BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Drejtimi dhe përshëndetjet
1:1 Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:
1:2 hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.
Thirrje për të vënë në praktik virtytet e krishtera
1:3 Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,
1:4 me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.
1:5 Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t`i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,
1:6 diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë,
1:7 mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.
1:8 Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t`ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
1:9 Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër.
1:10 Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.
1:11 Sepse kështu begatisht do t`ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
1:12 Prandaj nuk do të lë pas dore t`ju kujtoj vazhdimish këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të patundur në këtë të vërtetë.
1:13 Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t`ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend,
1:14 duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht.
1:15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t`i kujtoni gjithnjë këto gjëra.
1:16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.
1:17 Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur“.
1:18 Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
1:19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,
1:20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta.
1:21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.