Esdra 8

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lista e të internuarve që u kthyen me Ezdran

8:1 Këta janë krerët e shtëpive atërore dhe lista gjenealogjike e atyre që u kthyen me mua nga Babilonia, nën mbretërimin e Artasersit.

8:2 Nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Ithamarit, Danieli; nga bijtë e Davidit, Hatushi.

8:3 Nga bijtë e Shekaniahut: nga bijtë e Paroshit, Zakaria, dhe bashkë me të u regjistruan njëqind e pesëdhjetë meshkuj.

8:4 Nga bijtë e Pahath-Moabit, Elihoenai, bir i Zerahiahut, dhe me të dyqind meshkuj.

8:5 Nga bijtë e Shekaniahut, i biri i Jahazielit dhe bashkë me të treqind meshkuj.

8:6 Nga bijtë e Adinit, Ebedi, bir i Jonathanit, dhe bashkë me të pesëdhjetë meshkuj.

8:7 Nga bijtë e Elamit, Isai, bir i Athaliahut, dhe bashkë me të shtatëdhjetë meshkuj.

8:8 Nga bijtë e Shefatiahut, Zebadiahu, bir i Mikaelit, dhe bashkë me të tetëdhjetë meshkuj.

8:9 Nga bijtë e Joabit, Obadiahu, bir i Jehielit, dhe bashkë me të dyqind e tetëmbëdhjetë meshkuj.

8:10 Nga bijtë e Shelomithit, bir i Josifiahut dhe bashkë me të njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj.

8:11 Nga bijtë e Bebait, Zakaria, bir i Bebait, dhe bashkë me të njëzet e tetë meshkuj.

8:12 Nga bijtë e Azgadit, Johanani, bir i Hakatas, dhe bashkë me të njëqind e dhjetë meshkuj.

8:13 Nga bijtë e Adonikamit, të fundit, emrat e të cilëve ishin: Elifelet, Jehiel dhe Shemajah, dhe bashkë me ta gjashtëdhjetë meshkuj.

8:14 Nga bijtë e Bigvait, Uthai dhe Zabudi, dhe bashkë me ta shtatëdhjetë meshkuj.

Ezdra thërret Levitët dhe shpall një agjerim për të pasur një udhëtim të sigurt

8:15 Unë i mblodha pranë lumit që rrjedh në drejtim të Ahavës, dhe fushuam aty tri ditë. Kur kalova në revistë popullin dhe priftërinjtë, nuk gjeta asnjë bir Leviti.

8:16 Atëherë dërgova të thërrasë Eliezerin, Arielin, Shemajahun, Elnathanin, Jaribin, Elnathanin, Nathanin, Zakarian dhe Meshulamin, që ishin të parë, si edhe Jojaribin dhe Elnathanin që ishin njerëz të urtë,

8:17 dhe i urdhërova të shkonin tek Ido, kreu i lokalitetit të Kasifias, dhe u vura në gojë fjalët që duhet t`i thonin Idos dhe vëllezërve të tij, Nethinejve në lokalitetin e Kasifias, që të na dërgonin njerëz që të kryenin shërbimin në shtëpinë e Perëndisë tonë.

8:18 Me qenë se dora mirëbërëse e Perëndisë tonë ishte mbi ne, ata na dërguan Sherebiahun, një njeri me mend, nga bijtë e Mahlit, birit të Levit, bir i Izraelit, bashkë me bijtë e vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë;

8:19 dhe Hashabiahun, dhe me të Isai nga bijtë e Merarit, vëllezërit dhe bijtë e tyre, gjithsej njëzet;

8:20 dhe nga Nethinej, që Davidi dhe krerët kishin caktuar në shërbim të Levitëve, dyqind e njëzet Nethinej, të gjithë të caktuar me emër.

8:21 Aty, pranë lumit Ahava, unë shpalla një agjerim për t`u përulur përpara Perëndisë tonë, për t`i kërkuar një udhëtim të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha pasuritë tona.

8:22 Në fakt unë kisha turp t`i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: “Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin”.

8:23 Kështu ne agjeruam dhe iu lutëm Perëndisë tonë për këtë arësye, dhe ai e dëgjoi lutjen tonë.

Udhëtimi i kthimit dhe mberritja në Jeruzalem

8:24 Atëherë unë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve: Sherebiahun, Hashabiahun dhe bashkë me ta dhjetë nga vëllezërit e tyre,

8:25 dhe u peshova atyre argjendin, arin, veglat, që ishin oferta e bërë për shtëpinë e Perëndisë tonë nga mbreti, nga këshilltarët dhe nga paria e tij, dhe nga të gjithë Izraelitët që ndodheshin atje.

8:26 Në duart e tyre peshova gjithashtu gjashtëqind e pesëdhjetë talenta argjendi, vegla prej argjendi me një vlerë prej njëqind talentash, njëqind talenta ari,

8:27 njëzet kupa ari me një vlerë prej një mijë darikë, dy enë prej bronzi të hollë dhe të shndritshëm, i çmueshëm si ari.

8:28 Pastaj u thashë atyre: “Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.

8:29 Kini kujdes dhe ruajini deri sa t`i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, Levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit”.

8:30 Kështu priftërinjtë dhe Levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t`i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.

8:31 Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.

8:32 Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.

8:33 Ditën e katërt në shtëpinë e Perëndisë tonë, u peshuan argjendi, ari dhe veglat në duart e Meremothit, birit të priftit Uriah, me të cilin ishte Eleazari, bir i Finehasit, dhe me ta Levitët Jozabad, bir i Jeshuas, dhe Noadiahu, bir i Binuit.

8:34 U njëhsua dhe u peshua çdo gjë; dhe pesha e të gjitha gjërave u vu me shkrim.

8:35 Të mërguarit që u kthyen nga robëria, i ofruan si olokauste Perëndisë të Izraelit dymbëdhjetë dema për tërë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si flijim për mëkatin, e tërë kjo si olokaust për Zotin.

8:36 Pastaj ua dorëzuan dekretet e mbretit satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës matanë Lumit, dhe këta ndihmuan popullin dhe shtëpinë e Perëndisë.