BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Lutja e Habakukut
3:1 Lutja e profetit Habakuk mbi Shigionothin.
3:2 “O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën.
3:3 Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij.
3:4 Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze si shkëndi dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij.
3:5 Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij.
3:6 Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme.
3:7 Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Madianit dridheshin.
3:8 O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores?
3:9 Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë.
3:10 Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart.
3:11 Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese.
3:12 Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar.
3:13 Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart.
3:14 Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e fshatrave të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t`i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi.
3:15 Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash.
3:16 Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën
3:17 Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla,
3:18 unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.
3:19 Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t`i bëjë këmbët e mia si ato të durëve dhe do të më bëjë të ecë mbi lartësitë e mia”. Mjeshtrit të korit. Për veglat me tela.