Abrahami (Zanafilla 12:1 – 25:18)

1. Thirrja e Abrahamit (Zanafilla 12:1-9)

12:1-3 Thirrja e Zotit iu drejtua Abramit kur ai ishte ende në Ur (krahasoni vargun 1 me Veprat e Apostujve 7:1,2). Abrami u thirr për t’u larguar nga vendi, nga të afërmit dhe nga shtëpia e babait të tij dhe të niste një jetë shtegtimi (Heb. 11:9). Perëndia bëri një besëlidhje të mrekullueshme me të që përfshinte premtimet domethënëse: një vend – pra vendin e Kanaanit; një komb të madh – që është populli jude; begati materiale dhe frymërore për Abramin dhe farën e tij; një emër të madh për Abramin dhe pasardhjen e tij; ata do të ishin një kanal bekimi për të tjerët; miqtë e Izraelit do të bekoheshin dhe antisemitët do të mallkoheshin; tërë familjet e tokës do të jenë të bekuara në Abramin, duke pasur parasysh Zotin Jezu Krisht, që do të ishte një pasardhës i tij. Kjo besëlidhje u ripërtëri dhe u zgjerua te Zanafilla 13:14-17; 15:4-6; 17:10-14 dhe Zanafilla 22:15-18.

12:4-9 Pas asaj që janë quajtur «vitet e harxhuara kot në Haran», pra vitet pa rritje, Abrami shkoi në Kanaan me Sarajn, gruan e tij, nipin e tij Lot, kushërinj të tjerë dhe pasurinë. Më së pari ata shkuan në Sikem, ku Abrami i ndërtoi aty një altar Zotit. Prania e kanaanejve të ligj nuk ishte pengesë për atë njeri që po ecte me anë të besimit. Abrami pastaj u rivendos në Bethel (shtëpia e Perëndisë) dhe në Ain. Atje ai ngriti jo vetëm çadrat për vete, por gjithashtu ndërtoi aty një altar kushtuar Zotit. Kjo na tregon shumë për përparësitë e këtij njeriu të Perëndisë. Në vargun 9 e gjejmë Abramin duke u zhvendosur në drejtim të Negevit (në jug).

2. Nga Egjipti dhe udhëtimi i kthimit (Zanafilla 12:10-13:4)

12:10-20 Megjithatë besimi ka shkarjet e tij. Gjatë një kohe të një zie të madhe bukeAbrami e la vendin e zgjedhur nga Perëndia dhe shkoi në Egjipt, një simbol i botës. Kjo solli probleme të mëdha. Abramin e zuri frika se mos faraoni do ta vriste me qëllim që të merrte për vete gruan e tij të pashme, Sarajn, për haremin e tij. Kështu Abrami e bindi Sarajn të gënjente dhe të thoshte se ishte motra e tij. Në fakt ajo ishte motra e tij nga babai (Zanafilla 20:12), por prapëseprapë ishte gënjeshtër, duke pasur si qëllim mashtrimin. Dredhia funksionoi për Abramin (ai u shpërblye mirë), por funksionoi kundër Sarajt (ajo duhet t’i shtohej haremit të faraonit). Dhe nuk funksionoi kundër faraonit (ai dhe shtëpia e tij pësuan fatkeqësi të mëdha). Ky i fundit veproi më me drejtësi se Abrami kur mori vesh mashtrimin. Pasi e qortoi Abramin ai e dërgoi përsëri në Kanaan.

Kjo ndodhi na kujton se nuk duhet të luftojmë një luftë frymërore me armët e mishit, që në fund nuk përligj mjetet dhe ne nuk mund të mëkatojmë dhe të bëjmë një sy qorr.

Perëndia nuk e braktisi Abramin, por Ai lejoi që mëkati të vepronte vetë. Abrami u përul hapur nga faraoni dhe u dëbua në çnderim.

Fjala «faraon» nuk ishte një emër, por një titull, si për shembull mbret, perandor, president etj.

13:1-4 Kthimi i Abramit në Bethel […] nga Egjipti nënkuptohet që ishte një kthim për një përbashkësi me Perëndinë. «Përsëri në Bethel» është thirrja përtëritëse për tërë ata që janë larguar nga Zoti.

3. Përvojat me Lotin dhe Melkisedekun (Zanafilla 13:5-14:24)

13:5-13 Barinjtë e Lotit dhe të Abramit u grindën për kullotat e kopeve të tyre. Me një mirësjellje, mirësi dhe pa egoizëm Abrami i ofroi Lotit zgjedhjen e tij të të tërë vendit. Me një përulje, ai i çmoi të tjerët më tepër se veten (Filipianeve 2:3). Loti zgjodhi kullotat e njoma të Luginës së Jordanit, afër qyteteve mëkatare të Sodomës dhe Gomorës. Edhe pse një besimtar i vërtetë (2 Pjetrit 2:7,8), Loti ishte një njeri që i pëlqente bota. Ashtu siç ka thënë dikush: «ai siguroi bar për bagëtitë e tij, ndërsa Abrami mori hirin për fëmijët e tij» (v. 15,16).

Fakti që njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit nuk e ndaloi Lotin në zgjedhjen e tij. Vini re hapat e zhytjes së tij në qejfet e botës: Ai (njerëzit e tij) përjetoi mosmarrëveshjet (v. 7), ai ngriti sytë (v. 10), ai zgjodhi (v. 11), ai ngriti çadrën e tij drejt qytetit (v. 12), ai qëndroi larg vendit ku ishte prifti i Perëndisë (Zanafilla 14:12), ai ulej te porta, vendi i fuqisë politike (Zanafilla 19:1). Ai u bë një zyrtar vendor në Sodomë.

13:14-18 Abrami hoqi dorë nga kullotat më të pëlqyeshme, por Perëndia i dha atij tërë vendin e Kanaanit dhe pasardhësve të tij përgjithnjë. Përveç kësaj Zoti i premtoi një pasardhje të panumërt. Pasi u vendos në Hebron Abrami […] ndërtoi një altar të tretë kushtuar Zotit – gjithmonë një altar për Perëndinë, por kurrë një shtëpi për vete!

Vini re se Perëndia e udhëzoi Abramin të ecte në tërën vendin dhe të shikonte zotërimin e tij. Kështu edhe ne duhet t’i marrim premtimet e Perëndisë me anë të besimit.

14:1-12 Trembëdhjetë vjet pas ngjarjeve kryesore të këtij kapitulli, Kedorlaomeri, mbret i Elamit (Persisë) kishte pushtuar mbretëri të ndryshme në fushat ngjitur me Detin e Kripur (të Vdekur). Vitin e trembëdhjetë pesë mbretërit e kapur rob ngritën krye kundër Kedorlaomerit. Kështu që ai u bashkua me tre mbretër të tjerë nga zona e Babilonisë, marshoi drejt jugut përgjatë bregut lindor të Detit të Vdekur, pastaj në veri në anën perëndimore të Sodomës, Gomorës dhe të qyteteve të tjera të zonës. Beteja ndodhi në luginën e Sidimit ishte plot me puse bitumi. Pushtuesit i shpartalluan rebelët dhe marshuan drejt veriut me plaçkën e tyre të luftës dhe robërit – duke përfshirë Lotin, nipin e paqëndrueshëm të Abramit.

14:13-16 Kur Abrami e mori vesh lajmin, ai mblodhi një forcë ushtarake prej treqind e tetëmbëdhjetë vetash të stërvitur dhe i ndoqi fituesit në Dan, në veri. Ai më në fund i shpartalloi afër Damaskut, në Siri dhe shpëtoi Lotin dhe tërë plaçkën. Të paqëndrueshmit sjellin jo vetëm mjerim për veten e tyre, por probleme edhe për të tjerët. Këtu Abrami e çliroi Lotin me anë të shpatës. Më vonë do ta çlirojë me anë të lutjes ndërhyrëse (kapitujt 18,19).

14:17,18 Ndërsa Abrami po kthehej në shtëpi, mbreti i Sodomës vajti ta presë, ashtu siç përpiqet Satani të tundojë besimtarin pas një fitoreje të madhe frymërore. Por Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, po e priste me bukë dhe verë për të forcuar Abramin. Nuk mund të lexojmë këtë përmendje të parë të bukës dhe verës pa menduar për këto simbole të vuajtjes së Shpëtimtarit tonë. Kur mendojmë për çmimin që pagoi për të na shpëtua nga mëkati, forcohemi t’i bëjmë ballë çdo tundimi mëkatar.

Emrat në Shkrim kanë domethënie. Melkisedek do të thotë mbret i drejtësisë dhe Salem (shkurtimi i Jerusalemit) do të thotë paqe. Kështu që ai ishte mbret i drejtësisë dhe i paqes. Ai është një simbol i Krishtit, Mbreti i vërtetë i drejtësisë dhe paqes dhe Kryeprifti ynë i Madh. Kur thuhet te Hebrenjve 7:3 se Melkisedeku ishte «pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh, as fund jete» kjo duhet kuptuar vetëm në lidhje me priftërinë e tij. Shumë priftërinj e trashëgojnë detyrën e tyre dhe shërbejnë për një kohë të caktuar. Por priftëria e Melkisedekut ishte e përveçme në atë që, për sa i përket asaj që është shkruar, nuk iu përcoll nga prindërit dhe nuk kishte as fillim, as fund. Priftëria e Krishtit është «sipas rendit të Melkisedekut» (Psa. 110:4; Heb. 7:17).

14:19,20 Melkisedeku e bekoi Abramin dhe Abrami nga ana e tij i dha këtij prifti të Perëndisë një të dhjetën e çdo gjëje që kishte zënë. Tek Hebrenjve 7 mësojmë se kishte një domethënie të madhe frymërore në këto veprime. Ngaqë Abrami ishte paraardhësi i Aaronit, ai shihet si përfaqësues i priftërisë së Aaronit. Fakti se Melkisedeku e bekoi Abramin do të thotë se priftëria e Melkisedekut është më e madhe se ajo e Aaronit, sepse ai që bekon është më i madh se ai që bekohet. Fakti që Abrami i pagoi të dhjetën Melkisedekut shihet si një figurë e priftërisë së Aaronit duke pranuar superioritetin e priftërisë së Melkisedekut, sepse më i vogli i paguan të dhjetën më të madhit.

14:21-24 Pastaj mbreti i Sodomës i tha në fakt: «Nëm personat; ti merr për vete gjërat materiale». Kështu Satani ende na tundon të merremi me gjërat e tokës, ndërsa njerëzit rreth nesh po humbasin. Abrami iu përgjigj se ai nuk do t’i merrte as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh.

4. Trashëgimtari i premtuar i Abrahamit (Kapitulli 15)

15:1 Vargu i parë është i lidhur ngushtë me pjesën e fundit të kapitullit 14. Ngaqë patriarku nuk i pranoi shpërblimet e mbretit të Sodomës, Jehovai i tha atij: «Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh», prandaj Abrami u mbrojt dhe shijoi pasuri marramendëse.

15:2-6 Duke qenë pa fëmijë, Abrami kishte frikë se mos shërbëtori i tyre, Eliezeri i Damaskut, do të ishte trashëgimtari i tyre, meqë i tillë ishte ligji i asaj kohe. Por Perëndia i premtoi atij një bir dhe pasardhës të panumërueshëm sa yjet. Duke e marrë nga ana njerëzore, kjo gjë ishte e pamundur, meqë Sarajt i kishte kaluar koha për të lindur fëmijë. Por Abrami i besoi premtimit të Perëndisë dhe Perëndia e shpalli të drejtë. E vërteta e shfajësimit me anë të besimit e shpallur këtu përsëritet te Romakeve 4:3, Galatasve 3:6 dhe Jakobit 2:23. Te Zanafilla 13:16 Perëndia i kishte premtuar pasardhës të panumërueshëm si pluhuri dhe këtu te Zanafilla 15:5 të panumërueshëm si yjet. Pluhuri përfytyron pasardhjen natyrore të Abrahamit – ata që janë judenj nga lindja. Yjet paraqesin farën e tij frymërore – ata që shfajësohen me anë të besimit (shikoni Gal. 3:7).

15:7-21 Për të miratuar premtimin e farës (v. 1-6) dhe të vendit (v. 7,8, 18-21), Perëndia kreu një simbolizëm të çuditshëm dhe domethënës (v. 9-21). Dejvid Beroni (David Baron) shpjegon:

Sipas mënyrës së lashtë lindore të kryerjes së besëlidhjes, të dyja palët që do të lidhnin kontratë kalonin midis copave të ndara të kafshëve të therura, gjë e cila simbolikisht pohonte se ata kishin vënë jetët e tyre në përmbushjen e zotimit që kishin bërë (shikoni Jer. 34:18,19). Tani te Zanafilla 15, vetë Perëndia, prania e të cilit simbolizohet me një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar të zjarrtë, kaloi në mes të copave të ndara të kafshëve të therura, ndërsa Abrami ishte thjesht një spektator i kësaj shfaqjeje të mrekullueshme të hirit falas të Perëndisë [1].

Kjo nënkuptonte se ishte një besëlidhje pa kushte, duke u pritur përmbushja vetëm nga Perëndia.

Sipas një pikëpamjeje tjetër të kësaj pjese, kafshët e ndara të flijimit përfaqësojnë kombin e Izraelit. Zogjtë grabitqarë flasin për kombet pagane. Vendi që nuk do të jetë i tyre, sigurisht, është Egjipti. Izraeli do të çlirohej nga skllavëria egjiptiane dhe do të kthehej në Kanaan në brezin e katërt. Furra që nxjerr tym dhe pishtari i zjarrtë përshkruajnë fatin kombëtar të Izraelit – vuajtjet dhe dhënien e dëshmisë.

Çlirimi i Izraelit nuk do të vinte derisa padrejtësia e amorejve të arrinte kulmin. Këta banorë paganë të Kanaanit duhet të shfaroseshin. Por Perëndia zakonisht e lejon të keqen të ndjekë rrugën e saj, ndonjëherë në dëm të popullit të Tij, para se ta gjykojë. Ai është zemërgjerë, që nuk dëshiron që dikush të humbasë – edhe amorejtë e shthurur (2 Pjetrit 3:9). Ai gjithashtu e lejon të keqen të piqet në mënyrë që pasojat e tmerrshme të paudhësisë të jenë të qarta për të gjithë. Prandaj zemërimi i Tij tregohet se është plotësisht i drejtë.

Vargjet 13 e 14 nxjerrin në pah një problem kronologjik. Ato parathonë se pasardhësit e Abramit do të jenë në skllavëri të egër në një vend të huaj për 400 vjet dhe se ata do të largohen në fund të asaj kohe, duke marrë pasuri të madhe me vete. Te Veprat e Apostujve 7:6 përsëritet kjo figurë e 400 viteve.

Tek Eksodi 12:40,41 lexojmë se bijtë e Izraelit që banuan në Egjipt qenë banorë prej 430 vitesh deri në atë ditë.

Pastaj te Galatasve 3:17 Pali thotë se periudha nga miratimi i Besëlidhjes me Abrahamin deri në dhënien e Ligjit qe 430 vjet.

Si mund t’i përputhim këto të dhëna?

400 vitet e përmendura te Zanafilla 15:13,14 dhe te Veprat e Apostujve 7:6 i referohen kohës së pikëllimit të egër të Izraelit në Egjipt. Jakobi dhe familja e tij nuk ishin në robëri kur shkuan për herë të parë në Egjipt. Përkundrazi, u trajtuan me një shërbim mbretëror.

430 vitet te Eksodi 12:40,41 i referohen kohën së plotë që populli i Izraelit kaloi në Egjipt – deri në atë ditë. Kjo është një figurë e saktë.

430 vitet te Galatasve 3:17 mbulojnë afërsisht të njëjtën periudhë si te Eksodi 12:40,41. Ato llogariten nga koha që Perëndia miratoi Besëlidhjen me Abrahamin deri te Jakobi, ashtu siç u përgatit Jakobi të hynte në Egjipt (Zanafilla 46:1-4) dhe arrin deri në dhënien e Ligjit, rreth tre muaj pas largimit nga Egjipti.

Katër brezat te Zanafilla 15:16 mund të shihen tek Eksodi 6:16-20: Levi, Kehathi, Amrami dhe Moisiu. Izraeli nuk e kishte pushtuar ende Tokën e Premtuar te vargjet 18-21. Salomoni kishte sunduar mbi të (1 i Mbreterve 4:21,24), si në shtetet vasale, por populli i tij nuk e pushtoi atë. Besëlidhja do të përmbushet kur Krishti do të kthehet për të mbretëruar. Asgjë nuk mund ta pengojë përmbushjen e saj. Atë që Perëndia ka premtuar është aq e sigurt sa është sikur të kishte ndodhur tashmë!

Përroi i Egjiptit (v. 18) besohet në përgjithësi se është një rrëke e vogël në jug të Gazës, njohur tani si Uadi el Arish (Wadi el Arish) dhe nuk bëhet fjalë për Nilin.

5. Ismaeli, biri i mishit (Kapitujt 16,17)

16:1-6 Këtu shihet egërsia e natyrës së mëkatit. Në vend që të pres Perëndinë, Saraj e bind Abramin të bëjë një fëmijë me shërbyesen e saj Agarin, që mbase ishte marrë gjatë qëndrimit fatkeq në Egjipt. Perëndia është besnik duke i mbajtur shënim parregullsitë martesore të popullit të Tij, edhe pse Ai kurrë nuk i ka miratuar. Kur Agari mbeti shtatzënë, ajo e pa me përçmim zonjën e saj. Saraj u përgjigj duke e fajësuar Abramin, pastaj e dëboi Agarin nga shtëpia. Kjo ilustron konfliktin midis ligjit dhe hirit. Ata nuk mund të bashkëjetojnë (Gal. 4:21-31). Ndërsa disa gjëra nga sjellja në këtë pjesë mund të kenë qenë të pranueshme nga ana kulturore në atë kohë, janë me siguri të parregullta për pikëvështrimin e një të krishteri.

16:7-15 Ndërsa Agari ishte në shkretëtirën e Shurit, rrugës për në Egjipt, Engjëlli i Zotit iu afrua. Ky ishte Zoti Jezus në një prej shfaqjeve të tij para mishërimit, e njohur si Kristofani (shikoni Gjyqtarët 6 për një shtjellim të Engjëllit të Zotit). Ai e këshilloi atë të kthehej dhe t’i nënshtrohej Sarajt dhe i premtoi asaj se biri i vet do të bëhej kreu i një kombi të madh. Ai premtim, sigurisht, është përmbushur me popullin arab. Fjalët «Kthehu […] dhe nënshtroju» kanë lënë gjurmë të mëdha në jetët e shumë vetave që kanë bërë marrëveshje me Perëndinë.

Shpallja e Agarit në vargun 13 mund të parafrazohet në këtë mënyrë: «Ti je një Perëndi që mund të shihet», sepse ajo tha: «A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?». Ajo ia vuri emrin atij vendi pusi i Lahai-Roit (fjalë për fjalë, pusi i Atij që jeton dhe më shikon) [2].

16:16 Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç kur Agari lindi Ismaelin. Emri Ismael do të thotë Perëndia dëgjon. Në këtë rast Ai dëgjoi mjerimin e Agarit. Ne duhet të kujtojmë nga kjo histori se Agari përfaqëson ligjin, ndërsa Saraj hirin (shikoni Galatasve 4:1-31).

17:1-14 Fjalët e Perëndisë drejtuar Abramit në vargun 1 mund të kenë qenë një mënyrë e fshehur e të thënit se ai duhej të reshte së përpjekuri që t’i bënte gjërat me forcën e tij dhe të lejonte Perëndinë e Plotfuqishëm të vepronte për të. Menjëherë Perëndia e ripërtëriu besëlidhjen e Tij dhe e ndryshoi emrin e patriarkut nga Abram (atë i ngritur) në Abraham (atë i një shumice të madhe). Pastaj u vendos rrethprerja si një shenjë e besëlidhjes. Kjo prerje kirurgjike, e kryer në çdo mashkull, ishte një shenjë fizike se ai njeri i përkiste popullit të zgjedhur tokësor të Perëndisë. Edhe pse tashmë praktikohej në Lindjen e Mesme në atë kohë, ajo mori një domethënie të re për Abrahamin dhe familjen e tij. Çdo mashkull në shtëpinë e Abrahamit u rrethpre dhe më pas çdo foshnjë duhej të rrethpritej kur ishte në moshën tetë ditësh ose përndryshe do të hidhej jashtë popullit të tij – pra, do të hidhej tej asamblesë së Izraelit (v. 9-14). Shprehja «do të hidhet» ndonjëherë do të thotë do të vritet, ashtu si tek Eksodi 31:14,15. Në vende të tjera, si këtu, duket se nënkupton përjashtim apo syrgjynosje.

Apostulli Pal me shumë kujdes tregon se Abrahami u shfajësua (Zanafilla 15:6) para se të rrethpritej. Rrethprerja e tij ishte një «vulë e drejtësisë për besimin që kishte pasur kur ishte ende i parrethprerë» (Rom. 4:11). Besimtarët sot nuk janë të vulosur me një shenjë fizike; ata e marrin Frymën e Shenjtë si vulë në çastin e kthimit të tyre (Efesianeve 4:30).

[box title=”SHENJA E RRETHPRERJES”]

Rrethprerja u caktua nga Perëndia si një shenjë fizike e besëlidhjes midis Tij dhe popullit të Tij (Zanafilla 17:10-14). Prandaj tërë pasardhësit e Abrahamit njihen si «të rrethprerët» (Veprat e Apostujve 10:45) dhe johebrenjtë quheshin «të parrethprerët» (Efesianeve 2:11). Ajo është gjithashtu shenja dhe vula e drejtësisë që Abrahami e mori me anë të besimit (Rom. 4:5).

Por më pas fjalët «rrethprerje» dhe «i rrethprerë» morën një larmi domethëniesh. «Buzët e parrethprera» (Eksodi 6:12) nënkuptonte një mungesë aftësish për të folur në publik. «Veshë të parrethprera» dhe «zemra të parrethprera» flasin për pamundësinë për të dëgjuar, për të dashur dhe për t’iu bindur Zotit (Lev. 26:41; Ligji i Perterire 10:16; 30:6; Jer. 6:10; Veprat e Apostujve 7:51). «Të parrethprerë në mish» (Eze. 44:7) nënkuptonte të papastër.

DhR «rrethprerja e Krishtit» (Kolosianeve 2:11) i referohet vdekjes së Tij në kryq. Besimtarët janë të rrethprerë me anë të njëjtësimit të tyre me Krishtin; Pali e quan «rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit» (Kolosianeve 2:11). Kjo rrethprerje flet për vdekjen e natyrës së mishit. Kjo është e vërtetë për pozicionin e çdo besimtari, por duhet ndjekur nga një vdekje praktike e veprave mëkatare të mishit (Kolosianeve 3:5). Apostulli u drejtohet besimtarëve si të rrethprerët e vërtetë (Filipianeve 3:3), në dallim me një pjesë të legalistëve judenj njohur si «të rrethprerjes» (Gal. 2:12).

Si shtesë e simbolizmit të tyre, disa nga ligjet e mira të Perëndisë u caktuan për të shpëtuar popullin e Tij nga sëmundjet e johebrenjve. Shumë autoritete në fushën e mjekësisë besojnë plotësisht se rrethprerja priret të parandalojë disa forma të kancerit si te burri ashtu edhe te gruaja e tij.

[/box]

17:15-17 Perëndia i ndryshoi emrin Sarajtnë Sara (princeshë) dhe i premtoi Abrahamit se gruaja e tij nëntëdhjetëvjeçare do të bëhej me një djalë. Patriarku qeshi, por me një çudi të gëzueshme, jo në mosbesim. Besimi i tij nuk u lëkund (Rom. 4:18-21).

17:18-27 Kur Abrahami u lut që Ismaeli të kishte favorin para Perëndisë, atij iu tha që besëlidhja do të përmbushej nëpërmjet birit të tij, Isakut. Megjithatë, Ismaeli do të ishte i frytshëm, do të shumohej dhe do të bëhej një komb i madh. Isaku ishte një simbol i Krishtit, me anë të të cilit besëlidhja merr përmbushjen përfundimtare.

Vini re gatishmërinë e bindjes së Abrahamit: Po atë ditë u rrethprenë Abrahami dhe Ismaeli, biri i tij.

6. Sodoma dhe Gomora (Kapitujt 18,19)

18:1-15 Menjëherë pas ngjarjeve të kapitullit 17, tre burra iu shfaqën Abrahamit. Dy prej tyre ishin engjëj dhe tjetri ishte Vetë Zoti. Me mikpritjen tipike të Lindjes së Mesme, Abrahami dhe Sara i pritën pa e ditur se ishin engjëj (Heb. 13:2) dhe madje Dikë që ishte më i madh se engjëjt. Kur Sara dëgjoi se Zoti i tha se ajo do të lindte një djalë, e qeshura e saj ia tradhtoi besimin. Ajo u qortua me pyetjen shqyrtuese: «A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?». Por pavarësisht nga dyshimi i saj, premtimi u përsërit (v. 9-15). Hebrenjve 11 tregon se Sara ishte në thelb një grua që besonte, pavarësisht nga kjo mangësi e çastit.

18:16-33 Pasi Zoti i zbuloi Abrahamit se do të shkatërronte Sodomën dhe ndërsa dy engjëjt po shkonin drejt atij qyteti, ndërhyrja e madhe e Abrahamit filloi të zbriste numrin e besimtarëve atje – pesëdhjetë […] dyzet e pesë […] dyzet […] tridhjetë […] njëzet […] dhjetë. Edhe për dhjetë njerëz të drejtë Zoti nuk do ta shkatërronte Sodomën! Lutja e Abrahamit është një shembull i mrekullueshëm i ndërhyrjes së frytshme. Ajo mbështetej në karakterin e drejtë të Gjykatësit të tërë tokës (v. 25) dhe provoi atë guxim, edhe pse me përulje të madhe, që vetëm një njohje intime e Perëndisë mund ta japë. Vetëm kur Abrahami reshti së luturi, Zoti e mbylli çështjen dhe u largua (v. 33). Ka shumë mistere në jetë për të cilat e vërteta e vargut 25 është përgjigjja e vetme e kënaqshme.

Mos harroni nderin që Perëndia i bëri Abrahamit si një njeri i qëndrueshëm familjeje (v. 19). Diçka me të vërtetë e denjë për t’u pasur zili!

19:1-11 Emri i Sodomës është bërë sinonimi i mëkatit të homoseksualizmit apo sodomizmit. Por shthurja seksuale nuk ishte shkaku i vetëm i rënies së qytetit. Tek Ezekieli 16:49,50 Zoti përshkruan mëkatin e Sodomës si «…kryelartësi, bollëku i bukës dhe një plogështi e theksuar».

Loti i bujti dy engjëjt dhe këmbënguli që ata ta kalonin […] natën në shtëpinë e tij, duke e ditur shumë mirë rrezikun që do të hasnin. Edhe atëherë njerëzit e Sodomës u përpoqën të kryenin marrëdhënie të dhunshme homoseksuale me vizitorët qiellorë. Në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar miqtë e tij, Loti i turpëruar ofron dy vajzat e tij. Vetëm një mrekulli e kreu shpëtimin atë ditë; engjëjt i ndaluan përkohësisht njerëzit e Sodomës me verbëri.

[box title=”HOMOSEKSUALIZMI”]

Si në DhV (Zanafilla 19:1-26; Lev. 18:22; 20:13) dhe në DhR (Rom. 1:18-32; 1 e Korintasve 6:9 dhe 1 Tim. 1:10), Perëndia dënon mëkatin e homoseksualizmit. Ai tregoi zemërimin e Tij kundër këtij mëkati duke shkatërruar qytetet e Sodomës dhe Gomorës. Sipas ligjit të Moisiut homoseksualizmi ndëshkohej me vdekje. Asnjë njeri që praktikonte homoseksualizmin nuk do të trashëgonte mbretërinë e Perëndisë.

Të ashtuquajturit «gei (homoseksualë meshkuj)» paguajnë një çmim të lartë për stilin e tyre imoral të jetës. Pali thotë se ata marrin në vetvete «shpagimin e duhur për gabimin e tyre» (Rom. 1:27b). Kjo përfshin sëmundjet gjenitale, pneumocistin, sarkomën Kaposi (një formë kanceri i indeve lidhëse karakterizuar nga njolla të kuqërreme që shfaqen në lëkurë) dhe SIDA-n. Gjithashtu përfshin fajin që nuk të hiqet, shqetësime mendore e emocionale dhe ndryshime jo të zakonshme të personalitetit.

Si të gjithë mëkatarët e tjerë, një homoseksual apo lesbike mund të shpëtohen nëse ai apo ajo pendohen për mëkatin dhe pranojnë Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtar vetjak. Perëndia i do njerëzit që janë homoseksualë, edhe pse urren mëkatin e tyre.

Ka një ndryshim midis të qenurit një homoseksual praktikues dhe të kesh një prirje homoseksuale. Bibla dënon praktikën, jo prirjen. Ka nga ata që kanë një tërheqje ndaj seksit të njëjtë, por nuk pranojnë t’i jepen atij. Me anë të fuqisë së Frymës ata janë disiplinuar t’i bëjnë ballë tundimit dhe të jetojnë në pastërti. Shumë të krishterë me prirje homoseksuale [për shkak të mishit mëkatar]

kanë parë gjendjen e tyre me brengë dhe trishtim, por, të paaftë për të ndryshuar [me fuqinë e vetvetes], kanë marrë nga Fryma fuqinë për t’u penguar dhe për të qenë të pastër, që në fakt është shenjtërim…. Në zotimin ndaj Krishtit (ata) ia kanë ofruar atë njollë të brendshme Perëndisë për t’u përdorur nga Perëndia, që ajo fuqi hyjnore të jetë e përsosur në dobësinë njerëzore [3].

Disa fajësojnë Perëndinë se ata janë lindur me këtë prirje, por faji nuk qëndron te Perëndia, por te natyra mëkatare e njeriut. Çdo fëmijë i rënë i Adamit ka prirje të liga. Disa kanë dobësi në një fushë, të tjerë në një tjetër. Mëkat nuk është të tundohesh, por të biesh në tundim.

Ka çlirim për homoseksualizmin apo lesbizmin, ashtu si nga çdo formë epshi. Megjithatë, ndihma e vazhdueshme e perëndishme është shumë e rëndësishme në secilin prej rasteve.

Të krishterët duhet t’i pranojnë homoseksualët si njerëz pa miratuar stilin e tyre të jetës. Ngaqë ata janë njerëz për të cilët Krishti vdiq, besimtarët duhet të përpiqen në çdo mënyrë të mundshme që t’i fitojnë në një jetë të «shenjtërisë, pa të cilën askush nuk ka për të parë Perëndinë» (Heb. 12:14).

[/box]

19:12-29 Engjëjt ngulën këmbë që Loti dhe familja e tij të largoheshin nga qyteti. Por kur ai u përpoq t’i bindte dhëndurët e tij (ose dhëndurët e ardhshëm – shikoni versionin RSV), ata menduan se ai po bënte shaka. Jeta e tij e përdalë ia bënte të kotë dëshminë kur erdhi koha e krizës. Sa doli agimi, engjëjt e shoqëruan Lotin, gruan e tij dhe vajzat jashtë Sodomës. Edhe atëherë Loti u përpoq të fitonte kohë, duke parapëlqyer të qëndronte në Coar, një ndër qytetet përkrahës të mëkatit. As edhe dhjetë njerëz të drejtë nuk u gjetën në Sodomë, kështu që Perëndia e shkatërroi atë. Por lutja e Abrahamit nuk mbeti pa përgjigje, sepse Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.

Edhe pse gruaja e Lotit u largua nga qyteti, zemra e saj ishte ende në të dhe mbi të ra gjykimi i Perëndisë. Me fjalët: «Kujtoni gruan e Lotit» (Luka 17:32), Krishti e përmend si një paralajmërim ndaj të gjithë atyre që tallen me ofertën e Tij të shpëtimit.

19:30-38 Duke u larguar nga Coari, Loti u shpërngul në një shpellë malore. Atje dy bijat e tij e dehën dhe e joshën që të bënte incest me to. Vajza më e madhe më pas lindi një djalë me emrin Moab dhe më e voglalindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Ben-Ami. Nga këta rrjedhin moabitët dhe amonitët, që u bënë gjemba në kurrizin e Izraelit. Ishte gruaja moabite që më vonë i joshi burrat e Izraelit të kryenin imoralitet (Num. 25:1-3) dhe amonitët që e mësuan Izraelin të adhuronte Molekun, duke përfshirë flijimin e fëmijëve (1 i Mbreterve 11:33; Jer. 32:35). Ne e dimë nga 2 Pjetrit 2:7,8 se Loti ishte një njeri i drejtë, po për shkak se e deshi botën, humbi dëshminë (v. 14), gruan (v. 26), dhëndurët, miqtë, bashkësinë (nuk kishte në Sodomë), pasurinë (shkoi i pasur, por doli i varfër), karakterin (v. 35), punën dhe gati vdekjen (v. 22). Sjellja e shthurur e bijave të tij tregon se ata ishin ndikuar nga standardet e liga të Sodomës. Nuk ka shpëtim nga ato gjëra (Heb. 2:3).

7. Abrahami dhe Abimeleku (Kapitulli 20)

20:1-18 Duket e pabesueshme që Abrahami të përpiqej përsëri të hiqej sikur Sara ishte e motra brenda një periudhe njëzetvjeçare, me të njëjtën proçkë si me faraonin – e pabesueshme, derisa kujtojmë prirjen tonë për të mëkatuar! Ndodhia me AbimelekunGerar është gati e njëjta skenë dyfytyrësie e Abrahamit në Egjipt (Zanafilla 12:10-17). Perëndia ndërhyri për të çuar në vend qëllimet e Tij me lindjen e Isakut. Ai e kërcënoi Abimelekun me vdekje. Ai është më tepër se një shikues në vijën kufizuese të historisë. Ai mund të mposhtë të keqen e popullit të Tij edhe me anën e jetëve të të parilindurve. Pagani Abimelek veproi më me drejtësi në këtë ndodhi me Abrahamin, «mikun e Perëndisë» (Abimelek është një titull dhe jo një emër i përveçëm). Është e turpshme kur një besimtar duhet të qortohet me të drejtë nga një njeri i botës! Kur një gjysmë e vërtetë paraqitet si e tëra e vërteta, është një gjë e pavërtetë. Madje Abrahami u përpoq t’ia hidhte fajin Perëndisë që e kishte bërë atë në radhë të parë të bridhte. Do të kishte qenë e udhës që në mënyrë të përulur të pranonte fajin e tij. Megjithatë, ai ishte njeriu i Perëndisë. Dhe kështu Zoti e çoi Abimelekun tek ai, që Abrahami të lutej në mënyrë që shtëpia e tij të shërohej nga shterpësia.

Shprehja «për të mbuluar fyerjen» (v. 16) fjalë për fjalë «është një mbulesë e syve», që do të thotë një dhuratë e dhënë me qëllim fashitjen. Prandaj mund të lexohet: «Të është dhënë si pagesë shlyese, si provë për të gjithë ata që janë me ty dhe për të gjithë njerëzit, që e gabuara u është quajtur e drejtë».

8. Isaku, biri i premtimit (Kapitulli 21)

21:1-10 Kur u lindi djali i premtimit Abrahamit dhe Sarës, prindërit e ngazëllyer i vunë emrin Isak («qeshje»), ashtu siç qe urdhëruar nga Perëndia (Zanafilla 17:19,21). Kjo shprehte gëzimin e tyre dhe gëzimin e tërë atyre që do të dëgjonin lajmin. Isaku ishte nga dy deri në pesë vjeç kur u zvordh. Ismaeli mund të ketë qenë rreth moshës 13 deri 17 vjeçare. Kur Sara pa Ismaelin që tallej me Isakun në festën e zvjerdhjes, ajo e urdhëroi Abrahamin ta përzinte Agarin dhe birin e saj. Pali e interpreton këtë veprim si provë që ligji e përndjek hirin, që ligji dhe hiri nuk mund të përzihen dhe që bekimet frymërore nuk mund të merren mbi parimin e ligjit (Gal. 4:29).

21:11-13 Abrahami u trishtua se do të humbte Agarin dhe Ismaelin, por Perëndia e ngushëlloi atë me premtimin se Ismaeli do të bëhej ati i një kombi të madh. Zoti e bëri të qartë se Isaku ishte djali i premtimit me anë të të cilit do të realizohej besëlidhja.

21:14-21 Kur Agari me fëmijën gati sa nuk po vdisnin nga etja në shkretëtirën e jugut të Kanaanit, Perëndia bëri që të gjenin një pus dhe kështu shpëtuan nga vdekja. Ismaeli ishte adoleshent në atë kohë; prandaj, vargu 15 mbase nënkupton se Agari e shtyri atë poshtë një kaçubeje në dobësinë e tij. Emri i Ismaelit: «Perëndia dëgjon» gjendet dy herë në vargun 17 – «Perëndia dëgjoi» dhe «Perëndia ka dëgjuar». Fëmijët dhe të rinjtë duhet të nxiten të luten. Perëndia dëgjon dhe përgjigjet.

21:22-34 Abimeleku i vargut 22 nuk është domosdoshmërisht ai i kapitullit 20. Shërbyesit e komandantit kishin marrë një pus uji nga njerëzit e Abrahamit. Kur Abimeleku dhe Abrahami bënë një marrëveshje miqësore, patriarku i tregoi Abimelekut rreth pusit që ishte shtënë në dorë. Rezultati ishte një aleancë që ia jepte pusin Abrahamit. Ai menjëherë ia vuri emrin Beer-Sheba («pusi i betimit»). Ky vend më vonë u bë një qytet, duke shënuar kufirin jugor të vendit. Abrahami mbolli një marinë [korije] si përkujtimore.

9. Ofrimi i Isakut (Kapitulli 22)

22:1-10 Mbase asnjë skenë tjetër veç Kalvarit nuk është më therëse se kjo dhe asnjë tjetër nuk jep [më shumë] shenjat e vdekjes së vetë Birit shumë të dashur të Perëndisë në kryq. Prova më e lartë e besimit të Abrahamit erdhi kur Perëndia e urdhëroi të sakrifikonte Isakun në vendin e Moriahve. Perëndia nuk kishte ndërmend që ta lejonte Abrahamin të bënte një gjë të tillë; Ai gjithmonë ka qenë kundër flijimit të njerëzve. Moriahu është vargmali ku ndodhet Jerusalemi (2 i Kronikave 3:1) dhe gjithashtu ku ndodhej edhe Kalvari. Fjalët e Perëndisë: «birin tënd të vetëm, atë që ti do» do të kenë tejshpuar zemrën e Abrahamit si plagë therëse. Isaku ishte biri i vetëm i Abrahamit në kuptimin që ai ishte biri i vetëm i premtimit – djali i vetëm, djali i lindjes së mrekullueshme.

Të hasurit e parë të një fjale në Bibël zakonisht cakton modelin për përdorimin e saj në tërë Shkrimin. Dashuria (v. 2) dhe adhurimi (v. 5) gjenden për herë të parë këtu. Dashuria e Abrahamit për birin e tij është një figurë e dobët e veprës më të madhe të adhurimit – vetëflijimi i Shpëtimtarit për të përmbushur vullnetin e Perëndisë.

22:11,12 «Abraham, Abraham» është hera e parë nga dhjetë herët e përmendjes së emrave të dyfishtë që hasen në Bibël. Shtatë herë janë folur nga Perëndia për njerëzit (Zanafilla 22:11; 46:2; Eksodi 3:4 dhe 1 i Samuelit 3:10; Luka 10:41; 22:31; Veprat e Apostujve 9:4). Tri herët e tjera janë Mateu 7:21,22; 23:37; Marku 15:34. Ato ndërfutin çështje të një rëndësie të veçantë. Engjëlli i Zotit (v. 11) ishte Perëndia.

22:13-15 Të ofruarit e Isakut ishte pa dyshim prova më e madhe për besimin e Abrahamit. Perëndia kishte premtuar t’i jepte Abrahamit një pasardhje të panumërt nëpërmjet birit të tij. Isaku mund të ketë qenë rreth njëzet e pesë vjeç në atë kohë dhe ishte beqar. Nëse Abrahami do ta vriste, si do të përmbushej profecia? Sipas Hebrenjve 11:19 Abrahami besoi se edhe nëse do ta kishte vrarë birin e tij, Perëndia do ta ringjallte nga të vdekurit. Besimi i tij ishte i jashtëzakonshëm, sepse nuk kishte pasur asnjë rast ringjalljeje deri në atë kohë në historinë e botës. Vini re besimin e tij gjithashtu te Zanafilla 22:5: «Unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush». Abrahami u shfajësua në fillim me anë të besimit (Zanafilla 15:6), pastaj u shfajësua me anë të veprave këtu (shikoni Jakobit 2:21). Besimi i tij ishte mjeti i shpëtimit të tij, ndërsa veprat e tij qenë prova e realitetit të besimit të tij. Kur Isaku pyeti: «Ku është qengji për sakrificën?», i ati iu përgjigj: «Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin». Ky premtim nuk u plotësua vetëm me qengjin e vargut 13, por nga Qengji i Perëndisë (Gjoni 1:29).

Kemi dy simbole të dukshme të Krishtit në këtë kapitull. I pari është Isaku: një bir i vetëm, i dashur nga i ati, i gatshëm për të bërë vullnetin e të atit, u kthye nga të vdekurit si një figurë. I dytiështë Qengji: një viktimë e pafajshme vdiq si një zëvendësues për një tjetër, gjaku i tij u derdh dhe u ofrua si sakrificë plotësisht prej Perëndisë. Dikush ka thënë se, duke siguruar qengjin si zëvendësues për Isakun, «Perëndia i kurseu zemrës së Abrahamit një sëmbim që Ai nuk do t’ia kursente vetes së Tij». Engjëlli i Zotit në vargjet 11 e 15, si në tërë DhV, është Zoti Jezu Krisht. Abrahami e quajti atë vend «Do të furnizohet mali i Zotit»(Jehovah Jireh, v. 14). Ky është një ndër shtatë emrat e përbërë për Perëndinë në DhV. Të tjerët janë:

Jehovah Rofeka – «Zoti që të shëron» (Eksodi 15:26).
Jehovah Nisi – «Zoti është flamuri im» (Eksodi 17:8-15).
Jehovah Shalom – «Zoti është paqja jonë» (Gjyqtaret 6:24).
Jehovah Roi – «Zoti është bariu im» (Psa. 23:1).
Jehovah Tsidkenu – «Zoti drejtësia jonë» (Jer. 23:6).
Jehovah Shamah – «Zoti është atje» (Eze. 48:35).

22:16-19 Zoti u betua për Veten e Tij, sepse nuk mund të betohej për ndonjë tjetër më të madh (Heb. 6:13). Premtimi i Perëndisë këtu, i miratuar nga betimit i Tij, përfshin bekimin e kombeve pagane me anë të Krishtit (shikoni Galatasve 3:16). Në vargun 17c Perëndia i shton bekimit të madh të premtuar [edhe këtë]: fara e Abrahamit do të zotërojë portat e armiqve të tij. Kjo do të thotë se pasardhësit e tij do të «zinin vendin e pushtetit mbi tërë ata që do t’i kundërshtonin. Pushtimi i portave të qytetit nënkuptonte rënien e vetë qytetit» [4].

22:20-24 Nahori, vëllai i Abrahamit kishte dymbëdhjetë bij, ndërsa Abrahami vetëm dy, Ismaelin dhe Isakun. Si mund të ketë provuar kjo besimin e Abrahamit rreth premtimit të Perëndisë se pasardhësit e tij do të ishin si yjet e qiellit! Kjo do ta ketë shtyrë atë të dërgonte Eliezerin që të kërkonte një grua për Isakun (kapitulli 24). Vini re emrin Rebeka te Zanafilla 22:23.

10. Vendi i varrit të familjes (Kapitulli 23)

23:1-16 Kur Sara vdiq në moshën njëqind e njëzet e shtatë vjeçare, Abrahami bëri pazar me banorët e Hethit të Hebronit për blerjen e shpellës së Makpelahut si vendvarrim – blerja e tij e vetme e një pasurie të patundshme gjatë tërë jetës së tij të shtegtimit. Pjesa na jep një përshkrim të çmuar të bërjes së pazarit që është aq tipik në vendet lindore. Në fillim banorët e Hethit i sugjerojnë Abrahamit të zgjidhte një ndër vendvarrimet e tyre. Me mirësjellje të madhe Abrahami nuk pranoi dhe nguli këmbë të paguante plotësisht për shpellën që ishte pronë e Efronit. Në fillim Efroni ofroi jo vetëm shpellën, por tërë arën si një dhuratë të plotë, por Abrahami e kuptoi që kjo qe vetëm një mirësjellje. Pronari nuk kishte qëllim që ta falte. Kur Abrahami kundërshtoi duke ngulur këmbë në dëshirën e tij për ta blerë, Efroni i dha një çmim prej katërqind monedhash argjendi, duke u hequr se ky ishte një pazar i mirë. Në fakt ishte një çmim zhvatës dhe zakonisht blerësi do të fillonte të ulte çmimin. Kështu që ishte për t’u çuditur që Abrahami pranoi çmimin e parë të dhënë nga Efroni. Abrahami nuk donte t’i ishte në borxh ndonjë jobesimtari dhe as ne nuk duhet të jemi.

23:17-20 Shpella e Makpelahut më vonë u bë vendvarrimi për Abrahamin, Isakun, Rebekën, Jakobin dhe Lean. Vendi tradicional është tani një xhami myslimane.

11. Një nuse për Isakun (Kapitulli 24)

24:1-9 Abrahami bëri që shërbyesi më i moshuarbetohej se do të kërkonte një nuse për Isakun, se nuk do ta lejonte të martohej me një kanaanite apo të jetonte në Mesopotami. Forma e lashtë e betimit e përshkruar në vargjet 2-4 dhe 9 shpjegohet nga Çarls Pfeifer (Charles F. Pfeiffer):

Sipas idiomës biblike, fëmijët rrjedhin nga «kofsha» apo «ijët» e etërve të tyre (kr. Zanafilla 46:26 ku thotë «Njerëzit që erdhën me Jakobin në Egjipt, pasardhës të tij», por përkthim i saktë duhet të jetë «Njerëzit që erdhën me Jakobin në Egjipt, të cilët dolën nga ijët e tij». Shih edhe 2 i Kronikave 6:9 ku thotë «por nuk do të jesh ti që do ta ndërtosh tempullin, por biri yt që ka për të dalë nga ijët e tua, do të jetë ai që do ta ndërtojë tempullin në emrin tim»). Duke vënë dorën nën kofshë nënkuptohej që, në rast se betimi dhunohej, fëmijët që kishin dalë apo do të dilnin nga «kofsha» do të merrnin hak për veprën e pabesë. Ky është quajtur një «betim pasardhjeje» dhe në mënyrë të veçantë zbatohet këtu, sepse misioni i shërbyesit duhet të siguronte një pasardhje për Abrahamin me anë të Isakut [5].

24:10-14 Shërbyesi është një figurë (simbol) e Frymës së Shenjtë i dërguar nga Ati për të gjetur një nuse për «Isakun qiellor», Zotin Jezus. Kjo pjesë me kujdes tregon përgatitjet për udhëtimin, dhuratat e marra me vete nga shërbyesi dhe shenja me anë të së cilës ai do të njihte gruan e zgjedhur nga Zoti. Murdok Kampbell (Murdoch Campbell) shtjellon:

Ishte një shenjë që u llogarit për të hedhur më tepër dritë në karakterin dhe gatishmërinë e vajzës që ishte e denjë për birin e zotërisë së tij. Ai thjesht do të kërkonte «një gllënjkë» – ashtu siç mund të përkthehet fjala hebraike – uji për vete; por ajo që Perëndia kishte zgjedhur për të qenë nëna e një populli të madh dhe një paraardhëse e largët e Jezu Krishtit do të zbulonte natyrën e saj bujare dhe gatishmërinë e saj për t’u shërbyer të tjerëve duke u ofruar jo vetëm një «gllënjkë» të thjeshtë uji, por «ujë» me bollëk. Kësaj mund t’i shtohet oferta mahnitëse e dhënies ujë edhe deveve. Kur marrin parasysh se këto dhjetë kafshë, pas mundit të shkretëtirës së gjatë, ishin gati të zbraznin të paktën katër fuçi uji, gatishmëria e natyrshme e vajzës së lutjeve të tij për t’i shërbyer njeriut dhe kafshëve tregon karakter të këndshëm, joegoist, dhe të rendit më të lartë. [6].

24:15-52 Ishte Rebeka e dashur, sigurisht, që i përmbushi kushtet dhe që pranoi dhuratat e shërbyesit. Ndërsa e drejtoi për te shtëpia e të atit, shërbyesi i Abrahamit e kuptoi se kërkimi i tij kishte përfunduar. Kur Rebeka ia shpjegoi situatën të vëllait, Labano, ai e mirëpriti shtegtarin, pastaj dëgjoi propozimin e shërbyesit për Rebekën si nuse për Isakun. Gërshetimi i mrekullueshëm i rrethanave në përgjigje të lutjes së shërbyesit e bindi Labanon dhe Bethuelin, babanë e Rebekës, që Zoti kishte përgatitur gjithçka.

24:53-61 Shërbëtori më pas i dha dhurata Rebekës, Labanos dhe nënës së saj, duke vulosur fejesën. Në mëngjes, familja donte të vononte nisjen, por gatishmëria e Rebekës për të shkuar e zgjidhi çështjen dhe ajo u largua me bekimet e tyre.

24:62-67 Hera e parë që e shohim Isakun pas përvojës së tij në malin Moriah është kur doli për t’u takuar me Rebekën. Kështu hera kur do ta shohim Shpëtimtarin pas vdekjes, varrosjes, ringjalljes dhe ngjitjes së Tij është kur të kthehet për të marrë nusen e Tij të zgjedhur (1 Thes. 4:13-18). Takimi i Isakut me Rebekën ka një bukuri të rrallë. Edhe pse nuk e kishte parë kurrë më parë, ai u martua me të dhe e dashuroi dhe, ndryshe nga etërit e tjerë, nuk pati gra të tjera veç saj.

12. Pasardhësit e Abrahamit (Zanafilla 25:1-18)

25:1-6 Te 1 i Kronikave 1:32 Keturah quhet konkubina e Abrahamit. Vargu 6 duket sikur e mbështet një gjë të tillë. Prandaj ajo ishte një gruamë e vogël, që nuk i gëzoi tërë privilegjet e një gruaje shtëpie. Përsëri Perëndia tregon që parregullsitë martesore nuk i miraton kurrë.

25:7-18 Abrahami […] jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet dhe u bë njeriu i dytë që e varrosën në shpellën e Hebronit. Dymbëdhjetë bijtë e Ismaelit të renditur në vargjet 12-16 përmbushin premtimin e Perëndisë bërë Abrahamit: «Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve» (Zanafilla 17:20). Me vdekjen e Ismaelit, Isaku kalon në planin e parë të historisë.


Referenca    ( ↵ kthehet te teksti)

  1. (15:7-21) David Baron, The New Order of the Priesthood, f. 9-10 shënime fundore.
  2. (16:7-15) F. Davidson, The New Bible Commentary, f. 90.
  3. (Shtjellim i hollësishëm) Bennett J. Sims, “Sex and Homosexuality”, Christianity Today, 24 shkurt 1978, f. 29.
  4. (22:16-19) Charles F. Pfeiffer, The Book of Genesis, f. 6.
  5. (24:1-9) I njëjti referim si më lart, f. 62.
  6. (24:10-14) Murdoch Campbell, The Loveliest Story Ever Told, f. 9.