Romakëve 9

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Dhembja e Palit për mosbesimin e Izraelit

9:1 Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë;

9:2 kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.

9:3 Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,

9:4 të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;

9:5 të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

Liri absolute e hirit të Perëndisë

9:6 Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.

9:7 As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: “Në Isakun do të quhet pasardhja jote“.

9:8 Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.

9:9 Sepse kjo është fjala e premtimit: “Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir“.

9:10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,

9:11 (sepse para se t`i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),

9:12 iu tha asaj: “Më i madhi do t`i shërbejë më të voglit“,

9:13 siç është shkruar: “E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun“.

9:14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!

9:15 Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri“.

9:16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.

9:17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun“.

9:18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.

9:19 Ti do të më thuash, pra: “Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t`i rezistojë vullnetit të tij?“.

9:20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t`i thotë ena mjeshtrit: “Përse më bërë kështu?“.

9:21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?

9:22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?

9:23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,

9:24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?

9:25 Ashtu si thotë ai te Osea: “Unë do ta quaj popullin tim atë që s`ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.

9:26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im", atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë“.

9:27 Por Isaia thërret për Izraelin: “Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet“.

9:28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.

9:29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: “Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t`i kishim ngjarë Gomorës“.

9:30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi,

9:31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë.

9:32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës,

9:33 ashtu siç është shkruar: “Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet“.