1 Samuelit 22

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Davidi ikën në Abulam dhe në Mitspah.Sauli bën që të vriten priftërinjtë dhe banorët e Nobit

22:1 Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai.

22:2 Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.

22:3 Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: “Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, deri sa unë të mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua”.

22:4 Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë.

22:5 Pastaj profeti Gad i tha Davidit: “Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës”. Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.

22:6 Kur Sauli mësoi që Davidi dhe njerëzit që ishin me të qenë zbuluar (Sauli ndodhej atëherë në Gibeah poshtë nën drurin e marinës në Ramah, me ushtën e tij në dorë dhe të gjithë shërbëtorët e tij e rrethonin).

22:7 Sauli u tha shërbëtorëve që i rrinin rreth e qark: “Më dëgjoni tani, Beniaminitë! Biri i Isait do t`ju japë juve ara dhe vreshta. Do t`ju bëjë të gjithëve komandantë të mijëshëve dhe qindëshëve?

22:8 Të gjithë ju keni komplotuar, dhe asnjë nga ju nuk më ka informuar për besëlidhjen, që im bir ka lidhur me birin e Isait; dhe nuk ka asnjë prej jush që t`i vijë keq për mua dhe të më njoftojë që im bir ka ngritur kundër meje shërbëtorin tim që të më kurdisë kurthe siç bën sot?”.

22:9 U përgjegj atëherë Idumei Doeg, që rrinte në krye të shërbëtorëve të Saulit, dhe tha: “Unë e pashë birin e Isait kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, bir i Ahitubit;

22:10 ky është këshilluar me Zotin lidhur me të, i dha ushqime dhe i dorëzoi shpatën e Filisteut Goliath”.

22:11 Atëherë mbreti dërgoi të thërrasin priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë shtëpinë e atit të tij, priftërinjtë që ishin në Nob; dhe ata erdhën të gjithë te mbreti.

22:12 Sauli tha: “Tani dëgjo, o bir i Ahitubit!”. Ai u përgjegj: Ja ku jam, o imzot”.

22:13 Sauli i tha: “Pse ti dhe biri i Isait keni komlotuar kundër meje, duke i dhënë bukë dhe një shpatë, dhe je këshilluar me Perëndinë lidhur me të, me qëllim që të ngrihet kundër meje dhe të më kurdisë kurthe siç bën sot?”.

22:14 Atëherë Ahimeleku iu përgjegj mbretit, duke thënë: “Po midis gjithë shërbëtorëve të tu kush është besnik si Davidi, dhëndër i mbretit, i gatshëm nën urdhrat e tua dhe i nderuar në shtëpinë tënde?

22:15 Vallë sot kam filluar të këshillohem me Perëndinë për të? Mos qoftë kurrë, që mbreti të akuzojë për gjëra të tilla shërbëtorin e tij apo dikë nga shtëpia e atit tim, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë nga tërë kjo, as pak e as shumë”.

22:16 Mbreti tha: “Ti me siguri ke për të vdekur, Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia e atit tënd!”.

22:17 Atëherë mbreti urdhëroi rojet që e rrethonin: “Kthehuni dhe vritni priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata mbajnë anën Davidit dhe e dinin që ai kishte ikur, por nuk më njoftuan”. Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të zgjatnin duart për të goditur priftërinjtë e Zotit.

22:18 Atëherë mbreti i tha Doegut: “Kthehu ti dhe godit priftërinjtë!”. Kështu Idumeti Doeg u kthye dhe goditi priftërinjtë; atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri.

22:19 Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjëlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë.

22:20 Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit.

22:21 Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.

22:22 Davidi i tha Abiatharit: “Unë e dija mirë atë ditë që Idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd.

22:23 Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.

[previous][next]