2 Thesalonikasve 2

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Kthimi i Krishtit do të pararendet nga shfaqja e antikrishtit

2:1 Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,

2:2 të mos lejoni që menjëherë t`ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.

2:3 Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,

2:4 kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.

2:5 A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?

2:6 Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.

2:7 Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.

2:8 Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.

2:9 Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,

2:10 dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.

2:11 E prandaj Perëndia do t`u dërgojë atyre një gënjim që do t`i bëjë të gabojnë, që t`i besojnë gënjeshtrës,

2:12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!

2:13 Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t`ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën;

2:14 tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.

2:15 Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë.

2:16 Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë,

2:17 ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.