1 Pjetrit 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Detyrat bashkëshortore

3:1 Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre,

3:2 kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë.

3:3 Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura,

3:4 por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.

3:5 Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre,

3:6 ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë.

3:7 Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.

Dashuria vëllazërore; durimi gjatë vuajtjeve, sipas shëmbullit të Krishtit

3:8 Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës,

3:9 pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.

3:10 Sepse “kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim;

3:11 të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë,

3:12 sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen“.

3:13 Dhe kush do t`ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën?

3:14 Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! “Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni“,

3:15 madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t`u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje,

3:16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t`ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.

3:17 Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,

3:18 sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.U vra në mish, por u ngjall nga Fryma,

3:19 me anë të së cilës ai shkoi t`u predikojë frymërave që ishin në burg,

3:20 që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit,

3:21 i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit,

3:22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.