Levitiku 13

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Lebra: shqyrtimi dhe ligji përkatës për njerëzit

13:1 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke thënë:

13:2 "Kur një njeri ka mbi lëkurën e trupit të tij një ënjtje apo një kore ose një njollë të shndritshme, dhe bëhet mbi lëkurën e trupit të tij një shenjë e plagës së lebrës, ai do t`i çohet priftit Aaron apo njërit prej bijve të tij priftërinj.

13:3 Prifti do të shqyrtojë plagën mbi lëkurën e trupit; në qoftë se qimja e plagës është bërë e bardhë dhe plaga duket më e thellë se lëkura e trupit, kemi të bëjmë me plagë të lebrës; prifti, pasi ta shqyrtojë, do ta shpallë të papastër atë njeri.

13:4 Por në qoftë se njolla e shndritshme mbi lëkurën e trupit është e bardhë dhe nuk duket se është më e thellë se lëkura, dhe qimja e saj nuk është bërë e bardhë, prifti do ta izolojë për shtatë ditë atë që ka plagën.

13:5 Ditën e shtatë, prifti do ta ekzaminojë përsëri; dhe në qoftë se plaga duket se është ndalur dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta izolojë edhe shtatë ditë të tjera.

13:6 Prifti do ta shqyrtojë përsëri ditën e shtatë; dhe, po të shikojë që plaga është zvogëluar dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të pastër: ishte vetëm një puçërr me qelb. Ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër.

13:7 Por në rast se puçrra është zgjeruar mbi lëkurën pasi ai iu paraqit priftit për t`u shpallur i pastër, ai do të kontrollohet përsëri nga prifti;

13:8 prifti do ta kontrollojë; dhe në rast se shikon që puçrra është zgjeruar mbi lëkurë, prifti do ta shpallë atë të papastër; është lebër.

13:9 Kur te një njeri shfaqet një plagë e lebrës, ai do t`i çohet priftit.

13:10 Prifti do ta ekzaminojë; dhe në qoftë se ënjtja mbi lëkurë është e bardhë dhe e ka zbardhur qimen, dhe në ënjtje ka pak mish të gjallë,

13:11 kemi një lebër kronike mbi lëkurën e trupit të tij dhe prifti do ta shpallë atë të papastër; nuk do ta izolojë, sepse është i papastër.

13:12 Por në qoftë se lebra përhapet edhe më mbi lëkurë në mënyrë që të mbulojë tërë lëkurën e atij që ka plagën, nga koka deri te këmbët, kudo që shikon prifti,

13:13 prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën; është bërë i tëri i bardhë, pra, është i pastër.

13:14 Por ditën që do të dalë mbi të mish i gjallë, ai do të shpallet i papastër.

13:15 Kur prifti ka për të parë mishin e gjallë, do ta shpallë atë të papastër; mishi i gjallë është i papastër; është lebër.

13:16 Por në rast se mishi i gjallë ndryshon përsëri dhe bëhet i bardhë, ai duhet të shkojë te prifti;

13:17 dhe prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se plaga është bërë e bardhë, prifti do të shpallë të pastër atë që ka plagën; ai është i pastër.

13:18 Kur mbi lëkurën e trupit zhvillohet një ulcerë, dhe ajo është shëruar,

13:19 dhe në vendin e ulcerës formohet një ënjtje e bardhë ose një njollë e shndritshme e bardhë-kuqalashe, kjo duhet t`i tregohet priftit.

13:20 Prifti do ta ekzaminojë; në qoftë se njolla duket më e thellë se lëkura dhe qimja e saj është bërë e bardhë, prifti do ta shpallë atë të papastër; është plagë lebre që ka shpërthyer në ulcerë.

13:21 Por në rast se prifti, duke e ekzaminuar, sheh që në njollë nuk ka qime të bardha dhe që ajo nuk është më e thellë se lëkura dhe është pakësuar, ai do ta izolojë shtatë ditë.

13:22 Në rast se njolla zgjerohet mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është një plagë lebre.

13:23 Por në rast se njolla ka mbetur në vend dhe nuk është zgjeruar, ajo është mbresë e ulcerës dhe prifti do ta shpallë të pastër.

13:24 Në rast se dikush pëson mbi lëkurën e tij një djegie të shkaktuar nga zjarri, dhe mishi i gjallë i djegies bëhet një njollë e shndritshme, e bardhë-kuqalashe, ose e bardhë,

13:25 prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se qimja e njollës është bërë e bardhë dhe njolla duket më e thellë se lëkura, është lebër që ka shpërthyer në djegien. Prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre.

13:26 Por në rast se prifti, duke shqyrtuar, sheh që nuk ka qime të bardhë në njollë dhe që kjo nuk është më e thellë se lëkura, por është pakësuar, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë njeri.

13:27 Ditën e shtatë, prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se njolla është përhapur edhe më mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre.

13:28 Në qoftë se njolla e shndritshme ka mbetur përkundrazi në të njëjtin vend dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, por është pakësuar, është një ënjtje shkaktuar nga djegia; prifti do ta shpallë të pastër, sepse është mbresa e djegies.

13:29 Kur një burrë apo një grua ka një plagë në kokë apo në mjekër,

13:30 prifti do të ekzaminojë plagën; në rast se duket më e thellë se lëkura dhe në të ka qime të verdha dhe të holla, prifti do ta shpallë atë të papastër; është qere, domethënë lebër e kokës apo e mjekrës.

13:31 Në qoftë se përkundrazi prifti shqyrton plagën e qeres, dhe kjo nuk duket më e thellë se lëkura dhe në të nuk ka qime të zeza, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë që ka plagën e qeres.

13:32 Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë plagën dhe, po të jetë se qerja nuk është përhapur dhe nuk ka në të qime të verdha, dhe qerja nuk duket më e thellë se lëkura,

13:33 ai person do të rruhet, por nuk do të rruajë pjesën e prekur nga qerja; dhe prifti do ta izolojë shtatë ditë të tjera atë që ka qeren.

13:34 Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë qeren; dhe në qoftë se qerja nuk është përhapur mbi lëkurë dhe nuk duket më e thellë se lëkura, prifti do ta shpallë të pastër; ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër.

13:35 Por në qoftë se, pasi është shpallur i pastër, qerja është përhapur mbi lëkurë,

13:36 prifti do ta kontrollojë atë; në qoftë se qerja është përhapur mbi lëkurë, prifti nuk duhet të kërkojë qimen e verdhë; ai është i papastër.

13:37 Por në qoftë se qerja duket se është ndaluar dhe në të janë rritur qime të zeza, qerja është shëruar; ai është i pastër dhe prifti do ta shpallë të pastër.

13:38 Në rast se një burrë apo një grua ka mbi lëkurën e trupit të tij njolla të shndritshme, veçanërisht njolla të shndritshme bardhoshe,

13:39 prifti do t`i shqyrtojë; dhe në qoftë se njollat e shndritshme mbi lëkurën e trupit të tyre kanë një ngjyrë të bardhë të zbehtë, është një erupsion të lëkurës; ai është i pastër.

13:40 Në rast se një njeriu i bien flokët e kokës, është tullac, por është i pastër.

13:41 Në rast se i bien flokët mbi ballë, është tullac mbi ballë, por i pastër.

13:42 Por në rast se në pjesën tullace të kokës ose të ballit shfaqet një plagë e bardhë-kuqalashe, është lebër, që ka shpërthyer mbi kokë apo mbi ballë.

13:43 Prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se ënjtja e plagës mbi pjesën tullace të kokës apo të ballit është e bardhë-kuqalashe, njëlloj si lebra mbi lëkurën e trupit,

13:44 është lebroz; është i papastër, dhe prifti do ta shpallë atë të papastër, për shkak të plagës mbi kokën e tij.

13:45 Lebrozi, i prekur nga kjo plagë, do të veshë rroba të grisura dhe do ta mbajë kokën të zbuluar; do të mbulojë mjekrën e tij dhe do të bërtasë: "papastër, papastër".

13:46 Do të jetë i papastër tërë kohën që do të ketë plagën; është i papastër; do të jetojë vetëm; do të banojë jashtë kampit.

Shqyrtimi dhe ligji për sendet

13:47 Në qoftë se ka një plagë lebre mbi një palë rroba, qoftë rrobë leshi apo një rrobë liri,

13:48 një stofë o një punë me shtiza, prej liri ose leshi, në lëkurë apo në çfarëdo sendi prej lëkure,

13:49 në se plaga është e gjelbëruar ose kuqalashe mbi rrobat apo mbi lëkurën, mbi stofin ose mbi punën e bërë me shtiza, ose mbi çfarëdo tjetër sendi të punuar me lëkurë, është plagë lebre, dhe do t`i tregohet priftit.

13:50 Prifti do të shqyrtojë plagën dhe do të izolojë shtatë ditë atë që ka plagën.

13:51 Ditën e shtatë do të ekzaminojë plagën; dhe në qoftë se plaga është përhapur mbi rrobat, o mbi stofën, o mbi trikotazhin, o mbi lëkurën apo mbi çfarëdo sendi të punuar me lëkurë, është një plagë lebre të keqe; është një gjë e papastër.

13:52 Ai do t`i djegë këto rroba o stofin ose trikotazhin prej leshi a prej liri ose çfarëdo sendi të bërë me lëkurë, mbi të cilin ndodhet plaga, sepse është një lebër e keqe; do të digjen në zjarr.

13:53 Por në rast se prifti ekzaminon plagën, dhe kjo nuk është përhapur mbi rrobat o mbi stofin, o mbi trikotazhin ose mbi çdo send prej lëkure,

13:54 prifti do të urdhërojë që të lahet sendi mbi të cilin është kjo plagë, dhe do ta izolojë personin për shtatë ditë të tjera.

13:55 Prifti do të ekzaminojë plagën, mbasi të jetë larë; në qoftë se plaga nuk ka ndryshuar ngjyrë, edhe sikur të mos jetë përhapur, është gjë e papastër; do ta djegësh në zjarr; ajo vazhdon të hajë nga brenda apo nga jashtë.

13:56 Në qoftë se prifti e ekzaminon dhe plaga, pasi është larë, është përmirësuar, do ta shkulë nga rrobat, a nga lëkura, a nga stofi apo nga trikotazhi.

13:57 Por në rast se duket ende mbi rrobat, stofin, trikotazhin, ose mbi çdo send tjetër prej lëkure, është një e keqe që po përhapet; do të djegësh me zjarr sendin mbi të cilin ndodhet plaga.

13:58 Rrobat, o stofi, o trikotazhi ose çdo send tjetër i bërë me lëkurë që ke larë dhe nga i cili është zhdukur plaga, do të lahet një herë të dytë dhe do të jetë i pastër.

13:59 Ky është ligji për plagën e lebrës mbi një palë rroba leshi ose prej liri, mbi stofin apo trikotazh ose çfarëdo sendi të bërë prej lëkure, për ta shpallur të pastër apo për ta shpallur të papastër".

[previous][next]