1 Pjetrit 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Detyrat e pleqve dhe të të rinjve; përulësia dhe vigjilenca

5:1 U bëj thirrje pleqve që janë midis jush, unë që jam plak bashkë me ta dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe që jam gjithashtu pjesëmarrës i lavdisë që ka për t`u zbuluar:

5:2 ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë,

5:3 dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën.

5:4 Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket.

5:5 Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithënjeri tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve.

5:6 Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t`ju lartësojë ne kohën e duhur,

5:7 dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.

5:8 Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.

5:9 Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.

Urimet dhe përshëndetjet e fundit

5:10 Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t`ju bëjë të përsosur ai vetë, do t`ju bëjë të patundur, do t`ju forcojë dhe do t`ju vërë themel.

5:11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.

5:12 Ju shkrova shkurt me anë të Silvanit, që më duket një vëlla besnik, duke ju bërë thirrje dhe duke ju dëshmuar se hiri i vërtetë i Perëndisë është ai në të cilin qëndroni.

5:13 Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju, ju përshëndet. Edhe Marku, biri im, ju përshëndet.

5:14 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur dashurie. Paqja mbi ju të gjithë që jeni në Krishtin Jezus Amen.