BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Abijami, mbreti i Judës
15:1 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami filloi të mbretërojë mbi Judën.
15:2 Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.
15:3 Ai kreu mëkatet që i ati kishte bërë para tij dhe zemra e tij nuk iu shenjtërua plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.
15:4 Megjithatë për dashurinë që ushqente për Davidin, Zoti, Perëndia i tij, i la një llambë në Jeruzalem, dhe e ngriti të birin mbas tij dhe e bëri të qendrueshëm Jeruzalemin,
15:5 sepse Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut.
15:6 Midis Roboamit dhe Jeroboamit pati luftë sa qe gjallë Roboami.
15:7 Pjesa tjetër e bëmave të Abijamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Pati luftë midis Abijamit dhe Jeroboamit.
15:8 Pastaj Abijamin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa.
Asa, mbret i Judës
15:9 Në vitin e njëzet të mbretërisë së Jeroboamit, mbretit të Izraelit, Asa filloi të mbretërojë në Judë.
15:10 Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.
15:11 Asa bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu si i ati Davidi.
15:12 Eliminoi nga vendi ata që merreshin me kurvëri të shenjtë dhe tërë idhujtë e krijuar nga etërit e tij.
15:13 Hoqi nga posti i mbretëreshës nënën e tij Maakah, sepse ajo kishte bërë një idhull të neveritshëm të Asherahut; Asa e rrëzoi atë idhull të neveritshëm dhe e dogji pranë përroit Kidron.
15:14 Por vendet e larta nuk u eliminuan; megjithatë zemra e Asas mbeti plotësisht e shenjtëruar Zotit gjatë gjithë jetës së tij.
15:15 Ai solli në shtëpinë e Zotit gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat që ai vetë i kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe enët.
15:16 Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre.
15:17 Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun, me qëllim që të pengonte këdo që të shkonte ose të vinte nga Asa, mbret i Judës.
15:18 Atëherë Asa mori tërë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror dhe ua dorëzoi shërbëtorëve të tij; mbreti Asa i dërgoi pastaj te Ben-Hadadi, bir i Tabrimonit, që ishte bir i Hezionit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, për t`i thënë:
15:19 “Le të ketë aleancë midis teje dhe meje ashtu si ka pasur midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj një dhuratë ari dhe argjendi; shko dhe prishe aleancën tënde me Baasham, mbretin e Izraelit, me qëllim që ai të tërhiqet nga unë”.
15:20 Ben-Hadadi dëgjoi këshillat e mbretit Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qytetit të Izraelit; pushtoi Ijoin, Danin, Abel-Beth-Maakahun dhe tërë krahinën e Kinerothit me gjithë vendin e Neftalit.
15:21 Sapo Baasha e mësoi këtë lajm, ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe qëndroi në Tirtsah.
15:22 Atëherë mbreti Asa thirri tërë ata të Judës, pa përjashtuar asnjë; ata morën nga Ramahu gurët dhe lëndën që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar, dhe me këto materiale mbreti Asa ndërtoi Geban e Beniaminit dhe Mitspahun.
15:23 Pjesën tjetër të bëmave të Asas, të gjitha trimëritë e tij, të gjitha ato që bëri dhe qytetet që ndërtoi a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Por në pleqëri ai vuante nga një dhimbje te këmbët.
15:24 Pastaj e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jozafati.
Nabadi, mbret i Izraelit
15:25 Nadabi, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izrael vitin e dytë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në Izrael dy vjet.
15:26 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e atit të tij dhe mëkatin në të cilin e kishte futur Izraelin.
15:27 Pastaj Baasha, bir i Ahijahut, nga shtëpia e Isakarit, komplotoi kundër tij dhe e vrau në Gibethon që u përkiste Filistejve, ndërsa Nadabi dhe tërë Izraeli kishin rrethuar Gibethonin.
15:28 Baasha e vrau në vitin e tretë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij.
15:29 Me t`u bërë mbret, ai shfarosi tërë shtëpinë e Jeroboamit; nga Jeroboami s`la të gjallë asnjë, për e shfarosi krejt shtëpinë e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoit me anë të shërbëtorit të tij Ahijah, Shilonitit,
15:30 për shkak të mëkateve të Jeroboamit, të kryera nga ai dhe që Izraeli i kreu me nxitjen e tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.
15:31 Pjesa tjetër e bëmave të Nadabit dhe të gjitha atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
15:32 Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë kohës së jetës së tyre.
Baasha, mbret i Izraelit
15:33 Vitin e tretë të sundimit të Asas, mbretit të Judës, Baasha, bir i Ahijahut, filloi të mbretërojë mbi tërë Izraelin në Tirtsah; dhe mbretëroi njëzet e katër vjet.
15:34 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vazhdoi rrugët e Jeroboamit dhe mëkatin që ky e kishte shtyrë Izraelin të kryente.