SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Edukimi i Danielit dhe i të rinjve të tjerë hebrenj në oborrin e Nebukadnetsarit
1:1 Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit; mbretit të Judës, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, u nis kundër Jeruzalemit dhe e rethoi.
1:2 Zoti atëherë dha në duart e tij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të orendive të shtëpisë së Perëndisë, që ai i transportoi në vendin e Shinarit, në shtëpinë e perëndisë së tij dhe i vendosi orenditë në shtëpinë e thesarit të perëndisë së tij.
1:3 Pastaj mbreti i tha Ashpenazit, kreut të eunukëve të tij, t`i sjellë disa nga djemtë e Izraelit, qofshin prej fisi mbretëror apo prej familjesh fisnike,
1:4 të rinj që të mos kishin asnjë të metë, por të hijshëm, të pajisur me urti, që të kishin njohuri dhe të mësonin shpejt, që të ishin të aftë të shërbenin në pallatin e mbretit dhe të cilëve të mund t`u mësohej letërsia dhe gjuha e Kaldeasve.
1:5 Mbreti u caktoi atyre një racion të përditshëm ushqimesh të shijshme nga ato të mbretit dhe verë nga ajo që ai vetë pinte; ata duhet të edukoheshin në tre vjet, në mbarim të të cilëve do të kalonin në shërbim të mbretit.
1:6 Midis tyre ishin bijtë e Judës: Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria.
1:7 Kreu i eunukëve u vuri atyre emra të tjerë: Danielit i vuri emrin Beltshatsar, Hananiahut Shadrak, Mishaelit Meshak dhe Azarias Abed-nego.
1:8 Por Danieli vendosi në zemër të tij të mos e ndotë veten me ushqimet e shijshme të mbretit dhe me verën që pinte ai vetë; dhe i kërkoi kreut të eunukëve ta lejonte që të mos ndotej.
1:9 Perëndia bëri që Danieli të gjejë hir dhe dhemshuri te kreu i eunukëve.
1:10 Kreu i eunukëve i tha pastaj Danielit: “Unë kam frikë nga mbreti, zoti im, që ka caktuar ushqimin tuaj dhe pijen tuaj. Pse ai duhet të shikojë fytyrat tuaja më të trishtuara nga ato të të rinjve të moshës suaj? Kështu do të vinit në rrezik kokën time te mbreti”.
1:11 Atëherë Danieli i tha Meltsarit, që kreu i eunukëve kishte caktuar si të parë mbi Danielin, Hananiahun, Mishaelin dhe Azarian;
1:12 “Të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë, dhe të na jepen perime për të ngrënë dhe ujë për të pirë.
1:13 Pastaj të ekzaminohet në praninë tënde pamja jonë dhe pamja e të rinjve që hanë ushqimet e shijshme të mbretit; do të veprosh pastaj me shërbëtorët e tu në bazë të asaj që do të shikosh”.
1:14 Ai e pranoi këtë propozim të tyre dhe i vuri në provë dhjetë ditë.
1:15 Në mbarim të dhjetë ditëve pamja e tyre dukej më e bukur dhe e kishin mishin më të plotë se të gjithë djemtë që kishin ngrënë gjellët e shijshme të mbretit.
1:16 Kështu Meltsari u hoqi atyre gjellët e shijshme dhe verën që duhet të pinin dhe u dha perime.
1:17 Katër të rinjve Perëndia u dha njohuri dhe mend në gjithë letërsinë dhe diturinë; dhe Danieli fitoi njohuri për çdo lloj vegimi dhe ëndrre.
1:18 Në mbarim të kohës së caktuar nga mbreti që t`ia çonin këta të rinj, kreu i eunukëve i shpuri përpara Nebukadnetsarit.
1:19 Mbreti foli me ta, por midis tyre nuk u gjet asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria, prandaj këta u pranuan në shërbim të mbretit.
1:20 Dhe mbi çdo çështje që kërkonte dituri dhe gjykim dhe për të cilat mund t`i pyeste mbreti, i gjeti dhjetë herë më lart se tërë magjistarët dhe astrologët që ishin në tërë mbretërinë e tij.
1:21 Kështu Danieli vazhdoi deri në vitin e parë të mbretit Kir.