Romakëve 10

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Judenjtë e hodhën poshtë drejtësinë e Perëndisë

10:1 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.

10:2 Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.

10:3 Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,

10:4 sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.

10:5 Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre“.

10:6 Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: “Kush do të ngjitet në qiell?“. Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.

10:7 Ose: “Kush do të zbresë në humnerë?“. Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.

10:8 Po ç`thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde“. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;

10:9 sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.

10:10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,

10:11 sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet“.

10:12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.

10:13 Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet“.

10:14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s`ka kush predikon?

10:15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!“.

10:16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?“.

10:17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

10:18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, “Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës“.

10:19 Por unë them: “Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: “Unë do t`ju shtie në xhelozi me një komb që s`është fare komb; do t`ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë“.

10:20 Dhe Isaia me guxim thotë: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua“.

10:21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: “Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës“.