1 Samuelit 17

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Davidi mund Goliathin

17:1 Filistejtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut.

17:2 Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër Filistejve.

17:3 Filistejtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina.

17:4 Nga kampi i Filistejve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë.

17:5 Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi;

17:6 në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri.

17:7 Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij.

17:8 Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: “Pse keni dalë për t`u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një Filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje.

17:9 Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni”.

17:10 Pastaj Filisteu shtoi: “Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: “Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!”.

17:11 Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe.

17:12 Davidi ishte biri i atij Efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë.

17:13 Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti.

17:14 Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit.

17:15 Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem.

17:16 Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë.

17:17 Isai i tha Davidit, birit të tij: “Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp.

17:18 Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre.

17:19 Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar Filistejtë”.

17:20 Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t`u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.

17:21 Izraelitët dhe Filistejtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës.

17:22 Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin.

17:23 Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e Filistejve ai kampion, Filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi.

17:24 Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe.

17:25 Njerëzit e Izraelit thonin: “E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t`i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael”.

17:26 Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: “Çfarë do t`i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë Filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?”.

17:27 Njerëzit iu përgjegjën me po ato fjalë, duke thënë: “Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë”.

17:28 Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: “Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?”.

17:29 Davidi u përgjegj: “Ç`kam bërë unë tani?. Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!”.

17:30 Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme.

17:31 Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin.

17:32 Davidi i tha Saulit: “Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste”.

17:33 Sauli i tha Davidit: “Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij Filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij”.

17:34 Por Davidi iu përgjegj Saulit: “Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja,

17:35 unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja.

17:36 Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky Filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë”.

17:37 Davidi shtoi: “Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu”. Atëherë Sauli i tha Davidit: “Shko dhe Zoti qoftë me ty”.

17:38 Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren.

17:39 Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: “Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të”. Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij.

17:40 Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër Filisteut.

17:41 Edhe Filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqyrtari i tij e paraprinte.

17:42 Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm.

17:43 Filisteu i tha Davidit: “Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?”. Dhe Filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij.

17:44 Pastaj Filisteu i tha Davidit: “Eja këtu, dhe unë do t`ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave”.

17:45 Atëherë Davidi iu përgjegj Filisteut: “Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.

17:46 Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t`u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael.

17:47 Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t`ju dorëzojë në duart tona”.

17:48 Kur Filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t`u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë Filisteut;

17:49 vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë Filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.

17:50 Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi Filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.

17:51 Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi Filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur Filistejtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.

17:52 Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën Filistejtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistejtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.

17:53 Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e Filistejve, plaçkitën kampin e tyre.

17:54 Pas kësaj Davidi mori kokën e Filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.

17:55 Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër Filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: “Abner, bir i kujt është ky i ri?”. Abneri iu përgjegj: “Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di”.

17:56 Atëherë mbreti tha: “Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi”.

17:57 Kur Davidi u kthye nga vrasja e Filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përparea Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e Filisteut.

17:58 Sauli i tha: “O i ri, bir i kujt je?”. Davidi u përgjegj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai”.

[previous][next]