Romakëve 7

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Të vdekur për ligjin, ne i shërbejmë Perëndisë me frymë të rinuar; lufta ndërmjet mishit dhe frymës

7:1 Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron?

7:2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit.

7:3 Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër.

7:4 Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t`i japim fryte Perëndisë.

7:5 Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje,

7:6 por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç`ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.

7:7 Çfarë të themi, pra? Se ligji është mëkat? Ashtu mos qoftë! Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: “Mos lakmo!“.

7:8 Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi,

7:9 sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, por, kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa,

7:10 dhe urdhërimi që u dha për jetë, më solli vdekjen.

7:11 Sepse mëkati, duke gjetur rastin me anë të urdhërit, më mashtrojë dhe me anë të tij më vrau.

7:12 Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

7:13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.

7:14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav.

7:15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.

7:16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.

7:17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.

7:18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.

7:19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s`dua, atë bëj.

7:20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s`jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.

7:21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua.

7:22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,

7:23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.

7:24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?

7:25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.