Zakaria 2

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


3. Burri me litarin për matje

2:1 I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje.

2:2 E pyeta: “Ku po shkon?”. Ai m`u përgjigj: “Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij”.

2:3 Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë,

2:4 dhe i tha: “Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të.

2:5 Sepse unë”, thotë Zoti, “do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij”.

2:6 Oh, oh! “Ikni nga vendi i veriut”, thotë Zoti, “sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit”, thotë Zoti.

2:7 Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë!

2:8 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: “Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij.

2:9 Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.

2:10 Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje”, thotë Zoti.

2:11 “Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.

2:12 Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.

2:13 Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë”.

[previous][next]