BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Suksesi ushtarak fillestar i Saulit
13:1 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë; dhe mbasi mbretëroi dy vjet mbi Izraelin,
13:2 ai zgjodhi tre mijë ushtarë të Izraelit: dy mijë rrinin me të në Mikmash dhe në krahinën malore të Betelit; dhe një mijë me Jonathanin në Gibeah të Beniaminit; e ktheu prapa pjesën tjetër të popullit, secili shkoi në çadrën e vet.
13:3 Jonathani e mundi garnizonin e Filistejve që ndodhej në Geba, dhe Filistejtë e mësuan këtë ngjarje; Atëherë Sauli urdhëroi që t`u binin borive në tërë vendin, duke thënë: “Le ta dijnë Hebrenjtë!”.
13:4 Dhe në tëtë Izraelin filluan të thonë: “Sauli mundi garnizonin e Filistejve dhe Izraeli tani urrehet nga Filistejtë”. Kështu populli u thirr në Gilgal për të shkuar pas Saulit.
Sauli merr përsipër në flijim ofiqin e priftit
13:5 Edhe Filistejtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit.
13:6 Kur Izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze.
13:7 Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur.
13:8 Ai priti shtatë ditë simbas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij.
13:9 Atëherë Sauli tha: “Më sillni olokaustin dhe flijimet e falenderimit”. Pastaj ofroi olokaustin.
13:10 Sapo kishte mbaruar së ofruari olokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.
13:11 Por Samueli i tha: “Çfarë bëre kështu?”. Sauli u përgjegj: “Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që Filistejtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete:
13:12 “Tani Filistejtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit”. Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin”.
13:13 Atëherë Samueli i tha Saulit: “Ti ke vepruar pa mend; nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti do të vendoste për gjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin.
13:14 Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri simbas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar”.
13:15 Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Beniaminit, dhe Sauli kaloi në revistë popullin që gjendej me të; ishin rreth gjashtë qind veta.
13:16 Sauli, Jonathani, bir i tij, dhe njerëzit që mbetën me ta qëndruan në Gibeah të Beniaminit, ndërsa Filistejtë ishin vendosur në Mikmash.
13:17 Pastaj nga kampi i Filistejve dolën disa cuba, të ndarë në tri grupe: njeri grup mori udhën në drejtim të Ofrahut, drejt vendit të Shualit;
13:18 një grup tjetër u fut në rrugën e Beth-Horonit; grupi i tretë mori rrugën e kufirit që sundon luginën e Tseboimit, në drejtim të shkretëtirës.
13:19 Në tërë vendin e Izraelit nuk gjeje as edhe një kovaç, sepse Filistejtë thonin: “Hebrenjtë të mos prodhojnë shpata ose shtiza”.
13:20 Kështu tërë Izraelitët shkonin te Filistejtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin.
13:21 Çmimi për mprehje ishte një pim për belin, për sëpatën, për sfurkun, për rregullimin e hostenëve.
13:22 Kështu ditën e betejës nuk shihje as shpatë, as shtizë në duart e tërë njeëzve që ishin me Saulin dhe me Jonathanin, ato i kishin vetëm Sauli dhe Jonathani, bir i tij.
13:23 Garnizoni i Filistejve doli pastaj dhe u drejtua nga qafa e Mikmashit.