Zakaria 4

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


5. Shandani i artë dhe dy ullinjtë

4:1 Pastaj engjëlli që fliste me mua u kthye dhe më zgjoi ashtu si zgjojnë dikë nga gjumi.

4:2 Dhe më pyeti: “Çfarë po shikon?”. U përgjigja: “Ja, po shikoj një shandan krejt prej ari dhe që ka në majë një enë, mbi të cilën janë shtatë llampa me shtatë tuba për shtatë llampat që janë në majë.

4:3 Afër tyre janë dy ullinj, një në të djathtën e enës dhe tjetri në të majtën e saj”.

4:4 Kështu nisa t`i them engjëllit që fliste me mua: “Imzot, ç`kuptim kanë këto gjëra?”.

4:5 Engjëlli që fliste me mua u përgjigj dhe më tha: “Nuk e kupton se ç`duan të thonë këto gjëra?”. Unë i thashë: “Jo, imzot”.

4:6 Atëherë ai, duke u përgjigjur, më tha: “Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time”, thotë Zoti i ushtrive.

4:7 “Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: “Mëshirë, mëshirë për të!””.

4:8 Fjala e Zotit m`u drejtua përsëri, duke thënë:

4:9 “Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju.

4:10 Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun”.

4:11 Unë u përgjigja dhe i thashë: “Këta dy ullinj në të djathtën dhe në të majtën e shandanit çfarë janë?”.

4:12 Për herë të dytë nisa t`i them: “Çfarë janë këto dy degë ulliri që janë përbri dy prurësve prej ari nga rrjedh vaji i praruar?”.

4:13 Ai m`u përgjigj dhe tha: “Nuk e kupton çfarë janë këto?”. Unë u përgjigja: “Jo, imzot”.

4:14 Atëherë ai më tha: “Këta janë dy të vajosurit që rrijnë afër Zotit të gjithë dheut”.

[previous][next]