1 Samuelit 14

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fitorja e Jonathanit. Betimi mendjeshkurtër i Saulit

14:1 Një ditë ndodhi që Jonathani, bir i Saulit, i tha shqyrtarit të tij të ri: “Eja, shkojmë drejt pozicioneve të Filistejve, që ndodhen në anën tjetër”. Por nuk i tha asgjë të atit.

14:2 Sauli rrinte atëherë në skajin e Gibeahut nën shegën që është në Migron, dhe njerëzit që ishin me të arrinin në rreth gjashtë qind veta.

14:3 Ahijahu, bir i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, birit të Elit, prift i Zotit, në Shiloh kishte veshur efodin. Por populli nuk e dinte që Jonathani kishte ikur.

14:4 Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e Filistejve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh.

14:5 Njeri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut.

14:6 Jonathani i tha shqyrtarit të ri: “Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz”.

14:7 Shqyrtari i tij iu përgjegj: “Bëj ç`ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote”.

14:8 Atëherë Jonathani tha: “Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t`i bëjmë që të na shohin.

14:9 Po të na thonë: “Ndaluni deri sa t`ju arrijmë”, ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata;

14:10 por në rast se na thonë: “Ejani te ne”, ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë”.

14:11 Kështu të dy u panë nga garnizoni i Filistejve; dhe Filistejtë thanë: “Ja Hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!”.

14:12 Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqyrtarit të tij dhe thanë: “Ejani te ne se kemi diçka për t`ju thënë”. Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: “Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit”.

14:13 Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqyrtari i tij. Filistejtë binin përpara Jonathanit, dhe shqyrtari pas tij i vriste.

14:14 Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqyrtari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë.

14:15 Tmerri u përhap në kamp, në fshatra dhe në gjithë popullin; edhe garnizoni dhe cubat u trembën gjithashtu; bile edhe toka u drodh dhe u shndërrua kështu në një llahtarë të Perëndisë.

14:16 Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej.

14:17 Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: “Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne”. U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij.

14:18 Atëherë Sauli i tha Ahijaut: “Afroje arkën e Perëndisë!” (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit).

14:19 Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e Filistejve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: “Hiqe dorën tënde!”.

14:20 Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.

14:21 Vetë Hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me Filistejtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me Izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.

14:22 Po kështu tërë Izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që Filistejtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t`i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.

14:23 Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.

14:24 Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: “I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi”.

14:25 Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.

14:26 Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.

14:27 Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.

14:28 Njeri nga populli mori fjalën dhe tha: “Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: “Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot”, megjithëse populli ishte i rraskapitur”.

14:29 Atëherë Jonathani tha: “Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.

14:30 Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të Filistejve?”.

14:31 Po atë ditë ata i mundën Filistejtë nga Mikmashi deri në Aijalon, por populli ishte tepër i lodhur.

14:32 Kështu populli u hodh mbi plaçkën, rrëmbeu dele, lopë dhe viça dhe i theri për tokë; dhe populli i hëngri me gjithë gjakun e tyre.

14:33 Këtë ia treguan Saulit dhe i thanë: “Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë mish me gjithë gjakun”. Ai tha: “Ju keni kryer një shkelje; rrukullisni menjëherë një gur të madh pranë meje”.

14:34 Pastaj Sauli urdhëroi: “Shpërndahuni midis popullit dhe i thoni: “Secili të sjellë këtu tek unë lopën dhe delen e tij; i therrni këtu dhe pastaj i hani, por mos mëkatoni ndaj Zotit, duke ngrënë mish me gjithë gjakun e tij!”. Kështu gjithkush nga populli solli me vete lopën e tij dhe e theri në atë vend.

14:35 Sauli ndërtoi pastaj një altar kushtuar Zotit; ky ishte altar i parë që ai i ndërtoi Zotit.

14:36 Pastaj Sauli tha: “Të zbresim natën për të ndjekur Filistejtë dhe t`i zhveshim deri në dritën e mëngjesit; dhe të mos lëmë asnjë prej tyre të gjallë”. Populli u përgjegj: “Vepro si të të duket më

14:37 Kështu Sauli e pyeti Perëndinë: “A duhet të zbres për të ndjekur Filistejtë? A do t`i lësh në duart e Izraelit?”. Por Perëndia nuk dha asnjë përgjigje.

14:38 Atëherë Sauli tha: “Afrohuni këtu, ju gjithë krerë të popullit, pranoni dhe shikoni mëkatin e kryer sot,

14:39 sepse, ashtu siç është e vërtetë që Zoti, shpëtimtari i Izraelit, jeton edhe sikur të gjendej te Jonathani, biri im, ai duhet të vdesë”. Por asnjeri nga tërë populli nuk iu përgjegj atij.

14:40 Atëherë ai i tha gjithë Izraelit: “Ju qëndroni në një anë, dhe unë dhe biri im Jonathan do të qëndrojmë nga ana tjetër”. Populli iu përgjegj Saulit: “Bëj atë që të duket më mirë”.

14:41 Prandaj Sauli i tha Zotit: “O Perëndi i Izraelit, na jep përgjigjen e drejtë”. Kështu u caktuan Jonathani dhe Sauli dhe populli jo.

14:42 Pastaj Sauli tha: “Hidhni short midis meje dhe Jonathanit, birit tim”. Kështu u caktua Jonathani.

14:43 Atëherë Sauli i tha Jonathanit: “Më trego ç`ke bërë”. Jonathani i tha: “Kam provuar pak mjaltë me majën e bastunit që kisha në dorë; ja, ku jam, kam për të vdekur!”.

14:44 Sauli tha: “Perëndia e bëftë këtë dhe bile më keq, sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonathan!”.

14:45 Po populli i tha Saulit: “A duhet të vdesë Jonathani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë”! Kështu populli e shpëtoi Jonathanin dhe ai nuk vdiq.

14:46 Pastaj Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve dhe Filistejtë u kthyen në vendin e tyre.

14:47 Kështu Sauli e forcoi mbretërinë e Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve që ndodheshin rreth e qark: Moabit, bijve të Amonit, Edomit, mbretërve të Tsobahut dhe Filistejve; ai korrte fitore nga çdo anë që të kthehej.

14:48 Kreu vepra trimërie, mundi Amalekitët dhe çliroi nga duart e atyre që e plaçkitnin.

14:49 Bijtë e Saulit ishin Jonathani, Jishuji dhe Malkishuahu; dy bijat e tij quheshin Merab, më e madhja, dhe Mikal më e vogla.

14:50 E shoqja e Saulit quhej Ahinoam, ishe bija e Ahimaazit; emri i komandantit të ushtrisë së tij ishte Abner, bir i Nrerit, ungji i Saulit.

14:51 Kishi, ati i Saulit, dhe Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit.

14:52 Gjatë gjithë jetës së Saulit pati një luftë të pamëshirshme kundër Filistejve; çdo njeri të fortë dhe çdo të ri trim që Sauli shikonte, i merrte me vete.