Romakëve 15

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Krishti shembull vetmohimi

15:1 Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t`i pëlqejmë vetes.

15:2 Secili nga ne le t`i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim,

15:3 sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: “Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua“.

15:4 Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.

15:5 Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,

15:6 që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.

15:7 Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.

15:8 Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,

15:9 dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t`i këndoj lavdërime emrit tënd!“.

15:10 Dhe përsëri ai thotë: “Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij“.

15:11 Dhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt“.

15:12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!“.

15:13 Dhe Perëndia i shpresës le t`ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!

15:14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin.

15:15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t`ju kujtoj për hirin që m`u dha prej Perëndisë,

15:16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.

15:17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë.

15:18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t`i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër,

15:19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit,

15:20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit.

15:21 Por, sikurse është shkruar: “Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë“.

15:22 Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju.

15:23 Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillizuar në këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju,

15:24 kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t`ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju.

15:25 Por tani unë po shkoj në Jeruzalem, për t`u shërbyer shenjtorëve,

15:26 sepse atyre nga Maqedonia dhe Akaia u pëlqeu të japin një ndihmesë për të varfërit që janë ndër shenjtorët e Jeruzalemit.

15:27 Kjo u pëlqeu atyre me të vërtetë, sepse u janë debitorë; sepse, në qoftë se johebrenjtë, pra, janë bërë pjestarë bashkë me ta për të mirat frymërore, kanë detyrë t`u shërbejnë atyre edhe me të mira materiale.

15:28 Si ta kem kryer këtë punë dhe t`ua kem dorëzuar këtë fryt, do të shkoj në Spanjë, duke kaluar nga ju.

15:29 Dhe unë e di se, duke ardhur tek ju, do të vij në tërësinë e bekimeve të ungjillit të Krishtit.

15:30 Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua,

15:31 që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jeruzalemin t`u pëlqejë shenjtorëve,

15:32 që unë të vij tek ju, në dashtë Perëndia, dhe të freskohem bashkë me ju.

15:33 Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amen.