Danieli 10

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI


Danielit i shfaqet një ëngjëll për t’i njoftuar ngjarjet e kohëve të fundit

10:1 Në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë, një fjalë iu njoftua Danielit, që quhej Beltshatsar. Kjo fjalë është e vërtetë dhe konflikti i gjatë. Ai e kuptoi fjalën dhe e mori vesh vegimin.

10:2 Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota.

10:3 Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.

10:4 Ditën e njëzetekatërt të muajit të parë, ndërsa isha në bregun e lumit të madh, që është Tigri,

10:5 ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.

10:6 Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të llustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.

10:7 Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.

10:8 Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.

10:9 Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.

10:10 Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.

10:11 Pastaj më tha: “Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti”. Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.

10:12 Atëherë ai më tha: “Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.

10:13 Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.

10:14 Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t`i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve; sepse vegimi ka të bëjë me një kohë të ardhme”.

10:15 Ndërsa më fliste në këtë mënyrë, ula fytyrën për tokë dhe mbylla gojën.

10:16 Dhe ja, dikush që i ngjante një biri njeriu më preku buzët. Atëherë hapa gojën, fola dhe i thashë atij që më rrint përpara: “Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m`u ligështuan.

10:17 Dhe si mund të fliste një shërbëtor i tillë i zotit tim me një imzot të tillë, sepse tani fuqitë më kanë braktisur dhe më mungon madje edhe frymëmarrja?”.

10:18 Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi,

10:19 dhe tha: “O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua”. Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: “Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë”.

10:20 Pastaj më tha: “A e di përse kam ardhur këtu pranë teje? Tani do të kthehem të luftoj kundër princit të Persisë; dhe kur të dal, ja, do të vijë princi i Javanit.

10:21 Por unë do të të bëj të njohur atë që është shkruar në librin e së vërtetës; dhe nuk ka njeri që të sillet trimërisht me mua kundër tyre përveç Mikaelit, princit tuaj”.

[previous][next]