Levitiku 6

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


6:1 Zoti i foli Moisiut, duke thënë:

6:2 "Në qoftë se dikush mëkaton dhe bën një shkelje kundër Zotit, duke u sjellë në mënyrë të gënjeshtërt me fqinjin e tij lidhur me një depozitë, ose me një peng apo për një vjedhje, ose ka mashtruar fqinjin e tij,

6:3 o sepse ka gjetur një gjë të humbur dhe ka gënjyer lidhur me të dhe është betuar në mënyrë të rreme, për çfarëdo gjë njeriu mund të mëkatojë në veprimet e tij,

6:4 atëherë, në qoftë se ka mëkatuar dhe është fajtor, ai duhet të rikthejë atë që ka vjedhur, apo gjënë e zhvatur me mashtrim, ose depozitën që i është besuar apo sendin e humbur që ka gjetur,

6:5 ose të gjitha ato për të cilat është betuar në mënyrë të rreme. Jo vetëm do t`i kthejë plotësisht, por do t`u shtojë një të pestën dhe do t`ia dorëzojë të zotit në po atë ditë të ofertës së tij për shkeljen.

6:6 Pastaj do t`i sjellë priftit ofertën e tij për shkeljen përpara Zotit: një dash pa të meta, të marrë nga kopeja sipas vlerësimit tënd, si ofertë për shkeljen.

6:7 Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të përpara Zotit, dhe do t`i falet çdo faj për të cilin është bërë fajtor".

Të tjera rregulla lidhur me olokaustin dhe blatimet e ushqimit

6:8 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

6:9 "Jepu këtë urdhër Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ky është ligji i olokaustit. Olokausti do të mbetet mbi mangallin sipër altarit tërë natën, deri në mëngjes; dhe zjarri i altarit do të mbahet i ndezur.

6:10 Prifti do të veshë tunikën e tij prej liri dhe do të veshë mbi trup pantallonat; dhe do të mbledhë hirin e olokaustit, që zjarri ka konsumuar mbi altar, dhe do ta vendosë pranë altarit.

6:11 Pastaj do të heqë rrobat e tij dhe do të veshë të tjera, dhe do ta çojë hirin jashtë kampit në një vend të pastër.

6:12 Zjarri mbi altar do të mbahet i ndezur dhe nuk do të lihet të shuhet; prifti do të djegë dru mbi të çdo mëngjes, do të vendosë sipër olokaustin dhe do të tymosë sipër dhjamin e flijimeve të falënderimit.

6:13 Zjarri duhet të digjet vazhdimisht mbi altarin dhe nuk duhet të shuhet.

6:14 Ky është ligji i blatimit të ushqimit. Bijtë e Aaronit do ta paraqesin përpara Zotit përballë altarit.

6:15 Njëri prej tyre do të marrë nga ai një grusht maje mielli me vajin e tij dhe me gjithë temjanin që ndodhet mbi blatimin e ushqimit dhe do ta tymosë mbi altar me erë të këndshme, si një kujtim për Zotin.

6:16 Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë atë që ka për të mbetur; do të hahet pa maja në vend të shenjtë; ata do ta hanë në oborrin e çadrës së mbledhjes.

6:17 Të mos piqet me maja; është pjesa që u dhashë atyre nga flijimet e mia të bëra me zjarr. Éshtë gjë shumë e shenjtë, ashtu si flijimi për mëkatin dhe si flijimi për shkeljen.

6:18 Çdo mashkull ndër bijtë e Aaronit do të mund të hajë. Éshtë një ligj i përjetshëm për gjithë brezat tuaj, që lidhet me flijimet e bëra me zjarr për Zotin. Kushdo që prek këto gjëra duhet të jetë i shenjtë.

6:19 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

6:20 "Kjo është oferta që Aaroni dhe bijtë e tij do t`i bëjnë Zotit ditën në të cilën janë vajuar: një e dhjeta e efës maje mielli, si blatim i zakonshëm i ushqimit, gjysmën në mëngjes dhe gjysmën në mbrëmje.

6:21 Ajo do të përgatitet me vaj mbi një skarë; do ta çosh të përzier mirë dhe do të ofrosh copat e pjekura të blatimit të ushqimit, si erë e këndshme për Zotin.

6:22 Prifti, njërit prej bijve të tij që është vajuar për t`i zënë vendin, do t`i bëjë këtë ofertë; sipas ligjit të përjetshëm, do të tymoset e tëra.

6:23 Çdo blatim i ushqimit të priftit do të tymoset i tëri; ai nuk do të hahet".

Të tjera rregulla lidhur me flijimin e mëkatit

6:24 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

6:25 "Folu Aaronit dhe bijve të tij dhe u thuaj atyre: Ky është ligji i flijimit për mëkatin. Në vendin ku theret olokausti, të theret flia për mëkatin përpara Zotit. Éshtë gjë shumë e shenjtë.

6:26 Prifti që e ofron për mëkatin, do ta hajë; duhet të hahet në një vend të shenjtë, në oborrin e çadrës së mbledhjes.

6:27 Kushdo që prek mishin e saj bëhet i shenjtë; dhe në qoftë se pak nga gjaku i tij bie mbi një rrobe, ajo duhet të lahet në vend të shenjtë.

6:28 Por ena prej balte në të cilën është pjekur do të thyhet; dhe në rast se është pjekur në një enë prej bronzi, kjo do të fërkohet mirë dhe do të shpëlahet me ujë.

6:29 Çdo mashkull midis priftërinjve do të mund të hajë prej tij; është gjë shumë e shenjtë.

6:30 Por nuk do të hahet asnjë fli për mëkatin, gjaku i së cilës është çuar në çadrën e mbledhjes për të shlyer mëkatin në shenjtërore. Ajo do të digjet me zjarr".

[previous][next]