1 Samuelit 18

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Miqësia e Jonathanit me Davidin.Sauli ziliqar i Davidit, kërkon në mënyra të ndryshme të shkaktojë vdekjen e tij

18:1 Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet.

18:2 Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij.

18:3 Kështu Jonathani lidhi një besölidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet.

18:4 Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.

18:5 Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit.

18:6 Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e Filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore.

18:7 Kështu gratë u përgjigjeshin njera tjetrës duke kënduar, dhe thoshnin: “Sauli vrau mijëshn e tij dhe Davidi dhjetëmijëshn e tij.

18:8 Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: “Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!”.

18:9 Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin.

18:10 Të nesërmen një frym i keq nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën.

18:11 Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: “Do ta gozhdoj Davidin në mur!”. Por Davidi iu shmang goditjes dy herë.

18:12 Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin.

18:13 Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit.

18:14 Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të.

18:15 Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij;

18:16 por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.

18:17 Pastaj Sauli i tha Davidit: “Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe març pjesë në betejat e Zotit”. Sauli mendonte kështu: “Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e Filisejve”.

18:18 Por Davidi iu përgjegj Saulit: “Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?”.

18:19 Kur erdhi çasti për t`ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel.

18:20 Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu.

18:21 Kështu Sauli mendoi: “Do t`ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e Filistejve”.

18:22 Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: “Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: “Ja, mbreti ështëi kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit”.

18:23 Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjegj: “Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët”.

18:24 Shërbëtorët i njoftuan Saulit: “Davidi u përgjegj në këtë mënyrë”.

18:25 Atëherë Sauli tha: “Do t`i thoni kështu Davidit: “Mbreti nuk dëshëron asnjë prikë, por njëqind lafsha të Filisejve për t`u hakmarrë me armiqtë e mbretit””. Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të Filistejve.

18:26 Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma,

18:27 kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga Filistejtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t`u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua.

18:28 Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte.

18:29 Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi.

18:30 Pastaj princat e Filistejve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm.

[previous][next]