Zanafilla


Libri i parë i Biblës është për disa arsye pjesa më interesante dhe më tërheqëse e Shkrimit. Vendi i tij në Kanun, lidhja e tij me pjesën tjetër të Biblës dhe karakteri i larmishëm dhe tërheqës i përmbajtjes së tij e bëjnë një ndër më të spikaturit e Shkrimit të Shenjtë. Njerëzit e Perëndisë në çdo kohë kanë marrë nga ky libër mprehtësi të vërtetë frymërore dhe i kanë kushtuar vëmendjen më të zellshme.

W. H. Griffith Thomas

I. Vendi unik në Kanun

Zanafilla (greqisht «gjenezë»), quajtur Bereshith nga judenjtë (hebraishte «Në fillim»), është e mirënjohur. Ky vëllim i hareshëm jep rrëfimin e vetëm të vërtetë të krijimit nga i vetmi që ndodhej atje – Krijuesi!

Me anë të shërbëtorit të Tij Moisiu, Fryma e Shenjtë zbulon fillimet e burrit, gruas, martesës, familjes, mëkatit, flijimeve, qyteteve, tregtisë, agrokulturës, muzikës, adhurimit, gjuhëve dhe fiseve e kombeve të botës. Të gjitha këto në njëmbëdhjetë kapitujt e parë.

Pastaj, nga kapitujt 12-50 shohim fillimin e Izraelit, «kombin eksperimental» të Perëndisë, për të qenë një mikrokozmos i tërë njerëzve të botës. Jetët e etërve [patriarkëve] Abraham, Isak, Jakob dhe të dymbëdhjetë bijve të tij – sidomos të Jozefit, djalit tërheqës dhe të përkushtuar, kanë frymëzuar miliona njerëz, nga fëmijët deri te studiuesit e mëdhenj të DhV.

Një njohje e shpejtë e Zanafillës është e domosdoshme për të kuptuar pjesën tjetër të gjashtëdhjetë e pesë librave të Biblës. Të gjithë ata libra ngrihen mbi këtë bazë letrare të mrekullueshme.

II. Autorësia

Ne pranojmë mësimet e judenjve të lashtë dhe të krishtera se Zanafilla është shkruar dhe përpiluar nga Moisiu, njeriu i Perëndisë dhe Ligjdhënësi i Izraelit. Meqë tërë ngjarjet te Zanafilla janë zhvilluar para se të lindte Moisiu është krejt e sigurt se Moisiu ka përdorur dokumentet e lashtë dhe mbase rrëfimet gojore ndërsa drejtohej nga Fryma e Shenjtë. Shikoni Hyrjen e Pentateukut për një shtjellim të mëtejshëm të autorësisë së Moisiut.

III. Data

Studiuesit më konservativë në përgjithësi mendojnë se Eksodi ka ndodhur rreth vitit 1445 para K. Për këtë Zanafilla mund të jetë shkruar midis kësaj date dhe vdekjes së Moisiut rreth dyzet vjet më vonë. Megjithatë mund të ketë gjasa, sigurisht, që ky libër i Pentateukut të jetë shkruar para Eksodit, meqë të tëra ngjarjet te Zanafilla kanë ndodhur para asaj ndodhie të madhe.

Shikoni Hyrjen e Pentateukut për hollësi të mëtejshme.

IV. Sfondi dhe temat

Përjashto ata që kanë një paragjykim kundër Biblës, judaizmit apo krishterimit, gati të gjithë pranojnë se Zanafilla është një rrëfim i mahnitshëm i kohëve të lashta dhe përmban rrëfime të një bukurie të madhe, si për shembull historia e Jozefit.

Por cili është sfondi i këtij libri të parë të Biblës? Me pak fjalë, çfarë është ky?

Ata që nuk pranojnë një Perëndi vetjak janë të prirur ta klasifikojnë Zanafillën si një mbledhje mitesh të përshtatura nga mitet pagane mesopotame dhe e «kanë pastruar» nga elementet e tyre më të këqij politeiste për ndërtimin monoteist hebre.

Të tjerë, jo njësoj si skeptikët, e shohin Zanafillën si një mbledhje sagash apo legjendash me disa vlera historike.

Të tjerë i shohin historitë si shpjegime të fillimit të gjërave në natyrë dhe kulturë (teknikisht të quajtura etiologji). Ka etiologji në DhV, sidomos në këtë libër të fillesave (fillimi i mëkatit, ylberit, popullit hebre, për shembull), por kjo në asnjë mënyrë nuk i bën shpjegimet johistorike.

Zanafilla është histori. Ashtu si tërë historitë ajo është interpretuese. Ajo është histori teologjike, apo fakte të rrëfyera në skeletin e planit hyjnor. Është thënë me të drejtë se «historia është historia e Tij».

Edhe pse Zanafilla është libri i parë i «ligjit» ka pak material ligjor në të. Ajo është «Ligji» (Torah, heb. për mësim), sepse hedh bazat për Eksodin përmes Ligjit të Përtërirë dhe dhënien e Ligjit nga Perëndia me anë të Moisiut. Në fakt, ajo hedh themelet e tërë historisë biblike – po, vetë historinë.

Temat binjake të bekimit dhe mallkimit përpunohen me kujdes në tërë fabrikën e Zanafillës dhe, në të vërtetë, në tërë fjalën e Perëndisë. Bindja sjell një bollëk bekimesh dhe mosbindja të kundërtën.

Mallkimet e mëdha janë ndëshkimet e Rënies, Përmbytjes universale dhe ngatërrimi i gjuhëve në Babel.

Bekimet e mëdha janë premtimi i një Shpenguesi, shpëtimi i pjesës së mbetur përmes Përmbytjes dhe zgjedhja e një kombi të veçantë për të qenë kanali i hirit të Perëndisë, Izraelin.

Nëse Zanafilla është histori e ndodhur me të vërtetë, nga do t’i ketë ditur Moisiu tërë gjenealogjitë, bashkëbisedimet e vjetra, ngjarjet dhe interpretimin e duhur të atyre ndodhive?

Më së pari, duhet thënë se arkeologjia ka mbështetur (jo «vërtetuar», por miratuar dhe ilustruar) rrëfimin e Zanafillës në shumë fusha, sidomos për sa i përket etërve dhe zakoneve të tyre.

Disa liberalë të shekullit XIX, si Hartmani1Anton Hartmann (1831). Shihni Merrill F. Unger, Introductory Guide to the Old Testament, f. 244., kanë mësuar se Moisiu nuk mund ta ketë shkruar Pentateukun, sepse shkrimi nuk mund të ishte shpikur në atë kohë! Tani ne e dimë se Moisiu mund të ketë shkruar një ndër shkrimet e lashta, duke mësuar nga shkencat e Egjiptit.

Moisiu pa dyshim që ka përdorur rrëfimet e lëna nga Jozefi dhe pllakat, pergamenat dhe përkthimet gojore të sjella nga Mesopotamia e lashtë nga Abrahami dhe pasardhësit e tij. Këto përfshijnë gjenealogjitë, ndarjet më të mëdha të njohura si «brezat e Adamit» etj.

Në shqyrtimin përfundimtar kjo nuk mjafton. Fryma e Shenjtë e Perëndisë ka frymëzuar Moisiun për të zgjedhur me saktësi materialet e duhura dhe të injoronte të tjerat. Ai mbase kishte nevojë për hollësitë e bashkëbisedimit dhe gjëra të tjera nga ndonjë zbulim i drejtpërdrejtë.

Është për më tepër çështje besimi. Vetëm Perëndia mund të dojë ose jo që të prodhojë një vepër të tillë përmes shërbëtorëve të Tij. Besimtarët e çdo kohe, që nga kohët e hershme deri më sot, kanë qenë të sigurt se Perëndia është i vërtetë.

Arkeologjia mund të na ndihmojë të rindërtojmë kulturën e etërve për ta bërë rrëfimin biblik më të gjallë2Shihni, për shembull, Gleason Archer, Archaeology and the Old Testament., por vetëm Fryma e Shenjtë mund t’u ndriçojë të vërtetën e Zanafillës zemrave tona dhe jetëve tona të përditshme.

Ndërsa do të lexoni këtë komentar mbi Zanafillën – apo ndonjë prej librave të DhV – duhet të vini besimin në ndriçimin e Frymës së vetë Fjalës së Shenjtë, për të përfituar me të vërtetë nga komentet. Një komentar i vërtetë nuk është një mjet i pavarur, por një shigjetë që na drejton tek «Këtë thotë Zoti».

Paraqitje e përgjithshme

I. EPOKAT E HERSHME TË TOKËS (Kapitujt 1-11)
   A. Krijimi (Kapitujt 1,2)
   B. Tundimi dhe rënia (Kapitulli 3)
   C. Kaini dhe Abeli (Kapitulli 4)
   D. Sethi dhe pasardhësit e tij (Kapitulli 5)
   E. Mëkati i përhapur dhe përmbytja universale (Kapitujt 6-8)
   F. Noeu pas Përmbytjes (Kapitulli 9)
   G. Skicat e kombeve (Kapitulli 10)
   H. Kulla e Babelit (Kapitulli 11)
II. ETËRIT [PATRIARKËT] E IZRAELIT (Kapitujt 12-50)
   A. Abrahami (12:1-25:18)
      1. Thirrja e Abrahamit (12:1-9)
      2. Nga Egjipti dhe udhëtimi i kthimit (12:10-13:4)
      3. Përvojat me Lotin dhe Melkisedekun (13:5-14:24)
      4. Trashëgimtari i premtuar i Abrahamit (Kapitulli 15)
      5. Ismaeli, biri i mishit (Kapitujt 16,17)
      6. Sodoma dhe Gomora (Kapitujt 18,19)
      7. Abrahami dhe Abimeleku (Kapitulli 20)
      8. Isaku, biri i premtimit (Kapitulli 21)
      9. Ofrimi i Isakut (Kapitulli 22)
      10. Vendi i varrit të familjes (Kapitulli 23)
      11. Një nuse për Isakun (Kapitulli 24)
      12. Pasardhësit e Abrahamit (25:1-18)
   B. Isaku (25:19-26:35)
      1. Familja e Isakut (25:19-34)
      2. Isaku dhe Abimeleku (Kapitulli 26)
   C. Jakobi (27:1-36:43)
      1. Jakobi e mashtron Esaun (Kapitulli 27)
      2. Lufta e Jakobit ndaj Haranit (Kapitulli 28)
      3. Jakobi, gratë dhe pasardhësi i tij (29:1-30:24)
      4. Jakobi ia hedh me dredhi Labanos (30:25-43)
      5. Kthimi i Jakobit në Kanaan (Kapitulli 31)
      6. Pajtimi i Jakobit dhe Esaut (Kapitujt 32,33)
      7. Mëkatet në Sikem (Kapitulli 34)
      8. Kthimi në Bethel (Kapitulli 35)
      9. Pasardhësit e vëllait të Jakobit, Esaut (Kapitulli 36)
   D. Jozefi (37:1-50:26)
      1. Shitja e Jozefit në skllavëri (Kapitulli 37)
      2. Juda dhe Tamara (Kapitulli 38)
      3. Prova dhe triumfi i Jozefit (Kapitulli 39)
      4. Interpretimi i Jozefit të ëndrrave të kryekupëmbajtësit dhe kryebukëpjekësit (Kapitulli 40)
      5. Interpretimi i Jozefit i ëndrrave të faraonit (Kapitulli 41)
6. Vëllezërit e Jozefit në Egjipt (Kapitujt 42-44)
      7. Jozefi zbulon veten para vëllezërve të tij (Kapitulli 45)
      8. Bashkimi i Jozefit me familjen e tij (Kapitulli 46)
      9. Familja e Jozefit në Egjipt (Kapitulli 47)
      10. Bekimi i Jakobit për bijtë e Jozefit (Kapitulli 48)
      11. Profecia e Jakobit rreth bijve të tij (Kapitulli 49)
      12. Vdekja e Jakobit dhe pastaj e Jozefit në Egjipt (Kapitulli 50)

[previous][next]


POSHTËSHËNIME

  • 1
    Anton Hartmann (1831). Shihni Merrill F. Unger, Introductory Guide to the Old Testament, f. 244.
  • 2
    Shihni, për shembull, Gleason Archer, Archaeology and the Old Testament.