Esteri 7

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Hamani denoncohet nga Esteri dhe dënohet me vdekje

7:1 Mbreti dhe Hamani shkuan, pra, në banketin bashkë me mbretëreshën Ester.

7:2 Edhe ditën e dytë, ndërsa gjatë banketit po shërbehej vera, mbreti i tha Esterit: “Cila është kërkesa jote, o mbretëreshë Ester? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet”.

7:3 Atëherë mbretëresha Ester u përgjigj: “Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, kërkesa ime është që të më jepet jeta; dhe kërkoj që populli im të falet.

7:4 Sepse unë dhe populli im kemi qenë të shitur për t`u prishur, për t`u vrarë dhe për t`u shfarosur. Po të ishim shitur për t`u bërë skllevër dhe skllave do të kisha heshtur; por armiku nuk mund ta kompensojë kurrë dëmin që do t`i shkaktohej mbretit”.

7:5 Mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester: “Kush është dhe ku ndodhet ai që ka guximin të bëjë një gjë të tillë?”.

7:6 Esteri u përgjigj: Armiku dhe kundërshtari është ai i keqi Haman”. Atëherë Hamanit i hyri tmerri në prani të mbretit dhe të mbretëreshës.

7:7 Mbreti u ngrit shumë i zemëruar nga banketi në të cilin shërbehej vera dhe shkoi në kopshtin e pallatit, ndërsa Hamani qëndroi për t`iu lutur me të madhe mbretëreshës Ester për jetën e tij, sepse

7:8 Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit, në vendin e banketit ku shërbehej vera; ndërkaq Hamani kishte rënë mbi divanin në të cilin rrinte Esteri. Atëherë mbreti thirri: “Dashke gjithashtu të dhunosh mbretëreshën, ndërsa unë vetë jam në shtëpi?”. Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, ia mbuluan fytyrën Hamanit.

7:9 Pastaj Harbonahu, një nga eunukët, tha përpara mbretit: “Ja, në shtëpinë e vetë Hamanit është ngritur një trekëmbësh, i lartë pesëdhjetë kubitë, që Hamani kishte përgatitur për Mardokeun, i cili kishte folur për të mirën e mbretit”. Mbreti tha: “Vareni aty këtë!”.

7:10 Kështu Hamanin e varën në trekëmbëshin që kishte përgatitur për Mardokeun. Dhe zemërimi i mbretit u qetësua.

[previous][next]