Esteri 4

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mardokeu bind Esterin të ndërhyjë pranë mbretit

4:1 Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim;

4:2 dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit.

4:3 Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi.

4:4 Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t`ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t`i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi.

4:5 Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t`i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç`arësye.

4:6 Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit.

4:7 Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve;

4:8 i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t`ia tregonte Esterit, t`ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij.

4:9 Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut.

4:10 Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t`i thoshte Mardokeut:

4:11 “Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti”.

4:12 Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit,

4:13 dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: “Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit.

4:14 Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?”.

4:15 Atëherë Esteri urdhëroi t`i përgjigjeshin Mardokeut kështu:

4:16 “Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”.

4:17 Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.

[previous][next]