Predikuesi 11

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Hidh bukën tënde mbi ujërat

11:1 Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.

11:2 Jepu pjesë shtatë, madje edhe tetë vetave, sepse ti nuk e di se çfarë fatkeqësie mund të të ndodhë mbi tokë.

11:3 Në rast se retë janë plot me shi, e derdhin mbi tokë; dhe në rast se një dru bie në jug apo në veri, ai mbetet aty ku bie.

11:4 Kush e ka mendjen te era nuk ka për të mbjellë dhe kush rri e shikon retë nuk ka për të korrur.

11:5 Ashtu si ti nuk njeh rrugën e erës dhe mënyrën si formohen kockat në barkun e gruas me barrë, kështu ti nuk e njeh veprën e Perëndisë që bën gjithçka.

11:6 Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.

11:7 Drita është e ëmbël dhe është diçka e këndshme për sytë që shohin diellin.

11:8 Edhe kur një njeri të jetojë shumë vjet, le t`i gëzojë të gjitha, por le të mendojë edhe për ditët e territ që do të jenë të shumta; të gjitha ato që do të ndodhin janë kotësi.

11:9 Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu, por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.

11:10 Elimino nga zemra jote trishtimin, dhe largo nga trupi yt dhembjen, sepse rinia dhe mituria janë kotësi.