Romakëve 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Privilegji i judeut; drejtësia e Perëndisë

3:1 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?

3:2 E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.

3:3 Ç`të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?

3:4 Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh“.

3:5 Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç`do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).

3:6 Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?

3:7 Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?

3:8 E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: “Të bëjmë të keqen që të vijë e mira“? Dënimi i këtyre është i drejtë.

Të gjithë njerzit janë nën mëkat

3:9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,

3:10 siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.

3:11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.

3:12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.

3:13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;

3:14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;

3:15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;

3:16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,

3:17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;

3:18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre“.

3:19 Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t`i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,

3:20 sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.

Drejtësimi me anë të besimit në Jezu Krishtin

3:21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,

3:22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;

3:23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,

3:24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.

3:25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,

3:26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.

3:27 Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.

3:28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.

3:29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.

3:30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.

3:31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.