Levitiku 12

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ligji për lehonat

12:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

12:2 "Folu kështu bijve të Izraelit: Në qoftë se një grua mbetet me barrë dhe lind një mashkull, do të jetë e papastër për shtatë ditë, do të jetë e papastër si në ditët e zakoneve të saj.

12:3 Ditën e tetë do të rrethpritet mishi i prepucit të djalit.

12:4 Pastaj ajo do të rrijë akoma tridhjetë e tre ditë për të pastruar gjakun e saj; nuk do të prekë asnjë send të shenjtë dhe nuk do të hyjë në shenjtëroren, deri sa të plotësohen ditët e pastrimit të saj.

12:5 Por në rast se lind një vajzë, ajo do të jetë e papastër dy javë si në kohën e zakoneve të saj; dhe do të rrijë gjashtëdhjetë ditë për t`u pastruar nga gjaku.

12:6 Kur të plotësohen ditët e pastrimit të saj, pavarësisht në se është fjala për një djalë apo vajzë, do t`i çojë priftit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, një qengj motak si olokaust dhe një pëllumb të ri o një turtull, si flijim për mëkatin.

12:7 Pastaj prifti do t`i ofrojë para Zotit dhe do të bëjë shlyerjen për të; dhe ajo do të jetë pastruar nga rrjedha e gjakut të saj. Ky është ligji për gruan që lind një mashkull apo një femër.

12:8 Dhe në rast se i mungojnë mjetet për të ofruar një qengj, do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, njërin si olokaust dhe tjetrin si flijimin e mëkatit. Prifti do të bëjë shlyerjen për të, dhe ajo do të jetë e pastër".

[previous][next]