2 Gjonit 1

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Drejtimi dhe përshëndetjet

1:1 Plaku; zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj që i dua në të vërtetë, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur të vërtetën,

1:2 për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë:

1:3 hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri.

Dashuria vëllazërore; mësuesit e rremë

1:4 U gëzova fort që gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sipas urdhërimit që morëm nga Ati.

1:5 Dhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por atë që kishim pasur nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin.

1:6 Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të.

1:7 Sepse në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish; ky është mashtruesi dhe antikrishti.

1:8 Bëni kujdes se mos humbni fryti i gjërave të kryera, por bëni në menyrë të merrni një shpërblim të plotë.

1:9 Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin.

1:10 Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni,

1:11 sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.

1:12 Megjithse kisha shumë gjëra për t`ju shkruar, nuk desha ta bëjë me letër dhe bojë, por shpresoj të vij te ju dhe t`ju flas me gojë, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

1:13 Bijtë e motrës sate të zgjedhur të përshëndesin. Amen.