Predikuesi 5

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Zotimet para Perëndisë duhet të merren seriozisht

5:1 Ki kujdes hapat e tua kur shkon te shtëpia e Perëndisë; afrohu për të dëgjuar në vend që të ofrosh flijimin e budallenjve, të cilët as nuk dinë që veprojnë keq.

5:2 Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.

5:3 Sepse nga punët e shumta vijnë ëndrrat, dhe nga fjalët e shumta zëri i budallait.

5:4 Kur i ke bërë një zotim Perëndisë mos humb kohë ta plotësosh, sepse ai nuk kënaqet me budallenjtë; plotëso zotimin që ke marrë.

5:5 Më mirë të mos marrësh zotime se sa t`i bësh dhe të mos i plotësosh.

5:6 Mos lejo që goja jote ta çojë trupin tënd të mëkatojë dhe mos thuaj para lajmëtarit të Perëndisë: “Ka qenë gabim”. Pse Perëndia duhet të zemërohej me fjalët e tua dhe të shkatërronte veprën e duarve të tua?

5:7 Sepse në ëndrrat e shumta dhe në fjalët e shumta ka kotësi; por ti ke frikë nga Perëndia.

5:8 Në rast se në provincë sheh shtypjen e të varfërit dhe shkeljen me dhunë të së drejtës dhe të drejtësisë, mos u habit nga kjo gjë; sepse mbi një pushtet të lartë ndodhet një më i lartë dhe mbi ta disa pushtete akoma më të larta.

5:9 Toka ofron përfitime më të mëdha se çdo gjë tjetër, dhe vetë mbreti shërbehet nga fusha.

Pasuritë nuk kënaqin, nuk janë jetëgjata dhe vijnë gjithnjë nga Perëndia

5:10 Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para, dhe kush dëshiron pasuritë nxjerr përfitim prej tyre. Edhe kjo është kotësi.

5:11 Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj pronarët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre?

5:12 I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.

5:13 Éshtë një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për pronarin e tyre në dëm të tij.

5:14 Këto pasuri humbasin për shkak të një pune të keqe, dhe kështu në duart e birit që ka lindur nuk mbetet më asgjë.

5:15 Ashtu si ka dalë nga barku i nënës, kështu lakuriq do të kthehet për të shkuar si pati ardhur, pa marrë gjë nga mundi i tij që mund ta marrë me vete.

5:16 Edhe kjo është një e keqe e vajtueshme që duhet të shkojë pikërisht ashtu si ka ardhur; dhe çfarë përfitimi ka se është munduar për erën?

5:17 Përveç kësaj ai ha çdo ditë të jetës së tij në errësirrë, dhe ka shumë hidhërime, sëmundje dhe telashe.

5:18 Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij.

5:19 Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t`i gëzojë ato, të marrë pjesën e vet dhe të gëzojë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.

5:20 Në fakt ai nuk do të kujtojë shumë ditët e jetës së tij, sepse Perëndia i përgjigjet me gëzimin e zemrës së tij.