëllezërit e Tij judenj gjatë periudhës së Mundimit të Madh. Ngjarjet që çojnë në pajtimin e vëllezërve të Jozefit formojnë një ndër pjesët më emocionuese në Bibël. Gati asnjë histori tjetër nuk është kaq e afërt, e hollësishme apo e plotë e figurës së Krishtit.
SIMBOLIKA (TIPOLOGJIA)
Disa njerëz, ndodhi dhe gjëra në DhV në mënyrë të qartë njëjtësohen si «figura ose tipa» (nga greqishtja tupoi) apo simbole në DhR. Prandaj, për Adamin thuhet se është një figurë e Krishtit (Rom. 5:14). Të tjerë nuk janë njëjtësuar në mënyrë të veçantë si figura, megjithatë paralelizmat janë të shumta dhe shumë të qarta për t’u mohuar. Për Jozefin, për shembull, nuk përmendet të jetë një figurë e Zotit Jezus, megjithatë ekzistojnë mbi njëqind lidhje midis Jezusit dhe atij.
Kur Zoti Jezus u foli dy dishepujve të mërzitur në rrugën për në Emaus: «U shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin Atij» (Luka 24:27). Krishti i mishëruar ka thënë: «Në rrotullin e librit është shkruar për Mua…» (Heb. 10:7). Prandaj përligjemi nëse shohim Krishtin në të gjitha Shkrimet.
Për sa i përket përvojave të Izraelit në DhV, Pali na thotë se: «të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull (greqisht, tupoi), dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokës» (1 e Korintasve 10:11). Kjo mbështet fort paraqitjen se jo vetëm figurat e veçanta [d.m.th. ato që janë përmendur në mënyrë të veçantë se janë figura të Krishtit] janë të vlefshme, por shumë më tepër se aq.
Pali i kujton Timoteut se i tërë Shkrimi është i dobishëm (2 Tim. 3:16). Ka mësime frymërore që duhen mësuar, nëse vetëm kemi sy për t’i parë.
Pjesë të mëdha të Librit të Hebrenjve janë një shpjegim i simbolikës së tabernakullit dhe pajisjeve të tij. Ndërsa është e vërtetë se një pikëpamje shumë e ngushtë e simbolikës do të ngushtojë gëzimin frymëror të besimtarit të pjesës më të madhe të DhV, skaji tjetër i bërjes së çdo gjëje një figurë, apo kthimi i tërë historisë në alegori duhet gjithashtu të shmanget.
Shpjegimet e nxitura me zor apo trilluese të figurave kanë shkaktuar emër të keq mbi këtë temë. Ne nuk duhet të lejojmë ekstremizmin për të na plaçkitur pasurinë frymërore në DhV. Nëse një interpretim e ngre Krishtin dhe/ose e ndërton popullin e Tij, dhe/ose u përcjell ungjillin të humburve, dhe është në përputhje me tërë mësimin e Fjalës, është në fund të fundit një zbatim i vlefshëm i së vërtetës.
42:26-28 Gjatë rrugës për në shtëpi, një nga vëllezërit gjeti paratë e tij në grykë të trastës. Kjo u shkaktoi panik, duke i bërë të kishin frikë se mund të akuzoheshin për vjedhje (v. 26-28).
42:29-38 Kur u kthyen në shtëpi dhe treguan historinë e tyre, edhe të tjerët gjetën paratë e tyre dhe frika e tyre u bë edhe më e madhe. Jakobi nuk gjente ngushëllim. Pavarësisht nga oferta e dy bijve të Rubenit si garanci, patriarku kishte frikë të lejonte Beniaminin të shkonte në Egjipt se mos i ndodhte ndonjë fatkeqësi.
43:1-15 Më në fund Jakobi u detyrua nga egërsia e zisë së bukës për të vepruar. Vëllezërit nuk mund të ktheheshin pa Beniaminin – ky qe kushti i paraqitur nga guvernatori, Jozefi. Kështu Juda pranoi të qëndronte si garant për Beniaminin dhe Jakobi pranoi ofertën. Në këtë pikë, më në fund, Juda këtu na kujton pasardhjen e tij, Zotin Jezus, që u bë Garanti ynë në kryqin e Kalvarit. Jakobi i dërgoi një dhuratë guvernatorit të Egjiptit, që përbëhej nga pak balsam, pak mjaltë, disa aroma e mirrë, fistikë dhe bajame – gjëra që nuk u prekën nga zia. Ai gjithashtu nguli këmbë që të merrnin dyfishin e shumës së parave në rast se kthimi i parave kishte qenë një gabim.
43:16-25 Jozefi u emocionua shumë kur pa përsëri vëllezërit e tij, por ende nuk u tregoi se kush ishte. Ai i urdhëroi shërbëtorët e tij të përgatisnin një gosti. Kur vëllezërit i shpunë në shtëpinë e Jozefit, menduan se ishin aty për të diskutuar për shkak të atyre parave që gjetën në trastat e tyre. Ata i shpjeguan me hollësi kryeshërbëtorit dhe ai u tha se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Shënimet e tij tregonin se ata kishin paguar plotësisht për ato që kishin marrë. Simeoni u lirua nga burgu dhe u bashku me ta në përgatitjen për gostinë. Ata morën dhuratën e atit të tyre që t’ia jepnin Jozefit kur të mbërrinte në mesditë.
Nëse bëjmë pyetjen se kur u zbuluan me të vërtetë paratë, në rrugën për në Kanaan (Zanafilla 42:27; 43:21) apo kur mbërritën në praninë e Jakobit (Zanafilla 42:35), përgjigjja është në të dyja rastet. Zbulimi ndodhi në dy etapa. Një vëlla hapi trastën e tij rrugës, të tjerët kur mbërritën në shtëpi. Kuptohet se kur ia treguan ndodhinë shërbëtorit të Jozefit (Zanafilla 43:21), u paraqit një rrëfim përmbledhës (Shënime të përditshme të Scripture Union).
43:26-34 Kur Jozefi mbërriti, vëllezërit e tij u përkulën para tij duke përmbushur ëndrrën e tij (Zanafilla 37:7). Ai u mbush me emocion ndërsa pyeti për familjen dhe takoi Beniaminin. Në gosti ai hëngri veçmas; njëmbëdhjetë vëllezërve iu dha ushqimi veçmas; dhe egjiptianët hanin nga ana tjetër veçmas. Çudia e vëllezërve u shtua duke parë se ishin ulur sipas moshës së tyre. Si mund të dinte dikush nga Egjipti radhën e tyre të lindjes? Një nder i veçantë u tregua për Beniaminin, vëllanë e vërtetë të Jozefit.
44:1-13 Kur vëllezërit po bëheshin gati për t’u kthyer në Kanaan, Jozefi dha urdhër që kupa e tij të vendosej në trastën e Beniaminit. Ajo nuk ishte kupa nga e cila pinte, por ajo që përdorte për të parathënë të ardhmen – mbase duke iu referuar interpretimit të ëndrrave.
Më vonë popullit të Perëndisë iu ndalua të praktikonte parathënien e ëndrrave (Ligji i Perterire 18:10-12). Por deri në atë kohë, nuk ka gjasa që Jozefi të ketë praktikuar format egjiptiane të parashikimit të fatit. Intuita dhe largpamësia e tij vinin nga Zoti, por mbase duke përdorur kupën si një mbështetëse, ai dëshironte t’u bënte të ditur mendjeve të vëllezërve se ishte një egjiptian.
Më pas, kur vëllezërit e Jozefit u paditën se kishin vjedhur kupën, ata e quajtën veten të pafajshëm, duke qenë të gatshëm të vdisnin nëse gjendej te secili prej tyre. Shërbëtori i Jozefit pranoi se fajtori do të ishte shërbëtori i tij. Kur kupa u gjend te trasta e Beniaminit, vëllezërve iu copëtua zemra dhe u kthyen në qytet.
44:14-17 Pasi Jozefi i qortoi, Juda hodhi idenë që të gjithë të bëheshin skllevërit e tij, por Jozefi tha se Beniamini do të ishte i tillë dhe të tjerët mund të shkonin të lirë në shtëpi. Veprimi i tij, duke fshehur kupën prej argjendi në trastën e Beniaminit dhe moslejimi i Beniaminit për të shkuar, ishte planifikuar me qëllim që të nxirrte në pah fajin e tyre. Xhorxh Uilliamsi (George Williams) shkruan:
Ai veproi në atë mënyrë për të nxjerrë në pah mëkatin e tyre, që ata ta rrëfenin me buzët e tyre…. Burgimi i Simeonit dhe më pas moslejimi i Beniaminit u planifikua me zotësi në mënyrë që të zbulonte nëse ishin ende moskokëçarës ndaj britmave të një vëllai rob dhe lotëve të një ati që mbante zi. Plani i tij doli me sukses; vendosmëria dhe dashamirësia e tij bënë që t’i shqetësonte; dhe mirësia e tij ndihmoi që t’i çonte në pendim {{5}}.
E tërë skena është një dritëhije e ditës së ardhshme kur pjesa e mbetur e Izraelit do të rrëfejë fajin e saj në lidhje me vdekjen e Mesias dhe do të mbajë zi për Të, ashtu siç mban zi një njeri për birin e tij të vetëm (Zakaria 12:10).
44:18-34 Juda iu afrua Jozefit dhe dha një përmbledhje të hollësishme të përfshirjes së Beniaminit – se si Jozefi kishte kërkuar që ta takonte, se si babai i tyre që ishte ende i trishtuar me humbjen e birit të tij kishte kundërshtuar ta çonin Beniaminin në Egjipt dhe se si Juda kishte ofruar veten e tij si garant për sigurinë e Beniaminit. Juda tha se ati i tyre do të vdiste nëse vëllezërit do të ktheheshin pa Beniaminin, kështu që qe gati të qëndronte në Egjipt dhe të shërbente si skllav në vend të Beniaminit.
Çfarë ndryshimi kishte ndodhur te Juda! Në kapitullin 37 ai në mënyrë të pamëshirshme e shiti Jozefin për të përfituar, pa e vrarë mendjen për thyerjen e zemrës së babait të tij. Në kapitullin 38 ai u përfshi në mashtrim dhe imoralitet. Por Perëndia kishte vepruar në zemrën e tij, kështu që në kapitullin 43 ai u bë garant për Beniaminin. Tani në kapitullin 44 ai derdh zemrën e tij për ndërmjetësim para Jozefit, duke dhënë veten si skllav që të mos i shkaktonte atit të tij brengën e humbjes së Beniaminit. Që të mos shitej vëllai në skllavëri u bë skllav në vend të tij; nga pashpirtmëria ndaj babait të tij tani jepte jetën për mirëqenien e tij – kjo është rritja e hirit të Perëndisë në jetën e Judës!
7. Jozefi zbulon veten para vëllezërve të tij (Kapitulli 45)
45:1-8 Në një ndër skenat më prekëse të të gjithë Biblës, Jozefi i urdhëroi shërbyesit e tij të dilnin jashtë nga dhoma ndërsa, me një çlirim të madh emocional, iu zbuloi identitetin e tij vëllezërve të tij. Ai u tha të mos trishtoheshin për mënyrën se si ishin sjellë me të, sepse Perëndia e kishte përdorur për mirë.
45:9-15 Ata do të sillnin atin, shtëpinë dhe zotërimet e tyre në Goshen të Egjiptit për pesë vitet e tjera të zisë. «Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt» – një urdhër që edhe ne mund t’i bindemi kur rrëfejmë para Perëndisë lavditë e Birit të Tij të dashur. Burimet e thellësisë së madhe shpërthyen ndërsa Jozefi përqafoi Beniaminin dhe më pas puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij.
Kjo është një paraqitje e lumtur e gëzimit që i pret njerëzit e Izraelit kur Krishti i Kalvarit do t’u shfaqet atyre dhe do të zbulojë Vetveten si Mesia e Mbreti i tyre.
45:16-24 Kur faraoni dëgjoi atë që po ndodhte, ai u tha vëllezërve të Jozefit të sillnin atin dhe familjet e tyre nga Kanaani, por të mos shqetësoheshin të sillnin pajisjet e rënda dhe të mirat, sepse ai do të siguronte çdo gjë që kishin nevojë. Kështu që ata u kthyen në Kanaan me varganë të siguruara nga faraoni dhe me orendi, kafshë dhe ushqime të mrekullueshme nga Jozefi. Beniamini mori para si dhuratë dhe një gardërobë të veçantë. Duke pasur frikë se vëllezërit e tij mund të padisnin njëri-tjetrin për fajin e tyre ngaqë e kishin keqtrajtuar atë vite më parë, Jozefi i paralajmëroi që të mos ziheshin rrugës për në shtëpi.
45:25-27 Sapo mbërritën në shtëpi, ata i dhanë lajmin Jakobit. Në fillim nuk arrinte ta besonte. Por kur dëgjoi tërë historinë dhe pa qerret e ngarkuara, e kuptoi se ishte e vërtetë – Jozefi ishte akoma gjallë dhe do të takoheshin përsëri!
Jozefi përmend atin e tij pesë herë në këtë kapitull. Kjo zbulon që ai i ngjante Krishtit në karakterin e tij, përveç faljes që i bëri vëllezërve të tij. Ishte dashuria e Zotit tonë ndaj Atit të Tij dhe dëshira e Tij që të bënte vullnetin e Atit që e solli në botë të shpengonte njerëzit e rënë. Dashuria e Jozefit për Jakobin nuk është gjë tjetër veçse dritëhija e asaj dashurie.
8. Bashkimi i Jozefit me familjen e tij (Kapitulli 46)
46:1-7 Në rrugën për në Egjipt, Izraeli e ndali varganin në Beer-Shebën historike për të adhuruar Perëndinë e atit të tij Isak. Ky ishte vendi ku Zoti iu shfaq Abrahamit në lidhje me ofertën e Isakut (Zanafilla 21:31 – Zanafilla 22:2). Ishte gjithashtu vendi ku Zoti iu shfaq Isakut (Zanafilla 26:23,24). Tashmë Ai i shfaqet Jakobit për t’i dhënë zemër. Kjo është shfaqja e shtatë e Zotit ndaj tij. Premtimi i dytë i vargut 4 duket se tregon se Jakobi do të kthehej në Kanaan. Faktikisht ai vdiq në Egjipt. Por premtimi u përmbush në dy mënyra. Trupi i tij u kthye në Kanaan për t’u varrosur dhe, në një farë kuptimi, ai u kthye gjithashtu kur pasardhësit e tij u kthyen në ditët e Jozueut. Shprehja: «Jozefi do të t’i mbyllë sytë»parathotë një vdekje në paqe. Atkinsoni e shpjegon idiomën në mënyrë të mrekullueshme:
…Jozefi do t’i mbyllte sytë e të atit në kohën e vdekjes së tij. Jozefi do të ishte me të kur ai vdiq. Vini re premtimin vetjak bërë në mënyrë të hirshme Jakobit, që do t’i plotësonte atij vitet e gjata të brengës dhe të zisë për Jozefin. Perëndia kujdeset për nevojat vetjake të shërbëtorëve të Tij (1 Pjetrit 5:7) {{6}}.
Dhe kështu Jakobi shkoi në Egjipt me tërë pasardhësit e tij, bagëtinë dhe sendet e tij vetjake.
46:8-27 Në vargjet 8-27 kemi regjistrimin e familjes së Jakobit dhe bijve të tij. Ishin gjashtëdhjetë e gjashtë pjesëtarë (v. 26) që erdhën me Jakobin në Egjipt. Ka disa vështirësi në përputhjen e këtij numri me shtatëdhjetën e vargut 27, Eksodi 1:5 dhe shtatëdhjetë e pesën e Veprat e Apostujve 7:14. Shpjegimi më i dukshëm është se numri shtrihet nga pasardhësit e drejtpërdrejtë deri te rrethi më i gjerë i kushërinjve.
46:28-34 Takimi epik midis Izraelit dhe Jozefit ndodhi në Goshen, zona më pjellore e Egjiptit, afër deltës së Nilit. Jakobit dhe bijve të tij u pëlqeu të qëndronin atje, meqë kishin kullotën më të mirë për bagëtitë e tyre. U pranua për ta njoftuar faraonin që ata ishin barinj. Meqë barinjtë përçmoheshin nga egjiptianët, faraoni do t’i lejonte të jetonin në vendin e Goshenit, pak larg nga pallati mbretëror. Në Goshen ata ishin të veçuar nga bashkëjetesa shoqërore me egjiptianët, së pari për shkak të kombësisë së tyre (Zanafilla 43:32) dhe së dyti për shkak të punës. Perëndia i la në atë «inkubator» derisa u bënë një komb i fortë, të zotë të zotëronin vendin që Ai u premtoi paraardhësve të tyre.
9. Familja e Jozefit në Egjipt (Kapitulli 47)
47:1-6 Kur pesë nga vëllezërit e Jozefit i thanë faraonit se ishin barinj, ai u përgjigj, ashtu siç pritej, duke u thënë të vendoseshin në kullotat e njoma të Goshenit. Ai gjithashtu i kërkoi Jozefit të gjente burra të zotë midis kushërinjve të tij për t’u kujdesur për tufën mbretërore.
47:7-12 Jozefi bëri të mundur që ati i tij, i cili ishte njëqind e tridhjetë vjeç, të dilte para faraonit. Fakti që Jakobi e bekoi faraonin do të thotë se ky jude i moshuar dhe i zymtë ishte më i madh se pushtetari i Egjiptit, sepse më i vogli bekohet nga më i madhi (Heb. 7:7). Jakobi tha se ditët e tij kishin qenë të pakta dhe të këqija. Ai kishte duruar pjesën më të madhe të të keqes mbi supet e veta! Jozefi e vendosi familjen e tij në pjesën më të mirë të Egjiptit dhe siguroi gjithçka për të cilën patën nevojë. Jeta e tyre qe jeta me të vërtetë më e bollshme.
47:13-26 Kur populli i Egjiptit dhe Kanaanit kishte harxhuar tërë paratë e tyre për ushqim, Jozefi pranoi bagëtinë e tyre si pagesë. Pastaj më vonë bleu […] tërë tokat, përveç asaj që i përkiste priftërinjve të Egjiptit; u dha popullit farën që të mbillnin dhe u vu e pesta si haraç mbi të korrat për qiranë e tokës, një marrëveshje shumë e drejtë.
47:27-31 Ndërsa Izraelit po i vinte fundi, e detyroi Jozefin të betohej që ta varroste në Kanaan. Pastaj u mbështet te koka e shtratit të tij (apo «në majë të shkopit të tij», Heb. 11:21). Në fakt të njëjtat bashkëtingëllore në hebraishte mund të lexohen qoftë «shtrat», qoftë «shkop», në varësi të zanoreve që u bashkëngjiten. Teksti tradicional hebraik shkruan shtrat, por te Septuaginta, cituar në pjesën e Hebrenjve, shkruan «shkop». Kidneri komenton:
Ndërsa të dy versionet shkruajnë «shtrat» te Zanafilla 48:2, ky rast flet për Jakobin para sëmundjes së tij të fundit (kr. Zanafilla 48:1) dhe «shkopi» mund të jetë domethënia e drejtë. Do të ishte një mësim i duhur të përmendet si simboli i shtegtimit të tij (kr. fjalët e tij plot hir te Zanafilla 32:10), i denjë për spikatjen që merr në pjesën e Dhiatës së Re {{7}}.
Dhe kështu ish-mashtruesi po e mbyllte jetën e tij në një veprim adhurimi. Ai është heroi i vetëm i besimit tek Hebrenjve 11 që lavdërohet si një adhurues. Ai kishte kryer një udhë të gjatë nën hirin e Perëndisë dhe së shpejti do të shkonte në kulmin e lavdisë.
10. Bekimi i Jakobit ndaj bijve të Jozefit (Kapitulli 48)
48:1-7 Kur i thanë Jozefit se ati i tij ishte i sëmurë, ai nxitoi t’i shkonte te koka e shtratit me Efraimin dhe Manasin. Patriarku që po vdiste u ul mbi shtratin e tij dhe i birësoi dy nipat e tij si të vetët. Duke bërë këtë, paracaktoi që fisi i Jozefit do të merrte një pjesë të dyfishtë nga vendi i Kanaanit kur do të ndahej midis fiseve vite më vonë. Jozefi në këtë mënyrë fitoi të drejtën e parëbirnisë për sa i përket territorit. Çdo pasardhës që do t’i lindte Jozefit pas tyre do të ishte i Jozefit, jo i Jakobit, dhe do të banonte në territoret e paracaktuara Efraimit apo Manasit. Vargu 7 shpjegon pse donte Jakobi që të birësonte bijtë e Jozefit si të tijtë. Ata ishin nipërit e tij nga gruaja e tij e dashur, Rakela, për të cilën mendonte se kishte vdekur para kohe.
48:8-22 Pastaj Jakobi i bekoi nipërit, duke i dhënë të drejtën e parëbirnisë Efraimit, që ishte më i riu. Jozefi u përpoq ta rregullonte këtë në të mirë të Manasit, të parëlindurit, por Jakobi tha se e kishte bërë këtë me qëllim. Çfarë kujtimesh do t’i kenë shkuar nëpër mend ndërsa, me besim, bekonte më të riun. Vite më parë ati i tij e kishte bekuar pa e ditur se ishte ai, më i riu. Por tani ai po bekonte më të riun, jo nga padija, por ngaqë kishte lidhje me Perëndinë që i takon e ardhmja. Izraeli kishte besim se pasardhësit e tij një ditë do të ktheheshin në tokën e premtuar. Jakobi i dha Jozefit një zonë malore që kishte rrëmbyer nga amorejtë. Mbase kjo i referohet zonës që përfshin pusin që u njoh si «pusi i Jakobit» (Gjoni 4:5).
11. Profecia e Jakobit rreth bijve të tij (Kapitulli 49)
49:1,2 Fjalët e fundit të Jakobit qenë si një profeci (v. 1) po ashtu edhe një bekim (v. 28).
49:3,4 Rubeni, si i parëlinduri, përfaqësonte parësinë e forcës burrërore të babait të tij në mbrojtje dhe zuri vendin e fuqisë dhe të dinjitetit. E drejta e parëbirnisë, me pjesën e dyfishtë, i përkiste atij. Por ai e humbi epërsinë e tij ngaqë e shkriu me pasion të errët dhe mëkatoi me Bilhahun, konkubinën e atit të tij (Zanafilla 35:22).
49:5-7 Ngaqë këta vëllezër kishin vrarë njerëzit e Sikemit dhe u kanë prerë leqet e këmbëve demave, Simeoni dhe Levi do të ndaheshin te Jakobi dhe do të shpërndaheshin te Izraeli. Në kohën e numërimit të dytë (Num. 26) këta ishin fiset më të vegjël. Kjo shpërndarje u përmbush gjithashtu kur fisi i Simeonit u pushtua nga Juda (Jozueu 19:1-9) dhe fisit të Levit iu dhanë 48 qytete në tërë tokën. Jakobi mallkoi mashtrimin e tyre mizor, por jo njerëzit e këtyre dy fiseve.
49:8-12 Juda (që do të thotë lavdërim) do të lavdërohej dhe do të respektohej nga vëllezërit për shkak të fitoreve mbi armiqtë e tij. Ai krahasohet me një luan që del për të rrokur prenë, pastaj kthehet në prenë e vetë merituar, të cilën askush nuk guxon ta shqetësojë. Ashtu siç trashëgoi Jozefi të drejtën e parëbirnisë për sa i përket territorit, po kështu Juda e trashëgoi për sa i përket qeverisjes. Udhëheqja do të vazhdonte në këtë fis derisa të vinte Shilohu (Mesia) dhe në Të do të qëndronte përgjithnjë. Popujt e Tij do t’i binden plotësisht në ditën e fuqisë së Tij. Domethënia e emrit «Shiloh» është e zymtë. Disa mendojnë se nënkuptimet janë: Princ i paqes, qetësi, farë (e Judës), pasardhës i tij, që është (kr. Eze. 21:27).
49:13 Zabuloni do të gëzonte begati nga tregtia detare. Meqë territori i këtij fisi në kohët e DhV qe i bllokuar, kjo profeci ruhet për Mijëvjeçarin.
49:14,15 Isakari lidhet me një gomar të fuqishëm, aq i kënaqur saqë rri i shtrirë nëpër rrethina kullotash, e saqë nuk i duhet të luftojë për pavarësi por i nënshtrohet zgjedhës së armikut.
49:16-18 Dani, ashtu siç ka edhe emrin, do të merrej me gjykimin e popullit. Vargu 17 është i vështirë. Mund të bëjë fjalë për futjen e Danit në idhujtari, gjë që bëri që kombi të rrëzohet (Gjyqtaret 18:30,31). Shumë mendojnë se kemi të bëjmë me një referim të fshehur të pasardhësit të antikrishtit nga Dani dhe se kjo është arsyeja se pse ky fis nuk përmendet te 1 i Kronikave 2:3 – 1 i Kronikave 8:40 dhe Zbulesa 7:3-8. Në vargun 18 Jakobi paraqet një lutje për çlirimin përfundimtar të popullit të tij nga armiqtë e tyre apo për vetë çlirimin e tij.
49:19 Gadi, i pambrojtur në territorin e tij lindor të Jordanit, do të ishte qendër e sulmeve armike. Por fisi do të shkelë trupat e armiqve të tij.
49:20 I lumi Asher (që do të thotë i lumtur), sepse fisi i tij do të kishte toka pjellore agrokulturore, që do të prodhonin begati, kënaqësi të përshtatshme për një mbret.
49:21 Neftali lidhet me një drenushë që është liruar nga rrethimi. Ai del me një shpejtësi të madhe për të sjellë lajme të mira. Tërë dishepujt prisnin që tradhtari të dilte nga territori i Neftalit dhe një pjesë e mirë e shërbesës së Zotit u krye atje (Mat. 4:13-16).
49:22-26 Rreth territorit të Efraimit dhe Manasit Jozefi është një degë e një druri frytdhënës, që përcjell bekime përtej kufijve të tij. Ai qe shënjestra e armiqësisë më të egër, por nuk u dorëzua, sepse forcohej nga i Fuqishmi i Jakobit – Ai prej të cilit do të vinte Bariu dhe Shkëmbi i Izraelit (pra Mesia). Perëndia bekon Jozefin me shi të bollshëm, puse dhe burime vërshuese dhe pasardhje të shumtë. Jakobi mendon përulësisht se ai ishte bekuar më tepër se paraardhësit e tij. Tani ai dëshiron që bekime të tilla t’i kalojnë Jozefit, atij që u nda nga vëllezërit e tij.
49:27 Beniamini, një fis luftëtarësh, do të pushtonte vazhdimisht dhe do të ndajë prenë. Dikush ka thënë se Beniamini tregoi se qe disi më i gjalli dhe më luftaraku i tërë fiseve.
49:28-33 Për ta mbyllur, Jakobi i udhëzoi bijtë e tij ta varrosnin në shpellën […] e Makpelahut afër Hebronit, vendi i varrimit të Abrahamit dhe Sarës, Isakut dhe Rebekës dhe Leas. Pastaj mblodhi këmbët në shtrat dhe vdiq.
12. Vdekja e Jakobit dhe pastaj e Jozefit në Egjipt (Kapitulli 50)
50:1-14 Edhe egjiptianët e qanë shtatëdhjetë ditë Jakobin kur vdiq. Trupin e tij e balsamosën mjekët e pallatit. Pastaj faraoni i dha leje Jozefit që ta çonte trupin në Kanaan, me një vargan të madh zyrtarësh, kushërinjsh dhe shërbëtorësh. Ata u ndalën në lindje të Jordanit dhe vajtuan për shtatë ditë aq thellë, saqë kanaanejtë e quajtën atë vend Abel-Mitsraim, livadh (apo zi) i Egjiptit. Pasi kryen varrosjen në shpellën e Malpelahut në Hebron, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me shoqëruesit e tij.
50:15-21 Kur Jakobi vdiq, vëllezërit e Jozefit kishin frikë se ai mund të hakmerrej mbi ta. Ata i çuan fjalë atij, duke thënë se ati i tyre Jakob kishte lënë amanet që Jozefi t’i falte. Jozefi përgënjeshtroi çdo qëllim për t’u hakmarrë apo për t’i gjykuar, meqë ishte e drejta e posaçme e Perëndisë. Ai më pas zbuti frikën e tyre me fjalët e paharrueshme: «Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës…».
50:22-26 Jozefi ishte, ashtu siç duket, i pari nga dymbëdhjetë bijtë e Jakobit që vdiq. Ky është viti i 54-t pas vdekjes së të atit. Besimi i tij që Perëndia do të kthente popullin e Izraelit në Kanaan lavdërohet te Hebrenjve 11:22. Ai dha udhëzime që kockat e tij të varroseshin në atë tokë.
Është treguar se Zanafilla hapet me krijimin e përsosur të Perëndisë dhe mbyllet me një arkivol në Egjipt. Ky është një libër biografish. Ndërsa dy kapituj i kushtohen një rrëfimi mbi krijimin e qiejve dhe tokës, dyzet e tetë kapituj shtjellojnë gjerësisht jetët e burrave dhe grave. Perëndia interesohet së pari për njerëzit. Çfarë ngushëllimi dhe sfide për ata që e njohin!
[[1]] Arthur W. Pink, Gleanings in Genesis, f. 343-408.[[1]][[2]] I njëjti referim si më lart, f. 343-48.[[2]]
[[3]] Walter C. Wright, Psalms, II:27.[[3]]
[[4]] Griffith Thomas, Genesis, f. 366.[[4]]
[[5]] Williams, Student’s Commentary, f. 39.[[5]]
[[6]] Basil F. C. Atkinson, The Pocket Commentary of the Bible, The Book of Genesis, f. 405.[[6]]
[[7]] Kidner, Genesis, f. 212.[[7]]
BIBLIOGRAFI
Atkinson, Basil F. C. The Pocket Commentary of the Bible. The Book of Genesis. Chicago: Moody Press, 1957.
Campbell, Murdoch. The Loveliest Story Ever Told. Inverness: Highland Printers Ltd., 1962.
Grant, F. W. Genesis in the Light of the New Testament. New York, Loizeaux Bros. Inc., n.d.
Grant, F. W. “Genesis”, The Numerical Bible. Vëll. 1, Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1977.
Keil, C. F dhe Delitzsch, F. “Genesis”, Biblical Commentary on the Old Testament.Vëll. 3. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1971.
Kidner, Derek. Genesis. Komentarët Tyndale të Dhiatës së Vjetër. Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1973.
Pfeiffer, Charles F. The Book of Genesis. Grand Rapids: Baker Book House, 1976.
Pink, Arthur W. Gleanings in Genesis. Chicago: Moody Press, 1922.
Ross, Allen P. “Genesis”, The Bible Knowledge Commentary. Wheaton: Victor Books, 1985.
Spence, H. D. M. dhe Exell, J. S. “Genesis”, The Pulpit Commentary, Genesis. New York: Funk dhe Wagnalls, n.d.
Thomas, W. H. Griffith. Genesis: A Devotional Commentary. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1973.
Yates, Kyle M., Sr. “Genesis”, The Wycliffe Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1968.