SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Danieli në shërbim të mbretit Dar
6:1 I pëlqeu Darit të vendosë mbi mbretërinë njëqindenjëzet satrapë, të cilët, të ishin në krye të gjithë mbretërisë.
6:2 dhe mbi ta kishte tre prefektë, nga të cilët njëri ishte Danieli, të cilëve këta satrapë duhet t`u jepnin llogari, më qëllim që mbreti të mos pësonte asnjë dëm.
6:3 Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë, dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë.
6:4 Atëherë prefektët dhe satrapët kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim.
6:5 Atëherë këta njerëz thanë: “Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë të tij.”
6:6 Atëherë ata prefektë dhe satrapë u mblodhën me zhurmë para mbretit dhe i thanë: “O mbreti Dar, jetofsh për jetë!
6:7 Tërë prefektët e mbretërisë, qeveritarët dhe satrapët, këshilltarët dhe komandantët u konsultuan bashkë për të nxjerrë një vendim mbretëror dhe për të bërë një dekret të prerë, në bazë të të cilëve kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t`i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.
6:8 Tani, o mbret, nxirr dekretin dhe firmos dokumentin, në mënyrë që të mos ndryshohet dot në pajtim me ligjin e Medasve dhe të Persianëve, që është i parevokueshëm”.
6:9 Pastaj mbreti Dari nënshkroi dokumentin dhe dekretin.
6:10 Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falenderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.
6:11 Atëherë ata njerëz erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe i përlutej Perëndisë të tij.
6:12 Kështu iu afruan mbretit dhe folën para tij për dekretin mbretëror: “A nuk ke nënshkruar një dekret në bazë të të cilit gjatë tridhjetë ditëve kushdo që do të bëjë një kërkesë drejtuar çfarëdo perëndie ose njeriu me përjashtimin tënd, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?”. Mbreti u përgjigj dhe tha: “Kjo gjë është vendosur në pajtim me ligjin e Mediasve dhe të Persianëve, që nuk mund të ndryshohet”.
6:13 Atëherë ata nisën përsëri të flasin përpara mbretit: “Danieli, që është një ndër të mërguarit e Judës, nuk tregon asnjë konsideratë për ty, o mbret, ose për dekretin që ke nënshkruar, por i drejton lutje tri herë në ditë Perëndisë të tij”.
6:14 Me të dëgjuar këtë, mbreti u hidhërua me të madhe dhe duke dashur në zemër të vet ta çlirojë Danielin, u përpoq deri sa perëndoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre.
6:15 Por ata njerëz erdhën te mbreti duke bërë zhurmë dhe i thanë: “Dije, o mbret, që është ligj i Medasve dhe i Persianëve që asnjë dekret ose edikt i shpallur nga mbreti nuk mund të ndryshohet”.
danieli shpëton mrekullisht në gropën e luanëve
6:16 Atëherë mbreti dha urdhër dhe Danieli u çua tutje dhe u hodh në gropën e luanëve. Por mbreti i foli Danielit dhe i tha: “Perëndia jote, së cilës ti i shërben vazhdimisht, do të vijë vetë të të shpëtojë”.
6:17 Pastaj sollën një gur, dhe e vunë në grykën e gropës; mbreti e vulosi me unazën e tij, me unazën e të mëdhenjve të tij, në mënyrë që vendimi i tij lidhur me Danielin të mos ndryshohej.
6:18 Atëherë mbreti u tërhoq në pallatin e tij dhe kaloi natën duke agjëruar; nuk sollën para tij asnjë muzikant, madje edhe gjumi e braktisi.
6:19 Të nesërmen në mëngjes mbreti u zgjua shumë herët dhe shkoi me nxitim në gropën e luanëve.
6:20 Me të arritur pranë gropës, thirri Danielin me zë zemërthyer; mbreti filloi t`i thotë Danielit: “Daniel, shërbëtor i Perëndisë të gjallë, Perëndia yt, a ka mundur të të shpëtojë nga luanët?”.
6:21 Atëherë Danieli i tha mbretit: “O mbret, jetofsh përjetë!
6:22 Perëndia im dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve, dhe ata nuk më kanë bërë asnjë të keqe, sepse kam dalë i pafaj përpara atij; por edhe përpara teje, o mbret, nuk kam bërë asnjë të keqe”.
6:23 Atëherë mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi që Danieli të nxirrej nga gropa. Kështu Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.
6:24 Pastaj mbreti urdhëroi që të silleshin ata njerëz që kishin paditur Danielin dhe i hodhën në gropën e luanëve, ata, bijtë e tyre dhe gratë e tyre. Dhe para se të arrinin në fund të gropës, luanët u hodhën mbi ta dhe copëtuan tërë kockat e tyre.
6:25 Atëherë mbreti Dar u shkroi tërë popujve, kombeve dhe gjuhëve që banonin në gjithë dheun: “Paqja juaj qoftë e madhe!
6:26 Unë dekretoj që në të gjithë sundimin e mbretërisë sime të dridhen dhe të kenë frikë para Perëndisë të Danielit, sepse ai është Perëndia i gjallë që ekziston përjetë. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë dhe sundimi i tij nuk do të ketë fund kurrë.
6:27 Ai çliron, shpëton dhe kryen shenja dhe mrekulli në qiell dhe në tokë; është ai që e çliroi Danielin nga fuqia e luanëve”.
6:28 Kështu Danieli pati mbarësi gjatë mbretërimit të Darit dhe gjatë mbretërimit të Kirit, Persianit.