BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Davidi merr bukën e shënjtëruar
21:1 Pastaj Davidi shkoi në Nob tek prifti Ahimelek; Ahimeleku i doli përpara Davidit duke u dridhur dhe i tha: “Pse je vetëm dhe nuk ka njeri me ty?”.
21:2 Davidi iu përgjegj priftit Ahimelek: “Mbreti më urdhëroi diçka dhe më tha: “Asnjeri të mos dijë kurrgjë për çështjen për të cilën po të dërgoj dhe për atë që të kam urdhëruar”. Njerëzti e mi i kam drejtuar në filan vend.
21:3 Dhe tani çfarë ke në dorë? Më jep pesë bukë ose çfarë të kesh”.
21:4 Prifti iu përgjegj Davidit, duke thënë: “Nuk kam bukë të zakonshme, ka vetëm bukë të shenjtëruar, me kusht që burrat e tu t`u jenë përmbajtur së paku kontakteve me gratë”.
21:5 Davidi iu përgjegj priftit: “Kemi mbetur pa gra, qysh se jemi nisur, tri ditë më parë; enët e njerëzve të mi janë të pastra; në fakt edhe buka është e zakonshme, megjithëse sot është shenjtëruar në enët”.
21:6 Kështu prifti i dha bukën e shenjtëruar, sepse aty nuk kishte tjetër bukë veç asaj të paraqitjes, që ishte hequr nga prania e Zotit, për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë në çastin kur hiqet.
21:7 Atë ditë ndodhej aty një nga shërbëtorët e Saulit, që qëndronte para Zotit; quhej Doeg, Edomiti, kryebariu i Saulit.
21:8 Davidi i tha Ahimelekut: “Mos ke rastësisht për kollaj ndonjë shtizë a një shpatë? Mbasi unë nuk kam marrë me vete as shpatën, as armët e mia, sepse detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente”.
21:9 Prifti u përgjegj: “Éshtë shpata e Goliathit, Filisteut, që ti vrave në luginën e Terebintos; është aty prapa efodit, e mbështjellë me një pëlhurë; në rast se e do, merre, sepse këtu nuk kemi tjetër veç kësaj”. Davidi tha: “Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!”.
Në Gath Davidi hiqet si i marrë
21:10 Atë ditë Davidi u ngrit dhe iku nga prania e Saulit; ai shkoi në Akish, te mbreti i Gathit.
21:11 Shërbëtorët e Akishit i thanë: “A nuk është ky Davidi, mbret i vendit? A nuk këndonin në kor për të në valle, duke thënë: “Sauli ka vrarë një mijë të tij dhe Davidi dhjetë mijë të tij”?”.
21:12 Davidi i mbajti në zemër këto fjalë dhe pati frikë të madhe nga Akishi, mbret i Gathit.
21:13 Kështu ndërroi mënyrën e sjelljes së tij para tye dhe e hiqte veten si të marrë në duart e tyre; bënte shkaravina mbi kanatet e dyerve dhe lëshonte jargë mbi mjekrën e tij.
21:14 Atëherë Akishi u tha shërbëtorëve të tij: “Ja, e shikoni, ky është i marrë; pse ma keni sjellë?
21:15 Mos vallë më mungojnë të marrët, dhe ju më sillni këtë për të bërë të marrin në praninë time? Ai nuk ka për të hyrë në shtëpinë time!”.