Danieli 7

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI


Vegimi i Danielit mbi katër kafshët, i Lashti i ditëve dhe Bir i njeriut

7:1 Në vitin e parë të Belshatsarit, mbretit të Babilonisë, Danieli, kur ishte në shtrat, pa një ëndërr dhe pati vegime në mendjen e tij. Pastaj shkroi ëndërrën dhe tregoi thelbin e ngjarjes.

7:2 Danieli, pra, filloi të thotë: “Unë shikoj në vegimin tim, natën, dhe ja, katër erërat e qiellit tronditnin Detin e Madh,

7:3 dhe katër kafshë të mëdha po dilnin nga deti, njera ndryshe nga tjetra.

7:4 E para i ngjante një luani dhe kishte krahë shqiponje. Unë shikoja deri sa ia shkulën krahët, pastaj e ngritën nga toka e vunë të qëndrojë drejt mbi dy këmbët e veta si një njeri dhe iu dha një zemër njeriu.

7:5 Dhe ja një kafshë tjetër, e dyta, që i ngjante një ariu; ngrihej mbi një krah dhe kishte tri brinjë në gojë, midis dhëmbëve, dhe i thanë: “Çohu, ha shumë mish”.

7:6 Mbas kësaj unë shikoja, dhe ja një tjetër që i ngjante një leopardi, dhe që kishte katër fletë shpendi mbi kurrizin e vet; kafsha kishte katër koka dhe iu dha sundimi.

7:7 Mbas kësaj, unë shikoja në vegime nate, dhe ja një kafshë e katërt e llahtarshme, e tmerrshme, jashtëzakonisht e fuqishme; kishte dhëmbë të mëdha prej hekuri; hante, thërrmonte dhe shtypte kusurin me këmbë; ishte ndryshe nga të gjitha kafshët e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë.

7:8 Isha duke vërejtur brirët, kur ja, midis tyre filloi të dalë një bri tjetër i vogël, para të cilit tre nga brirët e parë u shkulën; dhe ja, në atë bri ishin disa sy që i përngjanin syve të njeriut dhe një gojë që thoshte gjëra të mëdha.

7:9 Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.

7:10 Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.

7:11 Atëherë unë shikova për shkak të fjalëve të mëdha që briri thoshte; shikova deri sa u vra kafsha, dhe trupi i saj u shkatërrua dhe u hodh në zjarr për t`u djegur.

7:12 Sa për kafshët e tjera, u hoq sundimi i tyre por iu lejua atyre një zgjatje e jetës për një periudhë të caktuar kohe.

7:13 Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.

7:14 Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t`i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë”.

Interpretimi i vegimit

7:15 “Sa për mua, Danielin, fryma ime mbeti e brengosur në mbështjellën e trupit dhe vegimet e mendjes sime më turbulluan.

7:16 Iu afrova njërit nga ata që ishin aty afër dhe e pyeta mbi të vërtetën që lidhej me tërë këtë punë; dhe ai më foli dhe më bëri të njohur interpretimin e atyre gjërave:

7:17 “Këto kafshë të mëdha, që janë katër, përfaqësojnë katër mbretër që do të dalin nga toka;

7:18 pastaj shenjtorët e Shumë të Lartit do të marrin mbretërinë dhe do ta zotërojnë përjetë, në përjetësi”.

7:19 Atëherë dëshirova të mësoj të vërtetën lidhur me kafshën e katërt, që ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat dhe jashtëzakonisht e tmerrshme, me dhëmbë prej hekuri dhe me thonj prej bronzi, që hante, thërrmonte dhe shkelte me këmbë kusurin,

7:20 dhe lidhur me dhjetë brirët që kishte mbi kokë, dhe lidhur me bririn tjetër që i dilte dhe para të cilit kishin rënë tre brirë, domethënë briri që kishte sy dhe gojë për të thënë gjëra të mëdha dhe që dukej më i madh se brirët e tjerë.

7:21 Unë shikoja dhe po ky bri bënte luftë kundër shenjtorëve dhe i mundte,

7:22 deri sa arriti i Lashti i ditëve dhe iu dha e drejta shenjtorëve të Shumë të Lartit, dhe erdhi koha në të cilën shenjtorët zotëruan mbretërinë.

7:23 Dhe ai më foli kështu: “Kafsha e katërt do të jetë një mbretëri e katërt mbi tokë, që do të jetë ndryshe nga të gjitha mbretëritë e tjera, dhe do të hajë tërë tokën, do ta shkelë dhe do ta thërrmojë.

7:24 Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që do të dalin nga kjo mbretëri; mbas tyre do të dalë një tjetër, që do të jetë ndryshe nga të mëparshmit dhe do të rrëzojë tre mbretër.

7:25 Ai do të shqiptojë fjalë kundër Shumë të Lartit, do të përndjekë shenjtorët e Shumë të Lartit me qëllim që t`i shfarosë dhe do të mendojë të ndryshojë kohërat dhe ligjin; shenjtorët do të bien në duart e tij për një farë kohe, disa kohë dhe për gjysmën e një kohe.

7:26 Pastaj do të bëhet gjyqi dhe do t`i hiqet sundimi, i cili do të asgjësohet dhe do të shkatërrohet përjetë.

7:27 Pastaj mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t`i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme, dhe të gjitha zotërimet do t`i shërbejnë dhe do t`i binden atij”.

7:28 Këtu mbaruan fjalët që më ishin drejtuar. Sa për mua, Danielin, mendimet e mia më turbulluan shumë dhe ndryshova pamje por i ruajta fjalët në zemrën time”.

[previous][next]