A. Krijimi (Kapitujt 1,2)
1:1 «Në fillim Perëndia…». Këto tri fjalë të para të Biblës formojnë themelin e besimit. Besoni këto fjalë dhe do të besoni gjithçka që vijon pas tyre në Bibël. Zanafilla jep rrëfimin e vetëm autoritar të krijimit, kuptimplotë për njerëzit e tërë kohërave, por i pashtershëm për askënd. Regjistrimi hyjnor e pranon si të vërtetë ekzistencën e Perëndisë, më tepër sesa përpiqet ta vërtetojë. Bibla ka një emër të veçantë për ata që vendosin të mohojnë faktin e Perëndisë. Ata quhen të pamend (Psa. 14:1; 53:1). Ashtu siç fillon Bibla me Perëndinë, po kështu Ai duhet të zërë vendin e parë në jetët tona.
1:2 Një ndër interpretimet konservative të rrëfimit të Zanafillës mbi krijimin, pikëpamjen krijim-rindërtim, thotë se midis vargut 1 dhe 2 ka ndodhur një katastrofë e madhe, mbase rënia e Satanit (shikoni Eze 28:11-19) {{1}}. Kjo bëri që krijimi i parë dhe i përsosur i Perëndisë të bëhej pa trajtë, i zbrazët (tohu wavohu). Meqë Perëndia nuk e ka krijuar tokën pa trajtë dhe bosh (shikoni Is. 45:18), vetëm një kataklizëm e madhe mund të shpjegojë gjendjen kaotike të vargut 2. Përkrahës të kësaj pikëpamjeje tregojnë se fjala e përkthyer ishte (hayetha) mund të përkthehet gjithashtu «u bë» {{2}}. Prandaj toka «u bë pa trajtë, e zbrazët».
Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave, duke përgatitur veprat e mëdha dhe rindërtuese që do të vijonin. Vargjet që mbeten përshkruajnë gjashtë ditët e krijimit dhe të rindërtimit që përgatitën tokën për banimin njerëzor.
1:3-5 Në ditën e parë Perëndia urdhëroi dritën për të ndriçuar në errësirë dhe caktoi ciklin e ditës dhe natës. Ky veprim nuk duhet ngatërruar me caktimin e diellit, hënës dhe yjeve në ditën e katërt. Te 2 e Korintasve 4:6 apostulli Pal bën një paralelizëm midis ndarjes fillestare të dritës nga errësira dhe kthimit të një mëkatari.
1:6-8 Para ditës së dytë duket se toka ishte e rrethuar plotësisht nga një shtresë e trashë uji, mbase në formën e një avulli të rëndë. Në ditën e dytë Perëndia e ndau këtë shtresë, një pjesë duke mbuluar tokën me ujë dhe pjesën tjetër duke formuar retë me shtresat atmosferike (kupa qiellore apo «kupola») midis. Perëndia e quajti kupën qiellore «qiell» – pra, shtrirjen e hapësirës mbi tokë (jo qiejt yjorë, as qiellin e tretë, ku banon Perëndia). Vargu 20 e thotë qartë se qielli këtu është zona ku fluturojnë zogjtë.
1:9-13 Pastaj Perëndia bëri që të shfaqet tera nga ujërat që mbulonin faqen e planetit. Kësisoj u bë toka dhe deti. Gjithashtu në ditën e tretë Ai bëri bimësinë dhe pemët e çdo lloji të dilnin nga toka.
1:14-19 Në ditën e katërt Zoti bëri diellin, hënën dhe yjet në kupën qiellore si ndriçues dhe si mjete për të caktuar një kalendar.
1:20-23 Dita e pestë i pa ujërat të mbushura nga peshqit dhe tokën të mbushur me shpendë dhe insekte. Fjala e përkthyer zogjtë do të thotë «fluturakë» dhe përfshin nga lakuriqët e natës dhe mbase deri edhe insektet fluturuese.
1:24,25 Në ditën e gjashtë Perëndia së pari krijoi kafshët dhe rrëshqanorët. Ligji i riprodhimit jepet në mënyrë të përsëritur me fjalët: sipas llojit të tyre. Ka ndryshime thelbësore brenda «llojeve» të jetës biologjike, por nuk ka kalim nga një lloj në një tjetër [siç thotë evolucioni].
1:26-28 Kurora e veprës së Perëndisë ishte krijimi i njeriut sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me Të. Kjo do të thotë se njeriu u vu në tokë si përfaqësuesi i Perëndisë dhe se Ai i ngjan Perëndisë në disa pika. Ashtu siç Perëndia është Trini (Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë), po kështu edhe njeriu është një qenie e trefishtë (frymë, shpirt dhe trup). Ashtu si Perëndia, njeriu ka intelekt, një natyrë morale, fuqinë për të komunikuar me të tjerët dhe një natyrë emocionale që kalon instinktin. Nuk kemi të bëjmë këtu me ngjashmëri fizike. Në dallim nga kafshët njeriu është adhurues, një komunikues gojor dhe një krijues.
Ka vend edhe për një nënkuptim të Trinisë në vargun 26: Pastaj Perëndia [Elohim, shumës] tha (folje në njëjës në hebraishte): «Ta bëjmë (shumës) njeriun sipas shëmbëlltyrës…».
Bibla e përshkruan origjinën e llojeve si një vepër krijuese të Perëndisë. Evolucioni nuk ka qenë kurrë në gjendje të shpjegojë se si filluan llojet. Njerëzimi u urdhërua të ishte i frytshëm dhe të shumëzohej.
Perëndia i dha njeriut një mandat që të nënshtronte krijimin dhe të sundonte mbi të – ta përdorte, por jo ta keqpërdorte atë. Krizat moderne në mjedisin e tokës janë shkak i lakmisë, egoizmit dhe shkujdesjes së njeriut.
1:29,30 Del qartë nga këto vargje se kafshët ishin barngrënëse dhe njeriu vegjetarian. Kjo u ndryshua pas përmbytjes (shikoni Zanafilla 9:1-7).
A ishin gjashtë ditët e krijimit 24-orësh, apo ishin epoka gjeologjike? Apo ishin ditë të «vizionit dramatik», gjatë të cilave rrëfimi i krijimit iu zbuluaMoisiut? Asnjë provë shkencore nuk ka kundërshtuar konceptin se kanë qenë ditë 24-orësh. Shprehja «mbrëmja dhe mëngjesi» tregon për ditë 24-orësh. Kudo në DhV këto fjalë nënkuptojnë ditë normale. Adami jetoi gjatë ditës së shtatë dhe vdiq në vitin 930, kështu që dita e shtatë nuk mund të ishte kurrë epokë gjeologjike. Sa herë që «dita» përdoret me një numër në DhV («dita e parë» etj.) nënkupton një ditë të zakonshme. Kur Perëndia e urdhëroi Izraelin të bënte pushim ditën e shtunë, Ai e mbështeti urdhrin në faktin se kishte pushuar ditën e shtatë, pas gjashtë ditësh pune (Eksodi 20:8-11). Interpretimi i duhur këtu kërkon të njëjtën domethënie të fjalës «ditë».
Një vështirësi, megjithatë, është se dita 24-orësh, siç e dimë, mbase nuk mund të ketë filluar deri në ditën e katërt (v. 14-19).
Me aq sa na thotë Bibla, krijimi i qiejve dhe tokës nuk ka datë. Krijimi i njeriut nuk ka gjithashtu datë. Megjithatë, na jepen gjenealogjitë dhe, edhe duke lejuar hapësira të mundshme midis gjenealogjive, njeriu nuk mund të ketë qenë në tokë për miliona vjet siç thonë evolucionistët.
Mësojmë nga Gjoni 1:1,14, Kolosianeve 1:16 dhe Hebrenjve 1:2 se Zoti Jezus ishte Zbatuesi veprues në krijim. Për mrekullitë e pashtershme të krijimit të Tij Ai është i denjë për adhurimin e pafund.
1:31 Në fund të gjashtë ditëve të krijimit Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.
2:1-3 Perëndia u çlodh nga veprimtaria e Tij krijuese në ditën e shtatë. Kjo nuk është çlodhja që vjen nga rraskapitja, por nga kënaqësia dhe plotësia e një pune të bërë më së miri. Edhe pse Perëndia nuk e urdhëroi njeriun të zbatonte Sabatin (Shabatin) në atë kohë, Ai i mësoi parimin e një dite pushimi në javë.
2:4-6 Emri Zoti Perëndi (Jehovah {Yahweh} Elohim) shfaqet për të parën herë në vargun 4, por vetëm pas krijimit të njeriut (Zanafilla 1:27). Si Elohim, Perëndia është Krijuesi. Si Jehovah Ai është lidhja e besës me njeriun. Duke mos arritur të shohin këtë, disa kritikë të Biblës kanë dalë në përfundimin se këta emra të ndryshëm të Perëndisë mund të shpjegohen vetëm me një ndryshim në autorësi.
Këto janë origjina (v. 4) i referohet fillimit përshkruar në kapitullin 1. Vargu 5 që thotë: «nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurre në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë», përshkruan kushtet në tokë te Zanafilla 1:10, kur u shfaq toka, por para se të shfaqeshin bimët. Toka ishte e mbuluar me ujë nga një avull dhe jo me shi.
2:7 Tani jepet një rrëfim më i plotë i krijimit të njeriut. Perëndia formoi trupin e tij nga pluhuri i tokës, por vetëm me dhënien e frymës së Perëndisë u bë një qenie e gjallë. Adami («i kuq» apo «dhe») mori këtë emër nga dheu i kuq me të cilin u formua.
2:8-14 Kopshti që Perëndia mbolli në Eden ishte drejt lindjes, domethënë në lindje të Palestinës, pika e referimit për drejtimet biblike. Ndodhej në zonën e Mesopotamisë, afër lumenjve Tigër (Hiddekel) dhe Eufrat. Pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes qe një provë për bindjen e njeriut. Arsyeja e vetme pse ishte e gabuar të hahej ai fryt ishte ngaqë Perëndia kishte thënë kështu. Në forma të ndryshme, ai fryt është ende me ne sot.
2:15-23 Ndëshkimi për dhunimin e urdhërimit ishte vdekja (v. 17) – vdekja e menjëhershme frymërore dhe vdekja e mëvonshme fizike. Në procesin e vënies së emrave të kafshëve dhe të zogjve Adami do të ketë vënë re se kishte meshkuj dhe femra. Secila prej tyre kishte një të ngjashme me veten, edhe pse të ndryshme. Kjo e përgatiti Adamin për një ndihmë që do të ishte e përshtatshme për të. Nusja e tij u formua me njërën nga brinjët e tij, marrë nga ana e tij ndërsa e zuri gjumi. Kështu nga ana e Krishtit, Nusja e Tij ishte «krijuar» ndërsa Ai derdhi gjakun e jetës së Tij në agoni të patregueshme. Gruaja nuk u mor nga koka e Adamit për ta sunduar atë, as nga këmbët e tij për t’u shkelur nga ai, por nën krahun e tij për të qenë e mbrojtur dhe afër zemrës së tij për t’u dashur.
Perëndia ia dha kryesinë burrit para se të hynte mëkati. Pali e shtjellon këtë fakt duke u nisur nga rendi i krijimit (burri u krijua i pari) dhe qëllimi i krijimit (gruaja u bë për burrin) (1 e Korintasve 11:8,9). Gjithashtu, edhe pse ishte Eva që mëkatoi e para, nëpërmjet Adamit, kreut, mëkati hyri në botë. Ai pati pozitën e kreut dhe për këtë ishte përgjegjës.
Vargu 19 është më i qartë me kohën e kryer të tejshkuar në anglisht {{3}}: «Zoti Perëndi kishte formuar […] tërë kafshët», domethënë para se të bënte njeriun.
2:24 Me fjalët e vargut 24 Perëndia caktoi martesën monogame. Ashtu si tërë urdhërimet hyjnore u caktua për të mirën e njeriut dhe nuk mund të dhunohet me sigurinë se nuk ndëshkohet. Lidhja martesore ilustron marrëdhënien që ekziston midis Krishtit dhe kishës (Efesianeve 5:22-32).
2:25 Edhe pse Adami dhe Eva jetonin në Kopshtin e Edenit pa rroba në trup, ata nuk kishin turp.
B. Tundimi dhe rënia (Kapitulli 3)
3:1-6 Gjarpri që iu shfaq Evës zbulohet se nuk është kush tjetër veçse Satani (shikoni Zbulesa 12:9). Ata që përpiqen të «zhveshin atributet mitologjike» të Biblës besojnë se ky rrëfim i rënies është alegorik dhe jo i fjalëpërfjalshëm. Ata përmendin të folurën e gjarprit si provë. A mund të merret si faktike historia e gjarprit që mashtroi Evën? Apostulli Pal mendonte kështu (2 e Korintasve 11:3). Po kështu edhe apostulli Gjon (Zbulesa 12:9; 20:2). Ky nuk është rasti i vetëm i së folurës së kafshëve në Shkrim. Perëndia i dha një zë gomarit të Balaamit për të ndaluar marrëzinë e profetit (Num. 22:1-41) dhe apostulli Pjetër e ka marrë këtë si të fjalëpërfjalshme (2 Pjetrit 2:16). Këta tre apostuj ishin të frymëzuar nga Fryma e Shenjtë për të shkruar ashtu siç bënë. Prandaj të mos e pranosh rrëfimin e rënies si të fjalëpërfjalshëm do të thotë të mos pranosh frymëzimin e Shkrimit të Shenjtë. Ka alegori në Bibël, por kjo nuk është një ndër to.
Vini re hapat që zhytën gjininë njerëzore në mëkat. Më së pari Satani shtiu dyshimin rreth Fjalës së Perëndisë: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia?». Ai e shtrembëroi Perëndinë [duke thënë] se po e ndalonte Adamin dhe Evën për të ngrënë nga të gjitha pemët. Pastaj, Eva tha se ata nuk duhej të hanin apo të preknin «nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit». Por Perëndia nuk kishte thënë asgjë rreth prekjes së pemës. Pastaj Satani prerazi kundërshtoi Perëndinë rreth pashmangshmërisë së gjykimit të atyre që nuk i binden, ashtu si ndjekësit e tij që ende mohojnë faktet e ferrit dhe ndëshkimit të përjetshëm. Satani e shtrembëroi Perëndinë duke e përshkruar Perëndinë si dikush që dëshironte t’ua fshihte Adamit dhe Evës diçka që do të kishte qenë përfituese për ta. Eva iu dorëzua tundimit të trefishtë: epshit të mishit (e mirë për t’u ngrënë), epshit të syve (e këndshme për sytë) dhe krenarisë së jetës (pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë). Duke vepruar kështu, ajo veproi e pavarur nga Adami, kreu i saj. Ajo duhej të këshillohej me të në vend që të përdhoste pushtetin e tij. Në fjalët: «ajo mori nga fruti i saj, e hëngri» qëndron shpjegimi i tërë sëmundjeve, brengave, vuajtjeve, frikës, fajit dhe vdekjes që do të zaptonte gjininë njerëzore që nga ajo kohë. Dikush ka thënë: «Ligësia e tokës dhe e një miliardë varreve tregojnë se Perëndia kishte të drejtë dhe Satani është gënjeshtar». Eva u mashtrua (1 Tim. 2:14), por Adami veproi me dashje dhe në rebelim të vullnetshëm kundër Perëndisë.
Humanizmi përsërit gënjeshtrën e Satanit: «Ti do të jesh si Perëndia».
3:7-13 Rezultati i parë i mëkatit ishte ndjenja e turpit dhe frikës. Përparëset e gjetheve të fikut flasin për përpjekjen e njeriut për të shpëtuar veten nga një fe pa gjak e veprave të mira. Kur thirren për t’i dhënë llogari Perëndisë, mëkatarët shfajësohen. Adami tha: «Gruaja që ti më vure pranë më…» sikur po fajësonte Perëndinë (shikoni Fjalet e Urta 19:3). Eva tha: «Gjarpri…» (v. 13).
Me dashuri dhe mëshirë Perëndia i kërkoi krijesat e Tij të rëna me pyetjen: «Ku je?». Kjo pyetje vërtetoi dy gjëra – se njeriu ishte i humbur dhe se Perëndia kishte ardhur për ta gjetur. Vërtetoi mëkatin e njeriut dhe hirin e Perëndisë {{4}}. Perëndia merr nismën në shpëtim, duke treguar atë gjë për të cilën Satani e vuri në dyshim Evën – dashurinë e Tij.
3:14 Zoti Perëndi mallkoi gjarprin me rënie, fatkeqësi dhe mundje. Fakti se gjarpri është më i mallkuar ndër gjithë kafshët apo edhe tërë bishat e fushave hedh idenë se bëhet fjalë për rrëshqanorët më tepër sesa për Satanin.
3:15 Por vargu 15 kalon menjëherë te vetë Djalli. Ky varg njihet si protevangelium, që do të thotë «Ungjilli i parë». Ky parathotë armiqësinë e përjetshme midis Satanit dhe gruas (që përfaqëson tërë njerëzimin) dhe midis farës së Satanit (agjentëve të tij) dhe Farës së saj (Mesian). Fara e gruas do të shtypte kokën e Satanit, një plagë vdekjeprurëse, që do të çonte në shpartallim të plotë. Kjo plagë u krye në Kalvar kur Shpëtimtari me vendosmëri triumfoi mbi Djallin. Satani, nga ana tjetër, do të plagosë thembrën e Mesias. Plaga e thembrës këtu flet për vuajtjet dhe madje vdekjen fizike, por jo për shkatërrimin përfundimtar. Kështu Krishti vuajti në kryq dhe madje vdiq, por Ai u ringjall prej së vdekurish, fitimtar mbi mëkatin, ferrin dhe Satanin. Fakti se Ai quhet Fara e gruas mund të paraqesë një ide të lindjes së tij nga një e virgjër. Vini re mirësinë e Perëndisë që premton Mesian para se të shpallte vendimin që vijon në vargjet e mëposhtëm.
3:16-19 Mëkati ka pasoja të pashmangshme. Gruaja mori gjykimin e vuajtjes gjatë lindjes. Ajo do të ishte e nënshtruar ndaj burrit të saj. Burri mori gjykimin të siguronte jetesën e tij nga toka që ishte e mallkuar me gjemba dhe bimë gjembore. Kjo donte të thoshte që të siguronte bukën me djersën e ballit. Pastaj në fund të jetës ai vetë do të rikthehej në pluhur. Duhet vënë re këtu se vetë puna nuk është një mallkim; për më tepër është një bekim. Është brenga, mundi, shtypja, djersitja dhe rraskapitja lidhur me punën që janë mallkim.
3:20,21 Adami tregoi besim duke e quajtur gruan e tij me emrin Evë […], nënën e tërë të gjallëve, meqë asnjë fëmijë nuk ishte lindur deri në atë kohë. Pastaj u siguruan tunika prej lëkure nga Perëndia me anë të vdekjes së një kafshe. Kjo paraqet rrobën e drejtësisë që sigurohet për mëkatarët fajtorë me anë të gjakut tstrongë derdhur të Qengjit të Perëndisë dhe na ofron në bazë të besimit.
3:22-24 Kishte një farë të vërtetë në gënjeshtrën e Satanit se Eva do të bëhej si Perëndia (v. 5). Por ajo dhe Adami mësuan me anë të mënyrës së vështirë të përvojës që të dallonin të mirën dhe të keqen. Nëse ata do të kishin ngrënë nga pema e jetës, ata do të kishin jetuar përgjithmonë me trupa që do të mbanin plagë, rënie dhe sëmundje. Kjo është arsyeja pse mëshira e Perëndisë i ndaloi ata të ktheheshin në Eden. Kerubinët janë krijesa qiellore funksioni i të cilëve është të «mbrojnë shenjtërinë e Perëndisë kundër krenarisë fodulle të njeriut të rënë» {{5}}.
Adami dhe Eva duhej të vendosnin nëse Perëndia apo Satani po gënjente. Ata vendosën se gënjeu Perëndia. «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë». Prandaj emrat e tyre mungojnë te Lista e Nderit e Besimit tek Hebrenjve kapitulli 11.
Mjedisi ideal i Edenit nuk parandaloi hyrjen e mëkatit. Një mjedis i favorshëm nuk është një përgjigje për problemet e njeriut.
C. Kaini dhe Abeli (Kapitulli 4)
4:1 Adami njohu Evën në kuptimin se pati marrëdhënie seksuale me të. Kur lindi Kaini ajo pranoi se lindja e saj ndodhi vetëm me fuqinë e Zotit. Duke i vënë emrin Kain («blerje»), Eva mund të ketë menduar se kishte lindur Farën e Premtuar.
4:2-6 Kalimi i kohës, përmendur në vargun 3a, lë vend për të nënkuptuar një rritje të popullsisë në botë. Ka kaluar kohë kur Kaini dhe Abeli mësuan se njeriu mëkatar mund t’i afrohet Perëndisë së shenjtë vetëm në bazë të gjakut të një flijimi zëvendësues. Kaini e kundërshtoi zbulimin e tij dhe shkoi me një ofertë pa gjak, frutash dhe bimësh. Abeli i besoi dekretit hyjnor dhe ofroi kafshë të therura, duke treguar në këtë mënyrë besimin dhe shfajësimin e tij prej Perëndisë (Heb. 11:4). Ai çoi të parëlindurit e kopesë së tij, duke treguar në fakt se Zoti meritonte më të mirën. Oferta e Abelit na tregon vdekjen zëvendësuese të Qengjit të Perëndisë, që heq mëkatin e botës.
4:7 Për shkak se zemërimi xheloz i Kainit ishte fitili i vrasjes, Perëndia i foli atij duke e paralajmëruar me dashuri. Vargu 7 mund të kuptohet në disa mënyra:
- «Në rast se bën mirë (duke u penduar), do të mund të shohësh veten të lirë nga zemërimi dhe faji. Por në qoftë se bën keq (duke vazhduar të urresh Abelin), mëkati po të pret te porta, i gatshëm për të të shkatërruar. Dëshirat e tij (Abelit) drejtohen ndaj teje (domethënë ai do të pranojë udhëheqjen tënde) dhe ti do ta sundosh(domethënë nëse bën mirë)».
- «Në rast se bën mirë(ose ashtu siç shkruhet te versioni Septuaginta: ‘Nëse ofron siç duhet’) a nuk do të pranohesh?» Veprimi mirëbërës i referohet ofrimit. Abeli bëri mirë duke fshehur veten e tij pas flijimit të pranueshëm. Kaini bëri keq duke çuar një ofertë pa gjak dhe tërë sjellja e tij pas kësaj nuk ishte gjë tjetër veç pasoja e adhurimit të tij të rremë {{6}}.
- Në versionin RSV shkruhet: «Nëse bën mirë, a nuk do të pranohesh? Dhe nëse nuk bën mirë, mëkati po të pret te porta; dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh».
- Grenti (F. W. Grant) thotë në shkrimin e tij Bibla numerike (Numerical Bible): «Nëse nuk bën mirë, një ofertë për mëkatin të pret apo gjendet te porta» {{7}}. Me fjalë të tjera, parashikimi do të bëhej nëse ai do ta donte.
4:8-12 Qëndrimi i lig i xhelozisë së Kainit u kthye shumë shpejt në një veprim të lig, vrasja e vëllait të tij. Edhe pse Abeli ka vdekur, ai ende dëshmon se jeta e besimit është jeta që ka rëndësi (Heb. 11:4). Kur pyetja e dashur e Zotit mori një përgjigje pa pendim dhe të pacipë, Ai shpalli gjykimin e Tij – ai nuk do të mund të jetonte nga toka, por do të endej si një endacak në shkretëtirë.
4:13-16 Ankimi rënkues i Kainit shfaq keqardhje më shumë për pasojat e mëkatit të tij sesa për fajin e tij. Por edhe atëherë Zoti hoqi frikën e të arratisurit nga jeta e tij, duke vënë një shenjë mbi Kainin dhe një mallkim për çdokënd që do ta vriste. Kaini u largua nga prania e Zotit, largimi më i hidhur nga gjithë largimet.
4:17-24 Pastaj Kaini u martua me të motrën apo me ndonjë nga kushërirat. Ashtu siç është përmendur, Zanafilla 4:3 i lë vend një kohe që numri i popullsisë të rritej dhe Zanafilla 5:4 pohon në mënyrë të veçantë se Adami pati bij e bija. Martesa me kushërinjtë e afërt atëherë nuk ishte e ndaluar (as nuk ishte me rrezik nga ana gjenetike).
Vargjet 17-24 paraqesin begatinë e Kainit dhe një seri gjërash të para: qyteti i parë i quajtur Enok, rasti i parë i poligamisë, fillimi i blegtorisë, fillimi i artit të muzikës dhe përpunimit të metaleve, kënga e parë rreth dhunës dhe derdhjes së gjakut. Në këngë Lameku u shpjegon dy grave të tij se vrau […] një të ri për vetëmbrojtje, jo si vrasja e Kainit ndaj të vëllait që u krye për shkak të urrejtjes. Prandaj, Lameku do të ishte më i mbrojtur nga hakmarrja.
4:25,26 Tani në mënyrë të dukshme ndërfutet pasardhja e perëndishme e Sethit. Nga kjo gjenealogji do të lindte Mesia. Kur Enoku (Enoshi) (që do të thotë «i brishtë» apo i «vdekshëm») u lind, njerëzit filluan të përdornin emrin e Zotit (Jehovah) për Perëndinë, ose të kërkojnë emrin e Jehovait në adhurimin publik.
D. Sethi dhe pasardhësit e tij (Kapitulli 5)
Kapitulli i 5-të është quajtur «Rënia e kambanave të vdekjes» për shkak të shprehjes së përsëritur shpesh «dhe ai vdiq». Ky paraqet gjenealogjinë e Mesias nga Adami deri te biri i Noeut, Semit (krahasoni Luka 3:36-38).
5:1-17 Adami u krijuai ngjashëm me Perëndinë. Sethi u lind në shëmbëlltyrë të Adamit. Midis këtyre ndodhi Rënia dhe shëmbëlltyra e Perëndisë te njeriu u prish nga mëkati. Vargu 5 paraqet përmbushjen fizike të asaj që Perëndia kishte thënë se do të ndodhte te Zanafilla 2:17; përmbushja frymërore ndodhi kur Adami mëkatoi.
5:18-24 Enoku dhe Lameku të përmendur këtu nuk duhet të ngatërrohen me ata të kapitullit 4. Enoku i vargut 18 është i shtati pas Adamit (Juda 1:14), jo i treti. Me anë të besimit Enoku eci me Perëndinë për 300 vjet dhe i pëlqeu Zotit (Heb. 11:5). Duket se lindja e birit të tij pati një ndikim shenjtërues dhe fisnikërie në jetën e tij (v. 22a). Është mirë të fillosh mirë, por është edhe më mirë të vazhdosh me këmbëngulje deri në fund. Fjala eci nënkupton një marrëdhënie të qëndrueshme e rritëse dhe jo vetëm një pranim të rastësishëm. Të ecësh me Perëndinë është puna e një jete të tërë dhe jo vetëm puna e një ore. Enoku u mor në qiell para përmbytjes ashtu si kisha do të rrëmbehet në qiell para se të fillojë Mundimi i Madh (1 Thes. 4:13-18; Zbulesa 3:10).
5:25-32 Metuselahu jetoi më gjatë se ndonjë njeri tjetër (nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet). Nëse ashtu siç thotë Uilliamsi (Williams) emri Metuselah do të thotë: «duhet të dërgohet» {{8}}, emri do të ishte një profeci, sepse përmbytja ndodhi në vitin e vdekjes së tij. Mbase parathënia e Lamekut kur i vuri emrin birit «Noeu», pati parasysh ngushëllimin që do të vinte në botë me anë të Birit më të madh të Noeut, Zotit Jezu Krisht. Emri i Noeut do të thotë «prehje». Ndërsa vitet kalonin, gjatësia mesatare e jetës së njeriut ra. Psalmi 90:10 flet për shtatëdhjetë vjet si normale.
E. Mëkati i përhapur dhe përmbytja universale (Kapitujt 6-8)
6:1,2 Ka dy interpretime kryesore të vargut 2. Njëri është se djemtë e Perëndisë ishin engjëjt që lanë vendbanimin e tyre (Juda 1:6) dhe u martuan me gratë e tokës, një formë e një çrregullimi seksual, që ishte më i urryeri për Perëndinë. Ata që mbështesin këtë pikëpamje tregojnë se shprehja «bijtë e Perëndisë» te Jobi 1:6 dhe Jobi 2:1 nënkupton engjëjt që kishin liri hyrjeje në praninë e Perëndisë. Gjithashtu «djemtë e Perëndisë», si një term për engjëjt, është një shprehje standarde semitike. Pjesa te Juda 1:6,7 hedh idenë se engjëjt që lanë banimin e tyre ishin fajtorë për sjelljen e tyre të turpshme seksuale. Vini re fjalët «posi Sodoma dhe Gomora» në fillim të vargut 7, menjëherë pas përshkrimit të engjëjve të rënë.
Kundërshtimi kryesor i kësaj pikëpamjeje është se engjëjt nuk riprodhohen seksualisht me aq sa dimë. Mateu 22:30 përdoret si provë se Jezusi mësoi që engjëjt nuk martohen. Me të vërtetë ajo që vargu thotë është se engjëjt në qiell as nuk martohen, as martojnë. Engjëjt iu shfaqën në formë njerëzore Abrahamit (Zanafilla 18:1-5) dhe duket nga teksti se ata të dy që shkuan në Sodomë kishin gjymtyrë dhe emocione njerëzore.
Pikëpamja tjetër është se djemtë e Perëndisë ishin pasardhës të perëndishëm të Sethit dhe vajzat e njerëzve ishin pjesa e ligë e Kainit. Argumenti është si vijon: vargu i mëparshëm merret me pasardhësit e Kainit (kap. 4) dhe pasardhësit e Sethit (kap. 5). Zanafilla 6:1-4 përshkruan martesën e këtyre dy gjenealogjive. Fjala engjëjt nuk gjendet në kontekst. Vargjet 3 e 5 flasin për ligësinë e njeriut. Nëse ishin engjëjt që mëkatuan, pse duhej të shkatërrohej raca njerëzore? Njerëzit e perëndishëm quhen saktësisht «djemtë e Perëndisë», edhe pse jo me saktësi me të njëjtën renditje fjalësh në hebraishte si te Zanafilla 6:2 (shikoni Ligji i Perterire 14:1; Psa. 82:6; Osea 1:10; Mat. 5:9).
Ka disa probleme me këtë pikëpamje. Pse tërë burrat që rridhnin nga Sethi ishin të perëndishëm dhe tërë gratë nga Kaini të paperëndishme? Gjithashtu, nuk është thënë asgjëkundi se pasardhja e Sethit qëndroi e perëndishme. Nëse po, pse duhej të shkatërroheshin ata? Gjithashtu, pse nga një lidhje e tillë midis burrave të perëndishëm dhe grave të paperëndishme të lindnin gjigantë?
6:3 Zoti paralajmëroi që Fryma e Tij nuk do të hahej gjithnjë me njeriun, por se do të kishte një periudhë kohe prej njëqind e njëzet vjetësh para se të ndodhte gjykimi i përmbytjes. Perëndia është zemërbutë dhe nuk do që ndonjë të humbasë, por ka një kufi. Pjetri na thotë se ishte Krishti që u predikua me anë të Noeut njerëzve para përmbytjes me anë të Frymës së Shenjtë (1 Pjetrit 3:18-20 dhe 2 Pjetrit 2:5). Ata kundërshtuan mesazhin dhe tani janë të burgosur.
6:4,5 Për sa u përket gjigantëve (hebraishte nephilim, «të rënët») Ungeri shpjegon:
Nefilimët konsiderohen nga shumë si gjysmëperëndi gjigante, pasardhja jo e natyrshme e «vajzave të njerëzve» (grave të vdekshme) në bashkëjetesë me «djemtë e Perëndisë» (engjëjt). Ky bashkim plotësisht jo i natyrshëm, duke dhunuar rendin e qenieve të krijuara nga Perëndia, ishte një anomali tronditëse para domosdoshmërisë së gjykimit mbarëbotëror me anë të Përmbytjes {{9}}.
6:6,7 Brenga e Zotit nuk tregon një ndryshim arbitrar të mendjes, edhe pse njeriut i duket ashtu. Për më tepër tregon një qëndrim të ndryshëm nga ana e Perëndisë në përgjigje të disa ndryshimeve në sjelljen e njeriut. Ngaqë Ai është i shenjtë, Ai duhet t’i kundërvihet mëkatit.
6:8-22 Noeu gjeti hir në sytë e Zotit dhe u nxit të ndërtonte një arkë. Përmasat janë dhënë në kubitë (1 kubit = 45.72 cm). Prandaj arka ishte 137.16 metra e gjatë, 22.86 metra e gjerë dhe 13.72 metra e lartë. Ajo kishte tri kuverta. Dritarja në vargun 16 ishte fjalë për fjalë «një vend drite», mbase një hapësirë për dritën dhe ajrin që shtrihej në tërë gjatësinë e arkës.
Noeu u shpëtua me anë të hirit, një vepër e sovranitetit hyjnor. Përgjigjja e tij ishte të bënte të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar (v. 22), një vepër e përgjegjësisë njerëzore. Noeu ndërtoi arkën për të shpëtuar familjen e tij, por ishte Perëndia që e mbylli dhe e vulosi derën. Sovraniteti hyjnor dhe përgjegjësia njerëzore nuk janë në mënyrë të pandryshueshme ekskluzive (të veçuara), por plotësuese (por që plotësojnë njëra-tjetrën).
Noeu (v. 9) dhe Enoku (Zanafilla 5:22) janë njerëzit e vetëm në Shkrim për të cilët thuhet se ecën me Perëndinë. Nëse Enoku është një simbol i kishës së rrëmbyer në qiell, Noeu simbolizon pjesën e mbetur të judenjve përgjatë Mundimit të Madh për të jetuar në tokën mijëvjeçare.
Vargu 18 jep përmendjen e parë të besëlidhjes në Bibël. Skofildi (Scofield) rendit tetë besëlidhje: ajo e Edenit (Zanafilla 2:16), e Adamit (Zanafilla 3:15), e Noeut (Zanafilla 9:16), e Abrahamit (Zanafilla 12:2), e Moisiut (Eksodi 19:5), e Palestinës (Ligji i Perterire 30:3), e Davidit (2 i Samuelit 7:16) dhe Besëlidhja e Re (Heb. 8:8). Këto tetë, duke shtuar edhe besëlidhjen me Salomonin, paraqiten në përmbledhjen e mëposhtme. E kotë të shtojmë se një temë aq e ndërlikuar sa ajo e besëlidhjeve është interpretuar ndryshe nga teologë të ndryshëm. Shtjellimi i paraqitur këtu është sipas pikëpamjes paramijëvjeçare [rrëmbimi, pastaj Mundimi i Madh, pastaj sundimi i Krishtit për 1000 vjet] edhe sipas faktit që koha e njeriut është ndarë në epoka të ndryshme [që do të thotë se Perëndia merret me njeriun në mënyrë të ndryshme sipas epokës në të cilën është njeriu, p.sh. epoka e ligjit, epoka e hirit etj.]
BESËLIDHJET MË TË MËDHA TË SHKRIMIT
Besëlidhja e Edenit (Zanafilla 1:28-30; 2:16,17)
Besëlidhja e Edenit e bëri njeriun në pafajësinë e tij përgjegjës për t’u shumuar, për të populluar tokën dhe për ta sunduar atë. Atij iu dha pushtet mbi jetën e kafshëve. Ai duhej të kultivonte Kopshtin dhe të hante nga tërë prodhimet e tij përveç frytit të pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Mosbindja ndaj këtij urdhri të fundit do të sillte vdekjen.
Besëlidhja me Adamin (Zanafilla 3:14-19)
Pas rënies së njeriut, Perëndia mallkoi gjarprin dhe paratha armiqësi midis gjarprit dhe gruas, midis Satanit dhe Krishtit. Satani do të lëndonte Krishtin, por Krishti do ta shkatërronte Satanin. Gruaja do të përjetonte dhimbje gjatë lindjes dhe do të ishte nën pushtetin e burrit të saj. Toka u mallkua gjithashtu. Njeriu do të luftonte me gjembat dhe bimët gjembaçë për ta kultivuar. Puna e tij do të kryhej me djersë e rraskapitje dhe më pas do të kthehej në pluhur, nga i cili ishte bërë.
Besëlidhja me Noeun (Zanafilla 8:20-9:27)
Perëndia i premtoi Noeut se nuk do ta mallkonte më tokën, as nuk do ta shkatërronte tërë tokën me një përmbytje. Ai dha ylberin si një provë të kësaj. Por besëlidhja përfshin gjithashtu vendosjen e qeverisjes njerëzore, me fuqinë e ndëshkimit me vdekje. Perëndia garantoi rregullsinë e periudhave kohore dhe stinore, drejtoi njeriun për të ripopulluar tokën dhe ripohoi sundimin e tij mbi krijesat më të ulëta. Njeriu tani i shtoi mishin dietës së tij vegjetariane. Ndër pasardhësit e Noeut Perëndia mallkoi birin e Kamit, Kanaanin, për të qenë një shërbëtor i Semit dhe Jafetit. Ai i dha Semit një vend favori, që ne tani e përfshijmë në gjenealogjinë e Mesias. Jafeti do të gëzonte zgjerim të madh dhe do të banonte në çadrat e Semit.
Besëlidhja me Abrahamin (Zanafilla 12:1-3; 13:14-17; 15:1-8; 17:1-8)
Besëlidhja me Abrahamin është pa kushte. Perëndia, duke u shfaqur si «një furrë që nxjerr tym dhe si një pishtar i zjarrtë», kaloi midis dy copave të ndara të kafshës së flijimit te Zanafilla 15:12-21. Kjo është shumë domethënëse. Kur dy njerëz bëjnë (hebraishte «presin») një besëlidhje, ata të dy duhet të ecnin midis dy pjesëve për të treguar se do të ruajnë kushtet e saj. Perëndia nuk i vuri asnjë kusht Abrahamit; pra, parashikimet e renditura do të realizohen plotësisht (dhe pjesërisht janë realizuar tani), pavarësisht se sa besnikë do të jenë pasardhësit e Abrahamit. Ata që nuk shikojnë asnjë të ardhme për popullin e lashtë të Perëndisë zakonisht përpiqen ta bëjnë këtë besëlidhje të duket me kushte, të paktën për sa i përket tokës. Pastaj i shpallin tërë bekimet për kishën, duke lënë Izraelin me pak apo pa asgjë. Besëlidhja përfshin premtimet që vijojnë ndaj Abrahamit dhe pasardhësve të tij: një komb i madh (Izraeli), bekime vetjake, një emër i njohur, një burim bekimesh për të tjerët (Zanafilla 12:2), favor hyjnor për miqtë e tij dhe një mallkim mbi armiqtë e tij, bekim për tërë kombet – përmbushur me anë të Krishtit (Zanafilla 12:3); zotërim të përjetshëm të tokës së njohur të Kanaanit dhe më vonë Izraelit dhe Palestinës (Zanafilla 13:14,15,17); begati të shumta, si natyrore ashtu edhe frymërore (Zanafilla 13:16; 15:5); një atë i shumë kombeve dhe mbretërve – përmes Ismaelit dhe Isakut – (Zanafilla 17:4,6); lidhje të veçantë me Perëndinë (Zanafilla 17:7b).
Besëlidhja me Moisiun (Eksodi 19:5; 20:1-31:18)
Në kuptimin e saj më të gjerë, Besëlidhja me Moisiun përfshin Dhjetë Urdhërimet, duke përshkruar detyrat ndaj Perëndisë dhe ndaj të afërmit (Eksodi 20:1-26); rregulla të shumta rreth jetës shoqërore të Izraelit (Eksodi 21:1-24:11) dhe urdhërime të hollësishme rreth jetës fetare (Eksodi 24:12-31:18). Ajo iu dha kombit të Izraelit, jo johebrenjve. Ajo ishte një besëlidhje me kushte, që kërkonte bindjen e njeriut dhe për këtë arsye «ishte pa forcë për shkak të mishit» (Rom. 8:3a). Dhjetë Urdhërimet nuk patën kurrë si qëllim sigurimin e shpëtimit, por më tepër të sillnin bindjen për mëkat dhe dështim. Nëntë nga Dhjetë Urdhërimet përsëriten në DhR (përjashto Shabatin), jo si ligje me ndëshkime të bashkëngjitura, por si sjellje të përshtatshme të atyre që janë shpëtuar me anë të hirit. I krishteri është nën hir, jo nën ligj, por është i lidhur me Krishtin me anë të dashurisë, një shtysë më e lartë.
Besëlidhja e Palestinës/Izraelit (Ligji i Perterire 30:1-9)
Kjo besëlidhje ka të bëjë me pushtimin ende të ardhshëm të tokës që Perëndia ia premtoi Abrahamit «nga përroi i Egjiptit (nuk bëhet fjalë për lumin Nil, por për një përrua) deri në lumin e madh, lumin e Eufratit» (Zanafilla 15:18). Izraeli nuk e ka pushtuar plotësisht tokën. Gjatë mbretërimit të Salomonit, vendet në zonën lindore paguanin haraç (1 i Mbreterve 4:21,24), por kjo nuk mund të llogaritet si një zotërim apo pushtim. Besëlidhja e Palestinës parashikon shpërndarjen e Izraelit midis kombeve, për shkak të mosbindjes, kthimin e tyre te Zoti, Ardhjen e Dytë të Zotit, mbledhjen e tyre në vend, begatinë e tyre në vend, ndryshimin e tyre të zemrës (për të dashur dhe për t’iu bindur Zotit) dhe ndëshkimin e armiqve të tyre.
Besëlidhja me Davidin (2 i Samuelit 7:5-19)
Perëndia i premtoi Davidit jo vetëm që mbretëria e tij do të zgjaste përgjithmonë, por se ai gjithmonë do të kishte një pasardhës që do të ulej në fronin e tij. Kjo ishte një besëlidhje pa kushte, duke mos u varur nga bindja apo drejtësia e Davidit. Krishti është trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Davidit përmes Salomonit, ashtu siç shihet te gjenealogjia e Jozefit (Mat. 1:1-25). Ai është një pasardhës nga gjenealogjia e Davidit nga Nathani, ashtu siç shihet në gjenealogjinë e Marisë (Lluka 3). Ngaqë Ai jeton përgjithmonë, mbretëria e Tij është e përjetshme. Mbretëria e Tij njëmijëvjeçare në tokë do të shkrihet në mbretërinë e përjetshme.
Besëlidhja me Salomonin (2 i Samuelit 7:12-15 dhe 1 i Mbreterve 8:4,5 dhe 2 i Kronikave 7:11-22)
Besëlidhja me Salomonin ishte pa kushte për sa i përket mbretërisë së përjetshme, por me kushte për sa i përket uljes së pasardhjes së Salomonit (2 i Mbreterve 8:4,5 dhe 2 i Kronikave 7:17,18). Një ndër pasardhësve të Salomonit, Konjahu (quajtur gjithashtu Jekoniah) nuk iu dha mundësia të kishte pasardhës fizikë që do të ulej në fronin e Davidit (Jer. 22:30). Jezusi nuk është një pasardhës i Salomonit, ashtu siç u tregua më sipër. Përndryshe Ai do të rridhte nga mallkimi i Konjahut.
Besëlidhja e Re (Jer. 31:31-34; Heb. 8:7-12; Luka 22:20)
Besëlidhja e Re është bërë në mënyrë të qartë me shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judës (Jer. 31:31). Jeremia shkroi për diçka që do të ndodhte në të ardhmen (Jer. 31:31a). Kjo nuk është një besëlidhje me kushte, ashtu si besëlidhja me Moisiun, që Izraeli e shkeli (Jer. 31:32). Në të Perëndia pa kushte premton (vini re përsëritjen e shprehjes «Unë do të»): ripërtëritjen e Izraelit (Ezekieli 36:25), banimin e Frymës së Shenjtë (Ezekieli 36:27), një zemër që është e gatshme për të bërë vullnetin e Perëndisë (Jer. 31:33a), një marrëdhënie e përveçme mes Perëndisë dhe popullit të Tij (Jer. 31:33b), njohje universale e Zotit në Izrael (Jer. 31:34a), mëkatet e falura dhe të harruara (Jer. 31:34a) dhe vazhdimësinë e kombit përjetë (Jer. 31:35-37). Izraeli si një komb nuk ka marrë ende bekimet e Besëlidhjes së Re, por do t’i marrë me Ardhjen e Dytë të Zotit. Ndërkohë, besimtarët e vërtetë gëzojnë disa nga bekimet e besëlidhjes. Fakti se kisha është e lidhur me Besëlidhjen e Re duket në Darkën e Zotit, ku kupa paraqet besëlidhjen dhe gjakun me të cilin është lënë në fuqi (Luka 22:20 dhe 1 e Korintasve 11:25). Gjithashtu Pali foli për veten dhe apostujt e tjerë si shërbëtorë të Besëlidhjes së Re (2 e Korintasve 3:6).
Një çift i çdo krijese duhej të futej në arkë, po ashtu edhe ushqimi. Kritikët thonë se arka nuk ishte aq e madhe sa për të nxënë tërë llojet e kafshëve dhe ushqimin e mjaftueshëm për një vit e shtatëmbëdhjetë ditë. Por ka gjasa se arka përmbante vetëm llojet themelore të kafshëve dhe jetës së shpendëve dhe shumë variacione kanë rrjedhur që nga ajo kohë. Arka ishte shumë më e madhe se këto lloje.
7:1 Fjala «hyr» shfaqet për herë të parë në vargun 1 – një ftesë e hirshme e ungjillit: «Hyr në arkën e sigurisë».
7:2-18 Nuk na jepet asnjë arsye pse Noeu duhet të merrte shtatë çifte kafshësh të pastra në arkë, por vetëm një çift kafshësh jo të pastra. Mbase ishin për ushqim dhe për sa u përket kafshëve të pastra për t’u flijuar (shikoni Zanafilla 8:20). Arka u mbush me banorët e saj për shtatë ditë para se shiu të fillonte dhe rezervat e nëndheshme ujore të shpërthenin. Rrëketë vazhduan për dyzet ditë e dyzet net; dyzet është numri i provës në Bibël.
7:19-24 A ishte një përmbytje që ndodhi vetëm në atë zonë, siç pretendojnë disa? Lexoni më poshtë: Të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan (v. 19). Nëse përmbytja ndodhi vetëm në një zonë të kufizuar, Perëndia nuk kishte pse t’i thoshte Noeut të ndërtonte një arkë të barasvlershme me 1½ e fushës së futbollit për nga gjatësia dhe sa 800 vagonë treni për nga vëllimi për ta shpëtuar nga një përmbytje që do të binte në atë zonë. Traditat e një përmbytjeje universale kanë dalë nga tërë cepat e botës. Malet e Araratit janë të lartë 4 250 m. Përmbytja ishte pesëmbëdhjetë kubitë më e lartë (v. 19,20). Por çfarë lloj mrekullie do ta mbante këtë ujë në një zonë të caktuar? Te Zanafilla 9:15 Perëndia premtoi se uji nuk do të shkaktonte më përmbytje për të shkatërruar çdo frymë. Ka pasur shumë përmbytje zonale që nga ajo kohë, por kurrë një përmbytje universale. Nëse përmbytja do të ishte zonale, atëherë premtimi i Perëndisë do të ishte shkelur – një përfundim i pamundur. Pjetri përdor shkatërrimin e botës nga uji si një simbol të një shkatërrimi ende të ardhshëm të tokës nga zjarri (2 Pjetrit 3:6).
Arka është një figurë e Krishtit. Ujërat paraqesin gjykimin e Perëndisë. Zoti Jezus shkoi poshtë ujërave të zemërimit hyjnor në Kalvar. Ata që janë në Krishtin janë të shpëtuar. Fati i atyre që janë jashtë është shkatërrimi në liqenin e zjarrit (shikoni 1 Pjetrit 3:21).
8:1-19 Kronologjia e Përmbytjes është si vijon:
- 7 ditë – nga koha që Noeu hyri në arkë derisa filloi Përmbytja (Zanafilla 7:10).
-
40 ditë dhe net – zgjatja e shiut (Zanafilla 7:12).
-
150 ditë – nga koha që filloi shiu derisa ujërat vazhduan të tërhiqeshin (Zanafilla 8:3) dhe arka u ndal në malet e Araratit (krahasoni Zanafilla 7:11 me Zanafilla 8:4).
-
224 ditë – nga fillimi i përmbytjes deri në rishfaqjen në majën e malit (krahasoni Zanafilla 7:11 dhe Zanafilla 8:5).
-
40 ditë – nga koha kur majat e malit u dukën deri kur Noeu nisi jashtë korbin (Zanafilla 8:7).
-
7 ditë – nga dërgimi i korbit deri në dërgimin e parë të pëllumbit (Zanafilla 8:6-10; v. 10, «shtatë ditë të tjera»).
-
Edhe 7 ditë të tjera – derisa pëllumbi u dërgua për herë të dytë (Zanafilla 8:10).
-
Edhe 7 ditë të tjera – deri në dërgimin përfundimtar të pëllumbit (Zanafilla 8:12).
-
314 ditë – nga fillimi i Përmbytjes derisa Noeu zbuloi arkën (krahasoni Zanafilla 7:11 dhe Zanafilla 8:13).
-
371 ditë – nga fillimi i Përmbytjes derisa toka ishte e thatë (krahasoni Zanafilla 7:11 dhe Zanafilla 8:14). Në këtë kohë Noeu u urdhërua të dilte nga arka (v. 16).
Korbi i papastër (v. 7) dhe pëllumbi i pastër [v. 8] janë ilustrime të mira të natyrave të besimtarit: e vjetra dhe e reja. Natyra e vjetër kërkon të ushqehet me mbeturina dhe kërma, ndërsa natyra e re nuk mund të gjejë kënaqësi në një skenë vdekjeje dhe gjykimi. Ajo nuk gjen prehje derisa të vërë këmbët në tokën e ringjallur.
8:20-22 Noeu i përgjigjet hirit shpëtues të Perëndisë duke ndërtuar një altar. Cilido prej nesh që është shpëtuar nga zemërimi që do të vijë duhet t’i paraqesë Perëndisë adhurimin e dalë nga zemra. Është po aq e pranueshme dhe e pëlqyeshme sot sa edhe në ditën e Noeut. Zoti bëri një besëlidhje se kurrë nuk do ta mallkonte më tokën […] dhe nuk do të godiste më çdo gjallesë, siç kishte bërë; gjithashtu, Ai do të siguronte stinë të rregullta për aq kohë sa do të ekzistojë toka.
Te Zanafilla 6:5 dhe këtu në vargun 21 Perëndia flet për të ligën e madhe të zemrës së njeriut. Në fjalinë e parë nuk kishte flijim dhe gjykimi ra. Këtu kemi flijim; dhe Perëndia vepron në mëshirë.
F. Noeu pas Përmbytjes (Kapitulli 9)
9:1-7 Vargu 3 hedh idenë se pas Përmbytjes njerëzve iu lejua të hanin mish për herë të parë. Megjithatë ngrënia e gjakut u ndalua, ngaqë gjaku është jeta e mishit dhe jeta i përket Perëndisë.
Vendosja e ndëshkimit me vdekje hamendëson vendosjen e pushtetit qeverisës. Do të kishte kaos nëse dikush apo çdokush do të merrte hak për një vrasje. Vetëm qeveritarët e caktuar me të drejtë mund ta bënin një gjë të tillë. DhR e miraton ndëshkimin me vdekje kur thotë rreth qeverisjes: «…sepse nuk e mban kot shpatën» (Rom. 13:4).
9:8-17 Ylberi u dha si shenjë se Perëndia nuk do ta shkatërronte më tokën me përmbytje.
9:18-23 Pavarësisht nga hiri i Perëndisë ndaj Noeut, ai mëkatoi duke u dehur dhe pastaj u shtri i zhveshur në mes të çadrës së tij. Kur Kami e pa dhe ua tha të vëllezërve, ata e mbuluan turpin e atit të tyre pa parë trupin e tij lakuriq.
9:24, 25 Kur u zgjua, Noeu shpalli një mallkim kundër Kanaanit. Lind pyetja: «Pse nuk ra mallkimi mbi Kamin, por mbi Kanaanin?». Një shpjegim i mundshëm është se prirja e ligë që u shfaq te Kami u shpall te Kanaani. Mallkimi, për këtë arsye, qe një profeci e sjelljes së tij imorale dhe ndëshkimit të tij të meritueshëm. Një shpjegim tjetër është se vetë Kanaani kreu disa vepra vulgare kundër atit të tij dhe se Noeu më vonë e mësoi këtë. Noeu mësoi atë që i kishte bërë i biri më i vogël. Mund të jetë që vargu 24 i referohet Kanaanit si nipit më të vogël të Noeut, sesa Kamit si djalit të tij më të vogël. Në Bibël «bir» shumë shpesh nënkupton «nip» apo pasardhës të tjerë. Në këtë ngjarje Kanaani nuk u mallkua për mëkatin e atit të tij, por për të vetin. Megjithatë një mundësi tjetër është se hiri i Perëndisë e lejoi Noeun të mallkonte vetëm një pjesë të vogël të pasardhësve të Kamit dhe jo një të tretën e racës njerëzore.
9:26-29 Kanaani u mallkua për t’i shërbyer Semit dhe Jafetit. Skllavëria kanaanite ndaj izraelitëve mund të shihet te Jozueu 9:23 dhe Gjyqtaret 1:28. Kjo pjesë është përdorur për të hedhur idenë e skllavërisë së zezakëve, por nuk ka asnjë mbështetje për këtë pikëpamjeje. Kanaani ishte pararendësi i kanaanitëve, që banuan në Vendin e Shenjtë para mbërritjes së Izraelit. Nuk ka asnjë provë se ata ishin zezakë. Semi dhe Jafeti u bekuan me sundim. Vargu 27 mund të hedhë idenë e ndarjes së bekimeve frymërore të Jafetit përmes pasardhësve të Semit, izraelitëve.
Ka një diskutim se cili ishte djali më i madh i Noeut, Semi apo Jafeti. Kapitulli 10:21 mund të lexohet: «Semit […] vëllai i Jafetit që është më i madh» ose «Semi […] vëllai më i madh i Jafetit» (Shënimet e versionit NKJV). Ky i fundit është referimi i pëlqyer. Semi shfaqet i pari në gjenealogjinë te Zanafilla 5:32 dhe 1 Kronikave 1:4.
G. Skicat e kombeve (Kapitulli 10)
10:1-32 Semi, Kami dhe Jafeti u bënë etërit e kombeve.
Semi: popujt semitikë – judenjtë, arabët, asirianët, aramaitët [sirianët] , fenikasit.
Kami: popujt kamitikë – etiopasit, egjiptianët, kanaanejtë, filistejtë, babilonasit, mbase afrikanët dhe popujt lindorë, edhe pse shumë studiues mendojnë se lindorët janë pasardhës të Jafetit.
Jafeti: popujt jafetikë – medët, grekët, qipriotët etj. Mbase popujt kaukazianë të Evropës dhe Azisë Veriore. Shumë studiues do të përfshijnë gjithashtu edhe lindorët këtu.
Rendi në këtë kapitull është bijtë e Jafetit (v. 2-5), bijtë e Kamit (v. 6-20) dhe bijtë e Semit (v. 21-31). Fryma e Perëndisë do të përqendrohet te Semi dhe pasardhësit e tij gjatë pjesës tjetër të DhV. Gjuhët e ndryshme të vargut 5 mbase parashikojnë kohën pas kullës së Babelit (Zanafilla 11:1-9).
Vini re referimet në këtë kapitull për sa i përket ndarjes së njerëzve. Vargu 5 përshkruan ndarjen e fiseve të popujve jafetikë në zonat e tyre të ndryshme. Vargu 25 na thotë se ndarja e tokës (në Babel) ndodhi në ditët e Pelegut. Vargu 32 shërben si hyrje për Kullën e Babelit në kapitullin 11, kur familjet e bijve të Noeut u ndanë në kombe të ndryshme me gjuhë të ndryshme.
Nimrod (v. 8-10) do të thotë rebel. Ai shfaqet si «njeriu i parë i fuqishëm mbi tokë» pas përmbytjes [v. 8] dhe si i pari që vendosi një mbretëri (v. 10). Ai ndërtoi Babelin (Babiloninë) në rebelim kundër Perëndisë dhe gjithashtu Niniven në Asiri (shikoni vargun 11), një tjetër armik i pandreqshëm i popullit të Perëndisë.
Ashtu siç e kemi përmendur tashmë vargu 21 rendit Semin si vëllanë më të madh të Jafetit.
Është e pamundur të njëjtësojmë me siguri vendet se ku u vendosën popujt e ndryshëm, por lista e mëposhtme do të jetë e dobishme për studimet e mëvonshme.
Tarshishi (v.4 ) – Spanja
Kitimi (v. 4) – Qipro
Kushi (v. 6) – Etiopia
Mitsraimi (v. 6) – Egjipti
Puti (v. 6) – Libia
Kanaani (v. 6) – Palestina
Asiri (v. 11) – Asiria
Elami (v. 22) – Persia
Arami (v. 22) – Siria dhe Mesopotamia
H. Kulla e Babelit (Kapitulli 11)
11:1-4 Në kapitullin 10, i cili vjen sipas rendit kronologjik pas kapitullit 11, njerëzimi ndahej sipas gjuhëve (v. 5, 20, 31). Tani mësojmë shkakun e ndarjeve. Në vend që të shpërndaheshin në tërë tokën, ashtu siç kishte ndërmend Perëndia, njerëzit ndërtuan një qytet dhe një kullë në Shinar (Babiloni). Dhe thanë: «O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut». Kështu që ishte një synim krenarie (t’i bëjmë një emër vetes) dhe mospërfilljeje (të shmangim që të mos shpërndahemi). Për ne kulla mund të paraqes përpjekjen e pareshtur të njeriut të rënë për të shkuar në qiell me anë të veprave të tij në vend që ta marrë shpëtimin si një dhuratë prej hirit.
11:5-9 Zoti i gjykoi njerëzit duke e ngatërruar gjuhën e tyre. Ky është fillimi i gjuhëve të ndryshme që kemi në botë sot. Rrëshajat (Veprat e Apostujve 2:1-11) ishin e kundërta e Babelit, në kuptimin se çdo njeri dëgjonte veprat e mrekullueshme të Perëndisë në gjuhën e vet. Babel do të thotë ngatërrim, pasojë e pashmangshme e çdo bashkimi që e lë Perëndinë jashtë apo që nuk është në përputhje me Perëndinë.
11:10-25 Këto vargje tregojnë gjenealogjinë e Semit deri tek Abrami. Prandaj kujtesa historike e ngushton racën njerëzore te një degë e asaj race (semitëve) dhe pastaj te një njeri i vetëm (Abrami), që u bë kreu i kombit të hebrenjve. Pjesa tjetër e DhV është kryesisht një histori e këtij kombi.
11:26-32 Abrami ishte një njeri i madh i besimit dhe një ndër njerëzit më të rëndësishëm në histori. Tri fetë botërore – judaizmi, krishterimi dhe islami – tregojnë një respekt të thellë për të. Ai përmendet në 16 libra të DhV dhe në 11 të DhR. Emri i tij do të thotë «atë i ngritur», ose kur u ndryshua në Abraham, «atë i një shumice të madhe».
Ka një problem matematikor në këtë pjesë. Derek Kidneri shpjegon:
Mosha e Terahut kur vdiq paraqet një vështirësi, meqë e bën djalin e tij më të madh 135 vjeç (v. 26), ndërsa Abrahami ishte 75 (Zanafilla 12:4, me Veprat e Apostujve 7:4). Një zgjidhje është të hamendësojmë se Abrami ka qenë djali më i vogël, lindur gjashtëdhjetë vjet pas më të madhit, por është vënë i pari në listën te Zanafilla 11:26, 27 për shkak të spikatjes së tij (si Efraimi para Manasit). Një zgjidhje tjetër është të ndjekim tekstin samaritan, i cili e jep moshën e Terahut 145 vjeç kur vdiq. Kjo duket më e pëlqyeshme si zgjidhje. Nëse ati i tij do ta kishte lindur atë në moshën 130-vjeçare, Abrami nuk do t’i kishte thënë fjalët te Zanafilla 17:17 {{10}}.
Ur i kaldeasve (v. 31), në Mesopotami, ishte një qendër e idhujtarisë pagane. Terahu dhe familja e tij udhëtuan në veriperëndim të Haranit, në rrugën për në vendin e kanaanejve.
[[1]] Të tjerë e vënë katastrofën para vargut 1 dhe e shohin këtë varg si një fjali përmbledhëse.[[1]] [[2]] Megjithatë, folja hebraike hayah zakonisht pasohet nga parafjala le kur nënkupton ‘u bë’ dhe këtu nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë.[[2]] [[3]] (2:15-23) Hebraishtja ka vetëm dy kohë (plus pjesoret): të kryerën dhe të pakryerën. Konteksti përcakton formën e saktë foljore që është përkthyer më mirë në anglisht.[[3]] [[4]] (3:7-13) C. H. Mackintosh, Genesis to Deuteronomy, f. 33.[[4]] [[5]] (3:22-24) Merrill F. Unger, Unger’s Bible Dictionary, f. 192.[[5]] [[6]] (4:7) Mackintosh, Genesis to Deuteronomy, f. 42.[[6]] [[7]] (4:7) F. W. Grant, “Genesis”, The Numerical Bible, I:38.[[7]] [[8]] (5:25-32) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 12.[[8]] [[9]] (6:4,5) Unger, Bible Dictionary, f. 788.[[9]] [[10]] (11:26-32) Derek Kidner, Genesis, f. 112.[[10]] [previous][next]