1 Mbretërve 22

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fushata e tretë e Ashabit kundër Sirëve: profetët e rremë parashikojnë fitoren

22:1 Kaluan tre vjet pa luftë midis Sirisë dhe Izraelit.

22:2 Por në vitin e tretë Jozafati, mbreti i Judës, zbriti të takohet me mbretin e Izraelit.

22:3 Mbreti i Izraelit u kishte thënë shërbëtorëve të tij: “Ju nuk e dini që Ramothi i Galaadit është yni dhe ne po rrimë të qetë pa e rimarrë nga duart e mbretit të Sirisë?”.

22:4 Pastaj i tha Jozafatit: “A nuk do të vije të luftoje me mua në Ramoth të Galaadit?”. Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit me këto fjalë: “Ki besim tek unë ashtu si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu, mbi kuajt e mi ashtu si ke besim te kuajt e tu”.

22:5 Jozafati i tha gjithashtu mbretit të Izraelit: “Të lutem këshillohu po sot me Zotin”.

22:6 Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët që ishin rreth katërqind, dhe iu tha: “A duhet të shkoj të luftoj kundër Ramothit të Galaadit, apo të heq dorë nga kjo?”. Ata iu përgjigjën: “Shko, sepse Perëndia do ta japë në duart e mbretit”.

22:7 Por Jozafati tha: “A nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?”.

22:8 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: “Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen”. Jozafati u përgjigj: “Mbreti nuk duhet të flasë kështu!”.

22:9 Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: “Sill menjëherë Mikajahun, birin e Imlahut”.

22:10 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e tij, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, në lëmin që ndodhet në hyrje të portës së Samarisë; dhe tërë profetët profetizonin para tyre.

22:11 Sedekia, bir i Kenaanahut, që i kishte bërë vetes brirë prej hekuri, tha: “Kështu thotë Zoti: “Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t`i shkatërrosh plotësisht””.

22:12 Tërë profetët bënin profeci të njollojtë dhe thonin: “Shko kundër Ramothit të Galaadit dhe do t`ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit”.

Mikajahu parashikon humbjen

22:13 Lajmëtari që kishte shkuar të thërriste Mikajahun i foli kështu dhe tha: “Ja, fjalët e profetëve përputhen duke shpallur gjëra të mira për mbretin; të lutem, fjala jote të jetë si ajo e secilit prej tyre, dhe shpall edhe ti gjëra të mira”.

22:14 Por Mikajahu u përgjigj: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, unë do them ato që do të më thotë Zoti”.

22:15 Si ariti para mbretit, mbreti i tha: “Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heqim dorë?”. Ai u përgjigj: “Shko, ti do t`ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit”.

22:16 Atëherë mbreti i tha: “Sa herë jam përgjëruar të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?”.

22:17 Mikajahu u përgjigj: “Pashë tërë Izraelin të shpërndarë nëpër male, sikur të ishin dhen pa bari; dhe Zoti ka thënë: “Ata nuk kanë më zot; secili të kthehet në paqe në shtëpinë e vet””.

22:18 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “A nuk të kisha thënë unë që në lidhje me mua, ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqe?”.

22:19 Atëherë Mikajahu tha: “Prandaj dëgjo fjalën e Zoti. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria e qiellit i rrinte përqark në të djathtë dhe në të majtë.

22:20 Zoti tha: “Kush do t`ia prishë mendjen Ashabit që të dalë dhe të vritet në Ramoth të Galaadit?”. Tani dikush përgjigjet në një mënyrë dhe dikush në një tjetër.

22:21 Atëherë doli një frymë, që u paraqit përpara Zotit dhe tha: “Do t`ia prish mendjen unë”.

22:22 Zoti i tha: “Në çfarë mënyre?”. Ai u përgjigj: “Do të dal dhe do të jem fryma e gënjeshtrës në gojën e tërë profetëve të tij”. Zoit i tha: “Do t`ia dalësh me siguri ta mashtrosh; dil dhe vepro ashtu”.

22:23 Prandaj Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e të gjithë profetëve të tu; por Zoti parashikon fatkeqësira kundër teje”.

22:24 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe i ra me një shpullë Mikajahut, duke i thënë: “Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë për të folur me ty?”.

22:25 Mikajahu u përgjigj: “Do ta shohësh ditën që do të shkosh, në një dhomë të brendshme për t`u fshehur”.

22:26 Atëherë mbreti i Izraelit tha: “Merre Mikajahun dhe çoje tek Amoni, guvernatori i qytetit dhe tek Joasi, bir i mbretit, dhe u thuaj atyre:

22:27 Kështu thotë mbreti: “Futeni këtë në burg dhe ushqeheni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa të kthehem shëndoshë e mirë”.

22:28 Atëherë Mikajahu tha: “Në rasat se ti kthehesh shëndoshë e mirë, kjo do të thotë se Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje”. Dhe shtoi: “Dëgjoni, o popuj të tërë!”.

Disfata e Izraelit dhe vdekja e Ashabit

22:29 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit të Galaadit.

22:30 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “Unë do të ndërroj petkat që të mos njihem dhe pastaj do të shkoj të luftoj; por ti vish rrobat e tua mbretërore”. Kështu mbreti i Izraelit u vesh me rroba të tjera dhe shkoi të luftojë.

22:31 Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy kapitenëve të qerreve të tij, duke thënë: “Mos luftoni kundër askujt, i madh apo i vogël qoftë; por vetëm kundër mbretit të Izraelit”.

22:32 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: “Ky është me siguri mbreti i Izraelit”. Dhe u kthyen nga ai për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një ulërimë.

22:33 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

22:34 Por një njeri lëshoi rastësisht shigjetë me harkun e tij dhe goditi mbretin e Izraelit midis sythave të parzmores të tij; prandaj mbreti i tha karrocierit: “Kthehu dhe më ço jashtë rrëmujës, sepse jam i plagosur”.

22:35 Por beteja qe aq e ashpër atë ditë, sa që mbreti u detyrua të qëndrojë në qerren e tij përpara Sirëve, dhe vdiq aty nga mbrëmja; gjaku i plagës kishte rjedhur në fund të qerres.

22:36 Kur po ngrysej, një ulërimë përshkoi radhët e ushtrisë: “Secili të kthehet në qytetin e vet, secili në fshatin e tij!”.

22:37 Kështu mbreti vdiq dhe u çua në Samari; pastaj u bë varrimi i mbretit në Samari.

22:38 Pas kësaj lanë qerren dhe armët në një hauz të Samarisëç dhe qentë lëpinë gjakun e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoti.

22:39 Pjesa tjetër e bëmave të Ashabit, të gjitha ato që ai bëri, shtëpia e fildishtë që ndërtoi dhe tërë qytetet që ngriti a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

22:40 Kështu Ashabin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi Ashaziahu, i biri.

Jozafati, mbret i Judës; Ashaziahu, mbret i Izraelit

22:41 Jozafati, bir i Asas, filloi të mbretërojë mbi Judën vitin e katërt të Ashabit, mbret i Izraelit.

22:42 Jozafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Azubah dhe ishte bijë e Shilhit.

22:43 Ai ndoqi tërë rrugët e Asas, atit të tij, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; kështu populli vazhdonte të ofronte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

22:44 Dhe Jozafati jetonte në paqe me mbretin e Izraelit.

22:45 Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, trimëritë e tij dhe luftrat e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

22:46 Ai zhduku nga vendi mbeturinat e atyre që merreshin me kurvëri dhe, që kishin mbetur nga koha e Asas, atit të tij.

22:47 Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Edom, por vetëm një përfaqësues i mbretit.

22:48 Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber.

22:49 Atëherë Ashaziahu, bir i Ashabit, i tha Jozafatit: “Lejo që shërbëtorët e mi të hipin mbi anijet bashkë me shërbëtorët e tu”. Por Jozafati nuk pranoi.

22:50 Jozafatin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoram.

22:51 Ashaziahu, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e shtatëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dy vjet mbi Izraelin.

22:52 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugën e atit të tij, të nënës së tij dhe atë të Jeroboamit, birit të Nebathit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

22:53 U vu në shërbim të Baalit dhe ra përmbys përpara tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati.