BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Shenjtërimi i Aaronit dhe bijve të tij
8:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
8:2 "Merr Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të, rrobat, vajin e vajosjes, demin e vogël të flijimit për mëkatin, dy deshtë dhe shportën e bukëve të ndorme,
8:3 dhe mblidhe gjithë asamblenë në hyrje të çadrës së mbledhjes".
8:4 Atëherë Moisiu bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti, dhe asambleja u mblodh në hyrje të çadrës së mbledhjes.
8:5 Dhe Moisiu i tha asamblesë: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar të bëhet".
8:6 Pastaj Moisiu e afroi Aaronin dhe bijtë e tij dhe i lau me ujë.
8:7 Pastaj i veshi Aaronit tunikën, i ngjeshi brezin, i veshi mantelin, i vendosi efodin, dhe i ngjeshi brezin e punuar artistikisht nga efodi me të cilin i fiksoi në trup efodin.
8:8 I vuri gjithashtu pektoralin dhe mbi të vendosi Urim-in dhe Thumim-in.
8:9 Pastaj i vuri çallmën mbi krye dhe në pjesën e përparme të çallmës vendosi pllakën e artë, diademën e shenjtë, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8:10 Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tabernakullin dhe të gjitha gjërat që ndodheshin aty, duke i shenjtëruar në këtë mënyrë.
8:11 Me pak vaj spërkati shtatë herë altarin, vajosi altarin dhe tërë pajisjet e tij, si dhe legenin dhe bazën e tij, për t`i shenjtëruar.
8:12 Pas kësaj derdhi pak nga vaji i vajosjes mbi kokën e Aaronit dhe e vajosi për ta shenjtëruar.
8:13 Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit, i veshi me tunika, iu ngjeshi breza dhe u vuri mbulesa të kokës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8:14 Pastaj afroi demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël të flijimit për mëkatin.
8:15 Pastaj Moisiu e theri, mori gjak prej tij, e vuri me gisht mbi brirët e altarit rreth e qark dhe e pastroi altarin; pastaj derdhi gjakun në bazën e altarit dhe e shenjtëroi për të bërë mbi të shlyerjen.
8:16 Pastaj mblodhi gjithë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre, dhe Moisiu i tymosi mbi altar.
8:17 Por demin e vogël, lëkurën e tij, mishin dhe fëlliqësirat e tij i dogji me zjarr jashtë kampit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8:18 Pastaj paraqiti dashin e olokaustit dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.
8:19 Moisiu e theri dhe spërkati gjakun rreth e qark altarit.
8:20 Pastaj e preu dashin në copa dhe Moisiu tymosi kokën, copat dhe dhjamin.
8:21 Pasi i lau zorrët dhe këmbët me ujë, Moisiu e tymosi tërë dashin mbi altar. Ishte një olokaust me një erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8:22 Pastaj paraqiti dashin e dytë, dashin e shenjtërimit, dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.
8:23 Pastaj, pra, e theri, mori pak nga gjaku i tij dhe e vuri në skajin e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
8:24 Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit dhe vuri pak gjak në skajin e veshit të tyre të djathtë, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë; dhe Moisiu spërkati mbetjen e gjakut rreth e qark mbi altar.
8:25 Pastaj mori dhjamin, bishtin e majmë, tërë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë, të dy veshkat dhe dhjamin e tyre, dhe kofshën e djathtë;
8:26 dhe nga shporta e bukëve të ndorme, që ndodhej para Zotit mori një kulaç pa maja, një kulaç buke me vaj dhe një revani, dhe i vuri mbi dhjamin dhe mbi kofshën e djathtë.
8:27 Pastaj i vuri tërë këto gjëra në duart e Aaronit dhe në duart të bijve të tij dhe i tundi si ofertë e tundur përpara Zotit.
8:28 Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i tymosi mbi altarin sipër olokaustit. Ishte një flijim shenjtërimi me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin.
8:29 Pastaj Moisiu mori gjoksin dhe e tundi si një ofertë të tundur përpara Zotit; kjo ishte pjesa e dashit të shenjtërimit që i takoi Moisiut, si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8:30 Moisiu mori pastaj ca vaj të vajosjes dhe ca gjak që ndodhej mbi altar dhe i spërkati mbi Aaronin, mbi rrobat e tij, mbi bijtë e tij dhe mbi rrobat e bijve të tij me të; kështu shenjtëroi Aaronin, rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e bijve të tij me të.
8:31 Pastaj Moisiu i tha Aaronit dhe bijve të tij: "Piqeni mishin në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe hajeni aty me bukën që është në shportën e shenjtërimit, siç kam urdhëruar, duke thënë: "Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë".
8:32 Atë që tepron nga mishi dhe nga buka do ta digjni me zjarr.
8:33 Shtatë ditë me radhë nuk do të dilni nga hyrja e çadrës së mbledhjes, deri sa të plotësohen ditët e shenjtërimit tuaj, sepse do të nevojiten shtatë ditë për të plotësuar shenjtërimin tuaj.
8:34 Ashtu siç është vepruar në këtë ditë, kështu ka urdhëruar Zoti të bëhet për të bërë shlyerjen për ju.
8:35 Do të qëndroni pra shtatë ditë në hyrje të çadrës së mbledhjes, ditë e natë, dhe do të respektoni urdhërimin e Zotit, që të mos vdisni; sepse kështu më kishte qenë urdhëruar".
8:36 Kështu Aaroni dhe bijtë e tij bënë tërë ato gjëra që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut.